E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eltjon Valle ; Marinza, arti me naftën

Përqendrimi i vëmendjes tek ekspresiviteti primar i materialeve, jo i atyre tradicionale të pikturës dhe skulpturës, por i atyre të rëndësisë thelbësore të dimensionit urban e natyral, është padyshim një nga kontributet më të rëndësishëm që ka dhënë arti procesual dhe ambiental i viteve ‘60-‘70. Këto lloj përvojash të karakterizuara nga instalacionet dhe ndërhyrjet që përfshijnë deri edhe drejtpërsëdrejti realitetin e jashtëm, janë rimarrë në mënyrë origjinale nga artistë të ndryshëm ndërkombëtarë të brezave më të rinj dhe janë zhvilluar nga ata me një vetëdije shumë më të lartë rreth implikimeve shoqërore, politike dhe ekologjike në nivelin e një impakti global.

Edhe Eltjon Valle ka vendosur të shkojë në këtë drejtim, duke u angazhuar në një kërkim kompleks të përpunuar në mënyra të ndryshme veprimi (që kalojnë nga instalacioni tek video, nga fotografia tek piktura e vizatimi) mbi një lëndë të parë të një rëndësie të skajshme siç është nafta. Burim energjie në themel të zhvillimit ekonomik i të gjithë vendeve të botës, por që është për fat të keq edhe shkak i tensioneve të rënda dhe luftërave të tmerrshme, ari i zi ka një vlerë strategjike absolute, dhe si i tillë përfaqëson edhe nga pikëvështrimi simbolik një element të ngarkuar me domethënie që mbarsin imagjinatën kolektive.

Duke futur në lojë në një projekt artistik naftën, dhe bashkë me të edhe gjithë çka ajo simbolizon, është një sfidë jo e vogël.

Eltjon Valle e ka bërë duke ia dalë të transformojë me efikasitet të lartë, një eksplorim në terren (e pikërisht mbi një zonë të veçantë të fushave naftëmbajtëse në Shqipëri) në një ndërmarrje të mbushur me energji estetike origjinale, që duke filluar nga problematikat e një situate të kufizuar reale, i jep jetë një vizioni të shumëfishtë në nivele të ndryshëm.

Tema qendrore e punës së tij ka një natyrë të fortë ekologjike (që gjithsesi nxit reflektime dhe sugjerime përtej kësaj). Kompania kanadeze “Bankers Petroleum Ltd”, që ka marrë nga kompania shtetërore shqiptare “Albpetroleum” konvencionin e zonës naftëmbajtëse të Patosit, Marinzë, prej tridhjetedy kilometrash katrorë me qindra puse në të, e ka ngarkuar artistin të studiojë dhe përpunojë një ndërhyrje që ndihmon, në nivel imazhesh dhe ndjeshmërish kulturore, të nisë një proces bonifikimi të një territori të dëmtuar rëndë për shkak të praktikave të prapambetura teknologjike.

Projekti i Valles parashikon realizimin e ndërhyrjeve “site specific” mbi një sërë pusesh, me qëllim transformimin e kushtit paraprak të shkatërrimit të natyrës në një sinjal të fortë estetik që shpreh vullnetin për kthimin në të kundërt të kësaj tendence për sa i takon së ardhmes.

Ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë është një shumësi dokumentesh nga kjo punë në zhvillim, por jo në kuptimin banal të përshkrimit. Faktet informuese, hartat topografike, imazhet fotografike dhe video si dhe vetë nafta, bëhen materiale për një seri punësh që së bashku formojnë një instalacion ambiental me elemente të ndërlidhur ngushtësisht.

Në qendër të sallës së madhe janë vendosur në kuba të zinj, dy copa tokë, secila nga një metër katror, me trashësi rreth njëzet centimetra dhe të përziera me naftë. Për publikun është i fortë impakti ndjesor, jo vetëm pamor, sepse aroma e fortë e naftës përhapet në gjithë ambientin. Kjo prezencë fizike kaq e mbarsur krijon një atmosferë të veçantë që mbush me sugjestion edhe punët e tjera.

Video që na shfaqet i jep pamje nga afër aktivitetit të puseve duke fituar një intensitet më të fortë e real sikundër fotografitë e mëdha, të pakta në numër por emblematike, tregojnë në densitetin e vet vajor, organik, lëngun e trashë që buron nga toka ose ndot kanale të vegjël uji që përshkojnë fushat.

E një analizë më të ftohtë konceptuale është seria e vizatimeve në letër kalk, ku përcaktimi sintetik topografik i puseve të numërzuar dhe i vlerësimeve të rripave të tokës dhe rrugicave, bëhet përmes një përpunimi të çliruar, një shumësi kompozimesh shumëfishe abstrakte dhe minimaliste.

Dhe në fund kemi edhe dy tablo të përmasave të mëdha, të realizuara në telajo me naftë në vend të vajit të pikturës. Rezultati është më tepër dramatik: janë sipërfaqe të errëta me trashësi bituminoze dhe çarje, prej të cilave shfaqen turbull portrete njerëzish të zverdhura. Ndoshta këto piktura unike mund të lexohen edhe si një lloj monitorimi i rreziqeve që mund të sjellë një e ardhme ekologjike katastrofike.

Projekti “Marinzë”

Zona naftëmbajtëse afër Fierit që quhet “Marinzë”, që është në zhvillim e sipër prej pesë vjetësh, ka motivuar artistin Eltjon Valle, për të instaluar projektin e tij ekspozitës. Vetë vendndodhja e projektit ka shërbyer për të ngritur instalacione-video, foto, piktura, e vizatime me naftë, skulptura etj. Në një kohë kur teknologjia, dhe art dizajn e ka shndërruar teknikën e artit dhe bumin informativ në një leverdi psikologjike për artistët, ky projekt sugjeron një lloj ndjeshmërie estetike për të mos u quajtur lojë. Kurimi i kësaj faze të ekspozitës është realizuar nga italiani Francesco Poli dhe Rubens Shima. Projekti zhvillohet me mbështetjen e Kompanisë "Bankers Petrolium Albania LTD".

