Bozdo: Shqipëri- Itali, intensifikohen marrëdhëniet ekonomike
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo, gjatë një takimi që pati dje me një grup investitorësh italianë, kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me qëllim rritjen e investimeve në sektorin teknologjik dhe energjetik. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që arriti t’i shpëtonte recesionit ekonomik, u shpreh z. Bozdo, dhe për këtë është reformuar kuadri ligjor, kuadri rregullator dhe kuadri fiskal. Sipas tij, sipërmarrësit italianë mund të regjistrojnë në Shqipëri një kompani biznesi me të njëjtat procedura siç edhe e regjistrojnë në Itali, por me dallimin e vetëm që në Shqipëri mund ta regjistrojnë brenda një ore të vetme. Ai sqaroi se lejet dhe licencat e nevojshme për këtë lloj aktiviteti mund të merren në maksimalisht për 3 javë pune të administratës vendore dhe me ndihmën e një agjencie të specializuar asistohet në çdo hap të investimit. “Veçanërisht, në investimet për energjinë elektrike ne kemi një ‘One Stop Shop’ të dedikuar për të gjithë investitorët që duan të investojnë në këtë sektor”, përfundoi fjalën e tij zv/ministri Bozdo. Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Shqiptare në Piemonte, Giovanni Firera, vlerësoi nga ana e tij organizimin e takimit dhe u shpreh se është koha që sipërmarrësit italianë ta shikojnë Shqipërinë si një pikë për investime të sigurta dhe për investime biznesi në nivel ndërkombëtar.