Dërgesat e emigrantëve, 73 % shpenzohen për ushqime
Dërgesat e emigrantëve shqiptarë në të holla pranë familjeve të tyre, janë jetike për qytetarët. Kjo, pasi janë 73,8 % e këtyre dërgesave që shpenzohen për ushqim. Ky konkluzion vjen nga studimi i bërë nga instituti Agenda për ‘Efektet e Rënies së Remitancave në Shqipëri”. Studimi mbulon periudhën e 5 viteve të fundit dhe analiza e të dhënave të vrojtimit është bërë në muajt mars- prill 2011. Fakti që pjesa më e madhe e të ardhurave nga emigrantët tanë që punojnë në vendet e Europës Perëndimore dhe Amerikë shkojnë për përdorim bazik, ushqimin, ky është një fakt shqetësues për drejtuesit e studimit e në këtë mënyrë, sipas tyre, lind nevoja e politikave për ta përballuar rënien e remitancave në 5 vitet e fundit e sidomos rënien drastike në vitin e fundit. Duke iu referuar studimit, emigrantët që gjenden kryesisht në zonën e Bashkimit Europian, janë dërguesit kryesorë të remitancave me 90, 7% të tyre. Në masën më të madhe, origjina e remitancave janë vendet fqinje, Greqi (41, 9%) dhe Italia (38,6%). Ndërsa nga SHBA vijnë 8,1% të remitancave. Duke iu referuar këtyre të dhënave, rezulton se mesatarisht çdo muaj familjet marrin 70 dollarë deri në 115 euro. Studimi tregon se remitancat kanë rënë 5 vitet e fundit, por rënia më e madhe e tyre ka ndodhur vitin e fundit. 53,8% e familjeve kanë marrë më pak remitanca në 5 vitet e fundit dhe 57,6% e familjeve përfituese marrin më pak se një vit më parë. Sipas studimit të ‘Agendas’, pavarësisht nëse pritësit e dërgesave të emigrantëve janë ose jo të punësuar, 73,8 % e tyre, këto dërgesa i shpenzojnë për ushqim dhe vetëm 11 % për shërbime shëndetësore, sidomos kur këto duhet të jenë të specializuara. Si rrjedhojë e krizës globale ekonomiko-financiare, papunësia është rritur në masë në vendet fqinje, ku emigrantët punojnë e si rrjedhojë edhe dërgesat e tyre familjarëve. Në këtë mënyrë, studimi tregon se 60% e familjeve përfituese, që kanë të ardhura mujore deri në 30 000 lekë, e kanë dërgesën jetike ose shumë të rëndësishme dhe këto familje përbëjnë 51 % të rasteve të studiuara. Si rrjedhojë, studimi konkludon se 60,8% e familjeve përfituese kanë ulur shumë konsumin. Studiuesit e këtij fenomeni, pas konkluzioneve të arritura kanë nxjerrë disa rekomandime për përmirësimin e jetesës së qytetarëve, të cilët nuk përfitojnë më dërgesa nga të afërmit e tyre emigrantë si më parë. Rekomandimet që vijnë nga “Agenda” janë në tre drejtime në sektorin makro, mikro dhe bankar të ekonomisë, duke qenë se remitancat janë një burim i rëndësishëm i ekonomisë së vendit në lidhje me valutën. Në nivelin makro, studimi dikton hartimin e politikave nxitëse dhe implementimin e tyre, me qëllim që të ndikojnë në rritjen e investimeve të huaja direkte, si dhe rritjen e eksporteve, për të mbajtur të qëndrueshëm ekonominë e vendit. Gjithashtu, studimi rekomandon rritjen e politikave të punësimit dhe përpjekjet për të lehtësuar mbajtjen e kursimeve të popullsisë nëpër banka dhe të çelen trajnime për familjet që duan të hapin biznese të vogla.