Ekspozita është çelur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku enkas për këtë ekspozitë, ka ardhur edhe drejtori i Qendrës Kulturore Shtetërore për Artin Bashkëkohor, CAREOF, z. Mario Gorni, i cili do t'i dhurojë GKA-së koleksionin e video-artit dhe dokumentacionin mbi artin bashkëkohor të kësaj qendre që do të vihet në shërbim të artit dhe artistëve shqiptarë. “Ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë është një shumësi dokumentesh nga kjo punë në zhvillim, por jo në kuptimin banal të përshkrimit. Faktet informuese, hartat topografike, imazhet fotografike dhe video si dhe vetë nafta, bëhen materiale për një seri punësh, që së bashku formojnë një instalacion ambiental me elemente të ndërlidhur ngushtësisht.

Në qendër të sallës së madhe janë vendosur në kuba të zinj, dy copa tokë, secila nga një metër katror, me trashësi rreth njëzet centimetra dhe të përziera me naftë. Për publikun është i fortë impakti ndjesor, jo vetëm pamor, sepse aroma e fortë e naftës përhapet në gjithë ambientin. Kjo prezencë fizike kaq e mbarsur krijon një atmosferë të veçantë, që mbush me sugjestion edhe punët e tjera”, - shkruan kuratori i ekspozitës

Edicioni XV i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”

“Onufri 2008”

Kuratori blihet në Itali

Këtë vit, për herë të parë në organizmin e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri”, kurator do të jetë një italian. Kjo është bërë e ditur dje nga këshilli organizativ i ekspozitës, që ka vendosur ta çelë edicionin XV më 18 dhjetor, në Tiranë, ku do të qëndrojë e hapur për gjashtë javë, deri më 29 janar 2009. Drejtimin kuratorial të edicionit XV të “Onufri”-t, Këshilli Organizativ vendosi t’ia besojë italianit Riçardo Caldura, i cili njihet si një personalitet i njohur artistik në Itali. Caldura, gjithashtu, ka një njohje të konsiderueshme të skenës artistike shqiptare, sepse e ka vizituar disa herë Shqipërinë. Ai mban postin e Docentit për Fenomenologjinë e Arteve Bashkëkohore në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias dhe është drejtor i Galerisë Bashkiake “Galleria Contemporanea”, të Venecias. Në qershor të 2007-s, ai ka organizuar një ekspozitë të artit bashkëkohor shqiptar në galerinë që drejton. Për më tepër informacion mbi veprimtarinë e Z. Caldura, shihni CV-në e bashkëngjitur me këtë njoftim.

“Ftesa që i është bërë Z. Caldura për kurimin e këtij evenimenti, përbën edhe risinë më të madhe të kësaj ngjarjeje artistike, pasi është hera e parë në historinë e këtij aktiviteti që zgjidhet një kurator i huaj për “Onufrin””, - thanë organizatorët. Çmimi “Onufri” do të gjykohet nga një juri ndërkombëtare.

Kuratori Riçardo Caldura është diplomuar në fakultetin e filozofisë dhe letrave në Venecia. Në vitin 1983 fillon të punojë në departamentin e historisë në fakultetin e arkitekturës, në 1984 publikohet botimi i tij i parë që titullohet “Në një vend transparent” (faqe mbi klasiko-romantiken). Që prej asaj kohe angazhohet në filozofinë e artit, estetike dhe artin kontemporan. Nga viti 1988 deri 1994 jeton, punon e studion në Salzburg, Vjenë dhe Monako. Me rihapjen e Muzeut Revoltella në Trieste, organizon seksionin internacional të artit kontemporan në ekspozitën “Aktualiteti i Neoklsicizmit“ (Marsejë 1990). Që nga 1989 dhe 1992 bashkëpunon me Peter Waterhouse dhe Maria Fehringer. Kuron publikimet e para në gjermanisht të veprës së Biagio Marin si në revistë, ashtu edhe në volumin e Rowohlt, Urs Engelerl.

Në vitet e fundit ka bashkëpunuar si konsulent dhe kurator me Bashkinë e Venecias, duke organizuar eventet në vazhdim: “Një botë e holwe”, - arti italian në vitet ‘90, “Alberto Viani”, “Tokë e palëvizshme“ dhe seksionin e ekspozitës “Dhurata-The gift” në qendrën “Candiani” në Mestre.

Që prej 2002 deri 2005 ka organizuar gjithmonë në bashkëpunim me administratën veneciane projekte ndërmjet artit kontemporan, territorit dhe shoqërisë civile: Urbanlab-Laboratori urban për artin kontemporan (cikël konferencash); “Rezerva artificiale“ (Bienale e arteve vizive 2003 në Marsejë, Venecia); “Kreativiteti për të bërë qytetin” (projekte artistike mbi territorin). Publikimi që përmbledh këtë të fundit doli në qershor 2005. Në fushën specifike të tematikës së dritës në relacion me artin bëhet prezantimi në gjuhën italiane i veprës së Hans Sedlmayr “Drita në manifestimet e tij artistike”, si dhe ekspozitën “Natyra e dritës” e realizuar në galerinë “Contemporaneo di Mestre”, në 1999. Riçardo Caldura është docent në Fenomenologjinë e arteve kontemporane në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›