E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakroi ish-bashkëshorten, autori: Nuk jam vrasës

KORCE- "Nuk dua ta besoj atë që ka ndodhur. Unë nuk doja ta vrisja nënën e dy fëmijëve të mi. Më vjen keq që ajo aktualisht vijon të jetë në gjendje kome. Unë shkova në shtëpinë e prindërve të saj për t'u sqaruar pasi kishim gati një muaj që ishim divorcuar. Ajo nuk pranoi të kthehej me mua dhe, kjo më acaroi shumë, nuk mbaj mend më tej, di që kam pasur një thikë në dorë dhe në nerva e sipër e kam goditur", u shpreh gjatë seancës gjyqësore Romeo Babani, i cili vetëm pak ditë më parë i gjuajti me thikë dhe hodhi në kosh të plehrave, ish-gruan e tij, nënë të dy fëmijëve. Sipas të akuzuarit ai kishte konflikte të vazhdueshme me të por edhe me vjehrrën pasi sipas tij ajo ia mori nusen dhe i ndau. "Nuk jam vrasës dhe, jam penduar për gjithçka që ka ndodhur. Ajo është nëna e fëmijëve të mi dhe kurrsesi nuk duhet të kisha bërë një gjë të tillë. Por ngjarja ka ndodhur në nerva e sipër, nuk e kam pranuar dot faktin që ajo nuk do kthehej në shtëpi me mua. Ndaj dhe ka ndodhur, kjo që ndodhi", vijoi ai me lot në sy ndërsa Eriselda Elmazi, gruaja e tij ndodhet në koma dhe ende në gjendje kritike për jetën.
Seanca
Gjykata e Korçës ka dhënë paraditen e së djelës masën e sigurisë "arrest me burg" për 28- vjeçarin Romeo Babani i cili një javë më parë masakroi me thikë dhe sende të forta dhe më pas hodhi në një kosh mbeturinash ish- bashkëshorten Eriselda Elmazin. Organi i akuzës,i përfaqësuar nga prokurorja Dhorina Theodhori gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë të 28-vjeçarit ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg" për Babanin duke shpje-guar në mënyrë kronolo-gjike gjithçka ka ndodhur ditën e ngjarjes. Sipas prokurorisë çifti prej disa muajsh kishte konflikte të vazhdueshme dhe ditën që ka ndodhur ngjarja ,28-vjeçari ka shkuar në banesën e ish gruas dhe ka pritur jashtë për disa orë, deri sa 25-vjeçarja ka dalë për të shkuar në punë (pasi punonte në pastrim). Akuza tha se autori i ka bërë pritë, nënës së dy fëmijvë në një nga rrugicat e lagjes numër 8 në Korçë. Teksa 25-vjeçarja ka dalë, Babani e ka ndaluar dhe i ka kërkuar sqarim ish-bashkëshortes së tij se pse është larguar nga banesa dhe i ka kërkuar asaj të kthehej sërish. Prokuroria tha se gjatë debatit autori e ka goditur me thikë disa herë në pjesë të ndryshme nënën e dy fëmijëve të tij dhe më pas e ka qëlluar me një tullë në pjesën e kokës duke i shkaktuar çarje të kafkës. Më pas 28-vjeçari e ka menduar atë të vdekur,dhe për të fshehur gjurmët e ka hedhur në një kosh mbeturinash, me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga ana tjetër mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, atë të "arrestit në shtëpi' nën pretendimin se 28-vjeçar nuk përbën rrezikshmëri dhe është babai i dy fëmijëve të mitur, të cilët aktualisht kanë nevojë për t'u ushqyer. Ndërkaq në seancë ka qenë i pranishëm edhe vetë Romeo Babani, i cili është shprehur i penduar për krimin. Ai ka pranuar që ka dhunuar barbarisht ish- bashkëshorten e tij, por është justifikuar me argumentin që në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë mjaft i acaruar për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishte me ish-bashkëshorten dhe nënën e saj.
Spitali
Nëna e dy fëmijëve, Eriselda Elmazi, pjesë e komunitetit rom, prej një jave ndodhet në gjendje kome. Sipas bluzave të bardha, gjendja shëndetësore e 25-vjeçares vijon të jetë kritike për shkak të plagëve të mara në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Sipas të dhënave, tashmë të vërtetuara edhe nga ekspertiza, 25-vjeçarja ka plagë të shumta thike në trup ndërsa ka edhe dëmtime serioze të kafkës, nga goditja me sende të forta.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›