E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysmë shekulli film, 2 sekonda puthje

Shqipëria, një qoshk i bardhë në hartën e Evropës, i ka zbuluar të paimagjinueshmen një artisteje gjermane. Territoret intime të Venera Kyselka thyejnë edhe kufijtë shqiptarë. Në gjithë kinematografinë e 50 viteve të diktaturës, skenat e dashurisë nuk ekzistojnë. Vetëm 2.5 sekonda filmike shënohet puthja e parë kinematografike në filmin “Tana” të vitit 1958. Ndërsa portrete meshkujsh që përqafohen ngrohtë dhe preken, nxit nënkoshiencën e artistes gjermane, për të treguar ndikimin e industrisë ruse të filmit. E përndjekur nga shërbimi sekret gjerman, Kyselka vazhdon të luajë artistikisht, me ironi, mbi politikën

Gjysmë shekulli film, 2 sekonda puthje

Intervistoi: Violeta Murati

Në gati 40 vjet kinematografi shqiptare, vetëm 2.5 sekonda puthje ekzistojnë. Skenat intime, dashurore, ato të quajtura të nxehta, nuk ka në asnjë film shqiptar të krijuar në vitet e diktaturës. Ky episod sekondar i takon vitit 1958, filmit të parë “Tana”, që mund të quhet puthja e parë dhe e fundit në çiftin e dashuruar.

Kjo tingëllon aq naive dhe absurde, sa njëkohësisht e ka shtyrë artisten gjermane Verena Kyselkan të ripërtypë prej një viti idenë, për të bërë kërkime deri në realizmin e ekspozitës që ka hapur në Tiranë një ditë më parë. Në “Territoret intime”, Kyselka nuk e kupton shumë këtë realitet, veç ndihet e magjepsur për lojën që ka gjetur, pasi ka gërmuar në mbi 30 filma, produksione shqiptare, duke gjetur dhe kufirin kur është thyer kjo tabu - pra me puthjen e parë në postdiktaturë. “Me regji të Saimir Kumbaros, filmi “Vdekja e kalit” e prodhuar në vitin 1992 shënon, puthjen e parë në demokraci të të dashuruarve në kinematografinë tonë. Por gjithashtu e çuditshme duket dhe interesi i ri që iu shfaq papritur artistes gjermane, kur ka vëzhguar në gjithë rutinën e kinematografisë shqiptare dhe përqafimin e burrave. Gjithë shpjegimi i saj estetik lidhet me ndikimin që ka pasur në vendet ish-komuniste industria ruse e kinematografisë, ku dhe në këtë kontekst mënyra e socializmit të burrave, si të ishin vëllezër, ishte pjesë e propagandës ideologjike, duke e shndërruar edhe në mënyrë jetese. Video-projektor, foto, kolazhe, të gjitha format drejt rrugës së artit bashkëkohor, Kyselka e bën për të kuptuar ç’ngjet me vendet postkomuniste, perceptimi i ideve nën një diktat siç ishte izolimi. Këto marrin kontekst artistik në punët e artistes gjermane, e cila në Shqipëri tregon se ka gjetur të paimagjinueshme, një arsye që ia shkatërron mendimin gjatë gjithë kohës, duke e kthyer meditimin në shpërthime të qeshurash mbi ironinë komuniste. Kyselka tregon se nxitet shumë nga kërkime të kësaj natyre, duke e bërë që të hyjë jo rrallë në zonat e ndaluara dhe territore të vështira. Ajo është vajza e një ish-të dënuari politik në Gjermaninë Lindore. Kyselka tregon se ka guxuar të hyjë në këto territore, të hapë ekspozitë krejtësisht politike, pasi është survejuar për një kohë të gjatë nga shërbimi sekret gjerman.

Ndërsa nuk e ka frikë pse arti i saj lidhet fort mbi politikën, nxitja pse dhe sot gjendet në Tiranë, një vend që i duket me njerëz të egër dhe të vështirë. Gjithnjë duke gjetur një shkak, për të pranuar sjelljen tonë, se kushtet e vetizolimit dhe frustrimi nga diktatura pjellin marrëzi të tilla.

