Uria, të varfërit ushqim në panairin e biznesit
TIRANË- Një panair krejt i veçantë, si për mënyrën e organizimit, ashtu dhe për faktin që zhvillohet në 100-vjetorin e Pavarësisë. Kështu e cilësoi ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, "Panairin e Agrobiznesit dhe Turizmit", i cili u zhvillua në kryeqytet nga data 20-23 shtator. Në fakt, i veçantë ishte jo vetëm për mënyrën e organizimit, por edhe për "vizitorët", që kishin interes për ta parë nga afër. Është e dhimbshme, madje e paimagjinueshme, të ngjeth mishin, të drithëron e të trishton. Fërkon sytë dhe kërkon që të mos jetë ajo që je duke parë. Kërkon të qartësosh shikim e të mos i besosh pamjes që përsëritet herë pas here. Zgjasin duart e marrin ndonjë copëz sallam apo kaçkavall të ekspozuar nëpër tavolinat e panairit. Për nga rrobat që veshin kuptohet lehtësisht që janë njerëz të varfër. Jo nga ata që dalin në rrugë e lypin; janë nga ata që nuk kanë me çfarë të ushqehen në shtëpi e që ndonjë më i mençur, u ka sugjeruar të shkojnë e "të ushqehen" në panair. Me siguri dikush i ka këshilluar që atje ka ushqim "falas" e që mund të përfitojnë nga rasti. Një herë një grua rreth të 70-ave, më pas një i moshuar, një tjetër disi më i ri, gjithë mbrëmjen. Janë shumë, madje në orën që i hasim (rreth 22:30), mund të themi se janë të vetmit që kanë interes për panairin.
E quajnë Thoma... Thoma Thomallari, një ish- shofer nga qyteti i Vlorës, tani në pension. I veshur si mos më keq, me një xhaketë ngjyrë gri e që, për nga koha që nuk është larë ka marrë një nuancë kafe. Ajo prek në fanellën e trupit, ndërsa pantallonat, me siguri të bëra dhuratë nga dikush, pasi nuk arrijnë deri mbi këpucët, me përkëdheli po i quajmë të vjetruara. Kalon vjedhurazi nëpër tenda me një shikim gjysmë të frikësuar se mos njeriu që qëndron përballë e qorton për atë copën e sallamit që ka vënë në dispozicion të klientëve. Kalon një herë, e merr një pjesëz dhe e fut në gojë... Nuk mund të durojë e as të fshihet mbrapa tendës. Kalon sërish dhe bën po të njëjtin veprim. Bëhemi kuriozë dhe e ndjekim nga mbrapa. E çuditshme, bën të njëjtin veprim në çdo stendë ku ka ushqim. Edhe "shitësit" e dallojnë. Iu dhimbset. Njëri i jep një qese dhe i fut në të ca kroasane. Të tjerë i bërtasin, e largojnë, ndërsa ai nuk bën fjalë. Emrin dhe të kaluarën na i thotë një "shoqërues" i tij, disi më i tërhequr, por që herë pas herë gëlltitet para ushqimit që ka përpara. "Ka një pension të vogël, është shumë keq, s'ka ç'të hajë. Ka qenë burrë zotni, por tani...", - na tregon shoqëruesi, i cili nuk na sheh në sy, pasi është duke vëzhguar tregtarët që i fusin ndonjë gjë në qese Thomait. I njëjti ritual stendë më stendë, duke u gëlltitur e duke shijuar ndonjë thërrime... E trishtueshme, por e vërtetë!
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)