E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohet për herë të parë bibliografia kronologjike e "Hyllit të Dritës"

Ulqin, 8 Nëntor 15:52 NOA – Del në dritë për herë të parë bibliografia kronologjike e "Hyllit të Dritës".

Në veprimtarinë botuese të "Hyllit të Dritës" përveç drejtorit të saj At Gejrgj Fishta kanë qenë të përfaqësuar edhe një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh, të cilët, siç thotë autori, nderuan jo vetëm Provincën Françeskane por edhe kombin.

Autori, Wily Kamsi në këtë bibliografi a ka përpunuar tri periudhat e para, ose fazën e parë të "Hyllit të Dritës" (1913-1944).

Kjo është periudhë, në të cilën revista ka qenë plotësisht në dorën e urdhrit Françeskan Shqiptar, duke dhënë gjithë origjinalitetin e vet të mendimit fetar, kulturor e shkencor të tyre.

Ai përmes këtij botimi ka menduar se duhet ndriçuar më shumë shkaqet që ndikuan dy herë në pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth 50 vjet, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, se sa të vihen në pah arsyet dhe argumentet që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtë flasin qartë shkrimet që përmban.

Biblioteka Françeskane "At Gjergj Fishta" në Shkodër botoi kështu për herë të parë një bibliografi kronologjike të revistës "Hylli i Dritës" autor i së cilës është studiuesi i mirënjohur shkodran, Wily Kamsi.

***

“Hylli i Dritës", ishte revista e parë botuar në Shqipëri me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, që me përmbajtjen e larmishme të shkrimeve, studimeve e bashkëpunimeve të ndryshme gjatë 20 vjetëve të saj u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçës Françeskane në Shqipëri.

Wily Kamsi këtë botim e ka ndarë në tri periudha në të cilat "Hylli i Dritës" ka zhvilluar veprimtarinë e vet botuese.

Në periudhën e parë (1913-1914) thekson autori janë paraqitur fashikujt e parë ku trajtohen argumente që flasin për formimin qytetas e atdhetar të shqiptarëve, të frymëzuar nga parime të krishterë, ku diskutohej për aftësinë e shqiptarëve për të organizuar shtetin e vet pas pesë shekujsh pushtimi të huaj, dhe marrëdhëniet në mes të lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fes dhe shumë probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen, synim parësor kanë nisjen e një mënyre të re veprimi për të kuptuar moralisht marrëdhëniet në mes individit e shtetit, në mes shoqërisë e shtetit.

Meqenëse ishte hera e parë që në Shqipëri botohej një revistë me një nivel të tillë kulturor, natyrisht se në faqet e saj nuk kanë munguar as shkrimet me sfond historik, kulturor e shpesh edhe gjuhësor, duke theksuar gjithnjë nevojën që gjuha shqipe të përfshihej me të drejtë të plotë në disa shkolla në të cilat asokohe trajtohej si gjuhë e kategorisë së dytë në kohën kur Shqipëria veç ishte shpall shtet i pavarur.

Përveç kësaj në faqet e kësaj gazete të kësaj periudhë nuk ka munguar qëndrimi fort polemik, rubrika kushtuar lajmeve të brendshme e të jashtme, të paraqitura nga drejtori i saj At Gjergjj Fishta, të cilat pasqyronin qëndrimin ndaj politikës ndërkombëtare të mbajtur prej ambienteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etërve Françeskanë. Shkrimet e drejta e të guximshme të kësaj revistë të cilat në mënyrën më të mirë të mundshme pasqyronin realitetin e kohës, e që edhe sot pas diç më shumë se plot 8o vjetësh janë aktuale në çdo pikëpamje, veçmas ajo e vërteta therëse, që rrezatoi nga penda e drejtorit të saj At Gjergj Fishta, ranë në sy të Fuqive Europiane, të cilat e pezullojnë "Hyllin e Dritës" në vitin 1914.

Në periudhën e dytë ( 1921-24), e cila konsiderohej si periudha më demokratike e historisë shqiptare, sipas autorit, kujdes parësor i është kushtuar mbrojtjes së rilindur të shtetit shqiptar nga të këqijat e jashtme e sidomos të brendshme.

