Bozhinovski: “Do të jemi të hapur me shqiptarët”

Nga Shkupi, Reshat IBRAHIMI
Shkup- Gjyqtari ndërkombëtar i futbollit, Emill Bozhinovski pas ngjarjeve të fundit që dridhen Federatën e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur që pas 25 viteve të përshëndetet me gjykimin e ndeshjeve të futbollit dhe t'i bashkohet Këshillit Iniciativë, (i cili pritet të kompletohet brenda këtyre dy-tre ditëve) për ndërrimin e dy drejtuesve të Federatës së Futbollit, kryetarin Hari Haxhi Risteski dhe sekretarin Lazar Mitrovski.
Ndryshe, Bozhinovski ka njoftuar organizatën e referëve pranë FFM-së për tërheqje nga referimi aktiv, ndërsa me anë të një letre, ai ka njoftuar edhe këshillin e referëve të UEFA-s dhe FIFA-s për vendimin e tij.
Mendoni se Risteski dhe Mitrovski e kanë humbur kredibilitetin për ta udhëhequr edhe më tutje FFM?
Bozhinovski: Patjetër duhet të shkojnë. S'kanë cka të presin më. E kanë humbur kredibilitetin pas të gjitha këtyre falsifikimeve, të cilat edhe u argumentuan në vepër. Të mërkurën ose të enjten mediat do të njoftohen se kur do ta mbajmë konferencën për shtyp, e cila ka të bëjë me ndryshimet në FFM.
A janë të përfshirë edhe përfaqësuesit shqiptarë në listën e shkarkimit?
Bozhinovski: Jo, ne nuk jemi për t'i ndërruar të gjithë. Do të jemi të hapur me shqiptarët. Por, ata që e mbështesin kryetarin dhe sekretarin do të shkojnë, ndërsa kush është për ndryshime do të qëndrojë. Do të bisedojmë me anëtarët e KD të FFM-së, që janë shqiptarë dhe do të shohim nëse na përkrahin ose jo. Nëse përfaqësuesit shqiptarë e mbrojnë Risteskin dhe Mitrovskin, atëherë edhe për ata s'ka vend. Do të gjejmë njerëz të rinj nga shqiptarët.
Nëse fitoni, shqiptarët do ta kenë vendin e merituar në FFM?
Bozhinovski: Shqiptarët do të jenë në FFM. Do t'i kenë po ato vende që i kanë edhe tani, ndoshta edhe më shumë. Pozita e nënkryetarit dhe tre anëtarëve në KD do të jetë e tyre. Për këto gjëra do të bisedohet pasi të përfundojnë me sukses iniciativën e nisur për shkarkimin e dy drejtuesve kryesor të FFM-së, Risteski dhe Mitroski.
Keni përkrahjen e Lidhjeve Futbollistike Komunale për të bërë ndryshime të reja?
Bozhinovski: Sa jam i informuar për Kuvendin e jashtëzakonshëm kanë dhënë pëlqimin 8 lidhje futbollistike komunale, që është e mjaftueshme për ta thirrur kuvendin. Ndërsa nga 110 delegat (nuk jam i sigurt, mund të ketë më tepër) të Kuvendit të FFM-së, presim që gjysma e tyre të japin votën e tyre për ndryshime në FFM. Edhe njëherë po e them pas skandaleve me diplomën e falsifikuar dhe punëve tjera kriminale të Lazar Mitrovskit, ata më nuk e meritojnë të drejtojnë federatën e futbollit.