Cili është interesi i punës suaj, duke u nisur dhe nga projekti që keni prezantuar në Tiranë?

Ky nuk është projekti im i parë që merrem me historinë bashkëkohore. Jam shumë e interesuar në historinë bashkëkohore, sidomos për vendet që janë përfshirë në kampin komunist, që ndoqën ish-Bashkimin Sovjetik. Në vëzhgimet e mia në disa vende, interesi im është ngjallur në fokusimin e efekteve apo në shkaqet e diktaturës, çështje të tilla që kanë ardhur si rrjedhojë e vetizolimit.

Cili është konteksti i projektit “Territore intime”?

Unë vij nga Gjermania Lindore, ku kam pasur eksperiencën time sa i përket socializmit. Për mua është shumë e rëndësishme të kuptoj marrëdhënien ndërpersonale që krijojnë njerëzit në një shoqëri postdiktatoriale. Janë shumë vende që e kanë kaluar këtë etapë të zhvillimit të tyre dhe e zhvillojnë fort këtë temë. Unë jam shumë kurioze të kuptoj se si funksionon kjo në një vend si Shqipëria. Kam realizuar më parë një ekspozitë me këtë temë në Tiranë, ndërkohë isha dhe në Armeni, ku zhvillova një projekt, i cili do të vazhdojë vitin tjetër me të njëjtën temë, por në kontekstin lokal, ose do të kem çështje që i shqetësojnë njerëzit atje në këtë “Territor”.

Pikërisht në këtë “territor”, çfarë ju zbuloi në Shqipëri kurioziteti juaj? Cila ishte nxitja?

Në fillim nuk dija asgjë për Shqipërinë dhe mund të them se ishte një qoshk i bardhë në hartën e Evropës. E vetmja gjë që unë dija për Shqipërinë ishte ajo çka ne mësonim në shkollë si një aleat i paktit të Varshavës. Një mikja ime erdhi në Shqipëri për të punuar si drejtuese e një projekti evropian dhe ajo e di që unë jam e interesuar për këtë çështje, që të bëj një lidhje në mes artit dhe politikës.

Ishte ajo që më nxiti të vija këtu. Kështu u gjenda në këtë vend në pranverë, pa asnjë ide se çfarë mund të realizoja këtu. Fillova të intervistoj disa njerëz dhe dikush më tha se skenat e filmave nuk përfshinin kurrë puthjet, apo skenat më të nxehta. Kështu filloi kërkimi në punën time.

U ktheva në Gjermani dhe gjithnjë nisa të mendoj se si mund të përdor filmat dhe punën artistike, duke pasur parasysh pengesën që do të dilte për sa i përket të drejtave të autorit. Pasi unë mendoja të ndërhyja në këto filma dhe nuk ishte një çështje që unë thjesht nuk mund të bëja këtë gjë. Në fakt ti mund të blesh filma në tregun e zi dhe mund t’i përpunosh, por unë s’mund ta bëja këtë gjë dhe fillova bisedimet se si ta ligjëroja këtë gjë. Gjithçka filloi e ligjshme, kontaktova me Arkivin e Filmit dhe autorët, duke u shpjeguar që këta janë punë artistike dhe qëllimi është ekskluzivisht për një projekt artistik dhe aspak përfitues. Dhe nuk më doli asnjë problem.

Le të kthehemi tek koncepti juaj, i kërkimeve; censura e puthjeve dhe cili qe zbulimi?

Kam parë shumë filma. Ishin shumë interesantë për mua. Isha shumë kurioze për të parë dhe kuptuar se si mund të funksiononte një film pa një skenë puthjeje. Edhe në këtë film që pashë, “Tana”, skena e parë dhe e fundit që pashë një puthje në filmat shqiptare i takon vitit 1958. Ishte një puthje prej 2.5 sekonda. Kaq puthje ka në të gjithë filmat që unë kam parë. (qesh)

Është ironike qeshja juaj. Mendësia juaj dhe një realitet absurd, si u përballët?