Gjatë kësaj periudhë, shprehet autori, revista nxjerr në pah mënyrën e vënies në lëvizje të përbërësve aktivë, e në mënyrë të veçantë ata legjislativë dhe ekzekutivë, siç janë parlamenti dhe qeveria, pastaj u vu në dukje ideali i shqiptarëve, rilindja shpirtërore e

individit, u trajtuan argumente nga fusha të ndryshme, u zhvilluan argumente me sfond kulturor që kishin të bënin me shkollat e natës, me mësimin në përgjithësi, pastaj o potencua zgjidhja e shumë problemeve shoqërore si dhe iu kushtua kujdes ruajtjes së traditave si dhe vlerësimit të së kaluar me qëllim të përmirësimit të frymës dhe veprës së tashmes.

Revista gjatë kësaj periudhë mbajti me shumë gjallëri anën e demokracisë, respektivisht të revolucionit demokratik të qershorit 1924, i udhëhequr nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri, i cili siç dihet përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Kthimi në pushtet i forcave regresive të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha, pas gjashtë muajsh të qeverimit demokrat, në Shqipëri " Hylli i Dritës" sërish pezullohet.

Autori Wily Kamsi thotë se transkriptimi i titujve në këtë bibliografi është bërë duke ruajtur shkrimin origjinal të revistës dhe shton se çdo pseudonim dhe anagramë, kur ka qenë e mundur janë shpjeguar duke u vënë përbri emrin e autorit, natyrisht aty ku njihet.

Ai po ashtu ka përfshirë të gjitha shënimet e botuesit, ku e ka parë të nevojshme i ka vënë në kllapa të gjithë nëntitujt që ka secili shkrim, dhe ka përdorë disa shenja dalluese, konvencionale me qëllim që t'ua lehtësojnë punën lexuesve.

Në periudhën e tretë (1930-1944) revista “Hylli i Dritës" sipas autorit, pati një përparim që prirej te përballimi dhe zgjidhja e anëve pak të njohura ose të panjohura të historisë, të letërsisë, të gjuhës, të etnografisë e të folklorit shqiptar, duke përhapur imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës dhe duke e ngritur revistën në një nivel jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar.

Kështu At Gergj Fishta ia doli që bashkëpunëtorët të tij të jenë emra eminent si prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmuller e të tjerë si këta. Kjo revistë, respektivisht kjo vepër

atdhetare e Françerskanëve Shqiptarë, cila siç shkruan autori "atë që duhej thanë, dinte me e thanë, në kohën e duhun e në tonin e përshtatshëm" me botimet e saj për herë të tretë mbyllet tani nga regjimi antikombëtar komunist, sapo pushtuan Shqipërinë me përkrahjen aktive të armiqve të kombit shqiptar.

Sepse në faqet e “Hyllit të Dritës" botoheshin shkrimeve të shkencëtarëve dhe studiuesve më me zë të kohës si prof. Eqrem Çabej, Gelaziusi ( pseudonim i Dom Nikollë Gazullit, shkencëtar i vrarë nga komunistët) prof. Atanas Gegaj, autor i L'Albanie et I'invasion turque au XV "siecle", botuar në Louvain (Belgjikë), më 1937, prof, Filip Fishta,

studiues dhe gjurmues i shquar në fushën e albanistikës, i dënuar me burgim, ndër të tjera, për studimin "Kosova për historin e letërsin kombtare", pastaj At Gjon Shllaku, po ashtu shkencëtar i pushkatuar nga komunistët, At Rrok Gurashi i burgosur nga komunistët, At Anton Harapi etj.

Ishte kjo një humbje e madhe e pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare që ndjehet edhe sot. Revista "Hylli i Dritës" pas ringjalljes së Shqipërisë, saktësisht në vitin 1993 me nismën e At Zef Pllumi, filloi rishtas botimin e saj, deri në vitin 1997, kur për shkak të grusht-shtetit të shtetit komunist që përgjaku e shkatërroi Shqipërinë pushoi së botuari për të katërtën herë. Mirëpo fatmirësisht në vitin 2006 "Hylli i Dritës" përsëri u ringjall nga hiri i vet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›