Po, është pak ironike. Por në fakt gjithçka në mendësinë time është krijuar një kinematografi nga filmat hollivudianë kur gjithmonë këto filma janë me skena të kësaj natyre, dhe kur ti vjen e përballesh me këtë realitet është pak e çuditshme (qesh sërish). Vjen në një moment që duke pasur parasysh se çfarë po kërkoja, situata bëhej pak e mërzitshme. Tentoja për t’i shpejtuar xhirot për të gjetur atë që ishte fokusi i kërkimit, territori i intimitetit. Nëse një film nuk ka një skenë erotike apo një skenë puthjeje dhe kjo konsiderohet në vetvete skenë erotike, është interesante dhe e çuditshme për mua dhe prandaj mendova, dhe fillova të luaj me këtë koncept në punën time artistike.

Cilat ishin filmat e tjerë që ju ndaluan në këtë koncept të punës suaj, sa filma arritët të shihnit?

Kam parë ndoshta 20-30 filma. Nuk është se kam parë shumë prej tyre, pasi jo të gjithë kanë tema dashurie, pra ishin më shumë filma me luftë, me temë politike. Por jo shumë histori dashurie.

Çfarë ishte ajo që ju nuk e imagjinonit në lidhje me faktin që gjetët si dëshmi në këtë dokumentacion filmik, që ju bëri të ndjenit veten si në lojë?

Unë jam shumë e interesuar për çështjet e gjinive dhe problemeve që lidhen me këtë temë.

Pikërisht për këtë në ekspozitë ka disa foto të shkëputura nga sekuenca të ndryshme filmike, që duken tendencioze-ngrohtësi shikimi e përqafimi midis dy meshkujve, prekje midis tyre. Një tjetër territor kërkimesh ky i sapozbuluar?

Ishte shumë interesante dhe e çuditshme për mua që të shihje në gjithë këto filma, skena, ku nuk ekzistonin marrëdhëniet mes mashkullit dhe femrës, pra nuk ekzistonte intimiteti. Por shumë e më shumë hasje skena të një afrimiteti të çuditshëm mes meshkujve. Dhe më bëri përshtypje, sigurisht.

Keni ndonjë aludim, shpjegim, për këtë?

Shqipëria është një vend evropian dhe ndoshta kultura e prekjes është pjesë e saj. Por ajo çka unë mendoj më del si konkluzion është se këto janë produksione që nxiten fort nga industria e filmit rus, ku gjithmonë koncepti i vëllazërisë, i dy meshkujve që përqafohen është pjesë e koncepteve të një shoqërie, por që janë ilustruar dhe në industrinë e filmit.

Për pak aluduam për homoseksualizëm. Kush do t’i shikonte këto foto në ditët e sotme, me vëmendje, në këtë fenomen do fokusohej. Thoni të vërtetën, ju e menduat dhe këtë kur shkëputët fotografitë?

Ndoshta, një mënyrë e fshehur shumë. (qesh)

Pas çdo momenti që prezantoni ju qeshni vazhdimisht dhe sërish më nxit pyetja, aq i pabesueshëm është ky realitet komunist për pjesën e vendeve që nuk e kanë jetuar me aq egërsi?

Aspak e paimagjinueshme, sepse vij nga i njëjti kontekst i një shoqërie komuniste, sepse Gjermania Lindore ishte një realitet që ndoshta e përjetonte edhe më fort sesa Shqipëria, në momente të caktuara, këtë lloj formati të të jetuarit.

Si e keni përjetuar realitetin e sotëm shqiptar. Meqë jeni e fokusuar në marrëdhëniet ndërpersonale, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje tek shqiptarët që do ta konsideronit si nxitje për krijimtarinë tuaj?

Mendoj se shumë gjëra vijnë nga izolimi. Në të kaluarën e këtij vendi, ka momente ku shumë gjëra janë shkatërruar. Ajo çka unë vë re në Shqipëri është se njerëzit janë pak të ashpër si në komunikim, ashtu dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin, gjë që nuk e kam parë në shumë vende të tjera postkomuniste. Ndoshta është dhe ndonjë tipar i shoqërive mesdhetare që këtu nuk shihet dhe aq fort, është një element që më ka bërë përshtypje. Dhe kjo të bën të ndihesh pak e pakënaqur në këto marrëdhënie. Unë e shoh këtë në këndvështrimin e një njeriu që vjen nga jashtë. Shoh se është e orientuar si shoqëri nga materializmi e gjithë marrëdhënia që shoh. Mendoj se ka një mungesë të konsiderueshme të idealizmit në ekzistencën dhe marrëdhëniet mes tyre. Dhe ky është një element që në fakt të nxitë krijimtarinë për t’u fokusuar në këtë çështje dhe për të prodhuar diçka artistikisht.

Mund të na shpjegoni pak, meqë gjithë situata është politike, në çfarë raporti qëndron kjo me artin, sa i takon devijancës estetike?

Gjithmonë temat politike më nxisin të bëj kërkime dhe ta bëj audiencën të reflektojë më shumë mbi çështjet politike, kjo nëpërmjet temave. Duke pasur parasysh se temat politike janë gjithmonë interesante për popullin e gjerë, në mënyrë për ta sjellë afër artit, por në fakt këto shërbejnë për reflektime nëpërmjet shprehive artistike.

Nikolini tregon tre fotografitë e tij, pjesë e "my space 03". Ato tregojnë mish, mish kafshe të therur, të futur në hell dhe bërë gati për t’u pjekur. Në hell janë futur dhe dy koka kafshësh. Goja e shqyer e kafshëve, të bëra kurban për të inauguruar ngritjen e një shtëpie të re, duket sikur tregon babëzinë për zënie "space", hapësire, në Shqipërinë aktuale

Ne, “të egër” në Berlin

Në kuadër të muajit të fotografisë është hapur në Berlin ekspozita "my space 03" me punimet fotografike të 12 artistëve shqiptarë. Fotografia në Shqipëri, nuk shihet si art, dhe tregu i artit nuk e përkrah ende atë.

Nikolini nxjerr nga xhepi i pantallonave një USB për të treguar punimet e tij. Artisti nga Shkodra ndodhet në Berlin, së bashku me artistë të tjerë nga Shqipëria. Të gjithë ata janë nxënës të profesor Edi Hilës. Artistët kanë ardhur për të ndjekur hapjen në Haus am Lutzowplatz të ekspozitës "my space 03". "My space 03" ka bërë bashkë punimet fotografike të 12 artistëve nga Shqipëria dhe 4 nga Gjermania, të zgjedhura nën temën "space - hapësirë".

Nikolini tregon tre fotografitë e tij, pjesë e "my space 03". Ato tregojnë mish, mish kafshe të therur, të futur në hell dhe bërë gati për tu pjekur. Në hell janë futur dhe dy koka kafshësh. Goja e shqyer e kafshëve, të bëra kurban për të inauguruar ngritjen e një shtëpie të re, duket sikur tregon babëzinë për zënie "space", hapësire, në Shqipërinë aktuale.

Dy kuratoret e "my space 03", Julie August dhe Adelja Demetja janë i kanë zgjedhur këto fotografi. Kombinimi i tyre ka bërë të mundur projektin artistik "my space" i cili ka patur stacione në Tiranë dhe në Berlin. Nga Silva Agostini, ato kanë marrë punimin "varnish & certain the wet setting" që merret me bumin e ndërtimeve, bum që i ka dhënë fund fantazisë në favor të mundësive të banimit. Nga Ardi Mulla kanë marrë atë që tregon një të moshuar pa familje, që jeton duke mbledhur plehra. Shpëtim Kërçova ka sjellë "linja", seri fotografish të njerëzve që flenë në parqet e Tiranës dhe kthejnë hapësirën publike në private. "Hapësira pa kufi" e Heldi Pemës ka shoqëruar të gjitha njoftimet e shtypit për këtë ekspozitë në Berlin. Fotografia paraqet artistin pranë një pikture të periudhës së Rilindjes.

"my space 03" u hap nga Matthias Harder. Gjatë hapjes ai tregon librat që ka marrë me vete. Ndër to edhe një libër "guide" Shqipërie, që ai e ngre përpjetë për t`ja treguar publikut si ftesë për të shkuar në Shqipëri. Ai tashmë e ka këtë meritë, sepse e ka vizituar këtë vend, emri i të cilit i thotë shumë pak shumë gjermanëve. Dhe kur ata janë konsumues arti, aq më tepër. Skena e artit njeh këtu shqiptarin e vetëm artist, Anri Salën. Aty fillon dhe mbaron Shqipëria artistike për Berlinin.

"my space" sjell artistë të tjerë shqiptarë, të cilët nuk mund të përfaqësohen krejtësisht. I sigurt se me punimin e tij "pa titull" nuk i ka prezantuar aftësitë e tij artistike, Nikolini tregon se merret kryesisht, me video që dokumentojnë "ndërhyrje në urbanistikën shqiptare". Me një video artistike, Nikolini tregon si reagojnë qytetarët e Tiranës, kur ai u vendos në stacionet e autobusëve një hartë që tregon linjat e autobusit të qytetit. Të pa mësuar me këtë informacion, njerëzit irritohen nga vendosja e një rregulli, në kaosin e qarkullimit.

Fotografia dhe instalacionet me video, janë ende mediume të reja artistike në Shqipëri. Ato nuk përkrahen nga skena e artit. "Në Shqipëri ekziston një treg blerës për kryesisht i pikturës, pikturës së kavaletit, jo për alternativën siç është fotografia, videot. Për to nuk ka ende treg në Shqipëri. Arti shpesh tek ne shihet i lidhur më shumë me procesin bojë, penel dore, virtuozitet, teknika të tilla," thotë Valentina Koçi që prej një viti drejton Galerinë "Zeta" në Tiranë. Ajo prezantoi aty katër artistët gjermanë të projektit "my space", Beatrice Mindan me "vëzhgim i brendshëm", fotografi që tregojnë dhoma gjumi ose dhoma ndënjieje, Andreas Goxin dhe Hannes Wanderer me serinë e fotografive të lokaleve të ish dyqaneve të mbyllura në Berlin dhe Robert Karlin, me fotografitë 180 gradë. Që fotografia nuk ka arritur të mbushë potencialin që ka në Shqipëri, duket edhe nga punimet e artistëve shqiptarë. Vlerat e shumë prej fotografive të artistëve shqiptarë janë më shumë dokumentareske, sesa artistike. Pjesa më e madhe nuk kanë aparate fotografike me cilësinë që kërkohet. "Prurja e artistëve shqiptarë, mentaliteti, ajo çfarë përmban vepra është krejt tjetër. Shqiptarët sjellin një kulturë të vetën. Domethënë, prezantohesh me atë çfarë ti ke tënden, origjinale si prurje, " thotë Koçi e cila është edhe vetë piktore. Kristine Daum e cila ka bërë një film për 3 sat mbi artin në Shqipëri, mendon se: "Pas 20 vjet postkomunizmi duket sikur ky vend po i kthehet izolimit, në vend që të dalë prej tij. Artistët e kanë jashtë vendit më lehtë se brenda vendit".

Nikolini tregon edhe një video tjetër të tij. Në të ai sheh se si ndryshon me një ndërhyrje të vogël mënyra e sjelljes së njerëzve. Një trotuar në Tiranë, është i mbushur me makina të parkuara. Njerëzit kalojnë në rrugën e makinave. Nikolin Bujari vendos një tabelë për ndalimin e parkimit, dhe xhiron efektin. Ngadalë trotuari zbrazet nga makinat dhe kthehet sërish në vend ku kalojnë këmbësorët.

Artistët në Shqipëri janë shumë të prekur nga problemet sociale, ndaj edhe në vepra sundohen prej tyre. Valentina Koçi, mendon se në Shqipëri mungojnë strukturat që ndihmojnë artistët. Firmat e mëdha që përkrahin artin, janë më shumë të interesuara për aktivitete të mëdha, festivale ose show, dhe lënë pas dore përkrahjet e vogla edhe për llojet e tjera të artit.

Aida Cama

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›