E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli, aventura një shqiptari në tokën e Vikingëve

Nga Altin B. Kodra- Është 27 vjec, 1.82 m. i gjatë dhe peshon 82 kg dhe ka që nga marsi i 2006-s që ka shkuar ta kërkojë fatin e tij në futbollin norvegjez. Dhe, në fakt, duhet theksuar se, për vetë natyrën e këtij futbolli, Migen Memelli ka bërë një paraqitje dinjitoze me skuadrën e Bran Bergenit, pasi në 29 ndeshje që ka luajtur deri më tani në të gjitha veprimtaritë, ka shënuar 9 gola. Por, si është jeta për një futbollist shqiptar në Norvegji, cilat janë sfidat që të paraqiten dhe si po i përballon Migeni ato? Për këto e shumë pyetje të tjera, Albania-Sport.com bisedoi ekskluzivisht me Memellin, i cili u tregua mjaft i hapur dhe i sinqertë në përgjigjet e tij.
Është kthyer menjëherë në stërvitje nga grumullimi me Kombëtaren në Antalia të Turqisë dhe rruga e ka lodhur mjaft. "Të them të drejtën, sot isha i lodhur në stërvitje, - rrëfen Migeni në bisedën e zhvilluar nëpërmjet Internetit, të cilin ai, për hir të së vërtetës, duhet theksuar se e ka shumë për zemër, pasi është mjeti që e lidh më tepër dhe e sjell më pranë njerëzve të tij në Shqipëri. - Futbolli norvegjez është një futboll shumë fizik dhe seancat stërvitore janë të shpeshta dhe të lodhshme. Për shembull, sot kemi 3 seanca stërvitore."
Migeni banon një një shtëpi me qira në Bergen, që ia ka gjetur klubi, por që ai e paguan vetë. "Është një shtëpi normale, me dhomë gjumi, kuzhinë, aneks, banjë... me të gjitha gjërat që më duhen, - tregon sulmuesi më tej, duke folur për Albania-Sport.com. - Në bazë të marrëveshjes që kam bërë me klubin, qiranë e paguaj unë, por ajo përfshihet gjithsesi në kontratë." Në fakt, dita e Migenit ndahet midis stërvitjes, miqve që ka dhe me të cilët bisedon nëpërmjet Internetit dhe një shëtitjeje të vogël në darkë, që duhet t'i ketë mbetur zakon nga Korca.
"Kohën më të madhe natyrisht që ma merr stërvitja, por unë kam shumë miq, me të cilët bisedoj dhe komunikoj nëpërmjet Internetit, ndërsa në darkë bëj një shëtitje të vogël, që më ndihmon të qetësohem nga të gjitha streset, - vijon më tej ish-sulmuesi i Elbasanit, Teutës dhe Skënderbeut. - Në fakt, këtu në Bergen kam edhe dy miq shumë të mirë, me të cilët ia kaloj mirë, natyrisht, sa herë që më jepet mundësia, kur shkëputem nga futbolli." Tashmë 27-vjecar, Memelli është ende beqar dhe, i pyetur nga Albania-Sport.com nëse e ka tërhequr ndonjë femër vendase, ai e vë theksin te diferenca e mentalitetit të femrave midis dy vendeve.
"Këtu ka femra të bukura, por ne shqiptarët jemi krejt të ndryshëm në mendim nga norvegjezët, - pohon me sinqeritet Migeni. - Femrat këtu e shikojnë jetën në këndvështrimin e dëfrimit, qejfit dhe nuk dinë të ndalen. Gjithsesi, unë jam njeri prej mishi e gjaku dhe, sa herë që më jepet mundësia, unë dal në ndonjë "pub" apo diskotekë, por mos harro se kjo ndodh vetëm një apo dy herë në muaj, sepse futbolli këtu ka një pamje tjetër dhe ne futbollistët jemi nën vëzhgimin e gazetarëve, kudo që shkojmë, në qytet apo nëpër lokale të ndryshme."
Në fakt, përsa i përket "jetës së natës", Migeni na rrëfen një rast që i ka mbetur në mendje. "Nuk e harroj kurrë një ditë, kur trajneri më tha: "Ku ishe mbrëmë?" dhe unë iu përgjigja se kisha qenë në disko, - kujton Memelli. - Dhe ai (trajneri) më tha se, këtu në Bergen, futbollistët bëjnë një jetë dhe, po qe se do të vazhdosh të dalësh shpesh në disko, karriera jote do të përfundojë brenda dy-tre muajsh. Unë mbeta pa përgjigje, ndërsa ai vazhdoi: "Jeta jote është e jotja dhe, si e tillë, ti mund të bësh c'të duash me të. Por mos harro se unë i marr vesh të gjitha.""
"Me pak fjalë, - shton Migeni, - ajo që ai po më thonte ishte se gazetarët e merrnin trajnerin në telefon për cdo futbollist, të cilin e shikojnë nëpër disko dy apo tri ditë përpara ndeshjes."Të qenit vetëm e ka mësuar Memellin të kujdeset për veten, në cdo aspekt dhe përsa i përket të ngrënit apo ushqimit, ai rrëfen nj detaj interesant. "Herë ha në shtëpi dhe herë jashtë, - thotë ai. - Por kjo nuk më bën shumë përshtypje, sepse të ngrënit unë e kam vetë merak dhe kam patur edhe fatin që, përsa i përket gatimit dhe ushqimit, të mësoj pak nga mamaja, e cila ishte një kuzhiniere e zonja."
Në fakt, Norvegjia nuk është në listën e atyre që mund të quhen "vendi i ëndërrave", për vetë vendndodhjen dhe klimën e saj, por kjo nuk i ka bërë edhe aq përshtypje Migenit. "Përsa i përket të ftohtit, nuk më bën edhe aq përshtypje, sepse unë vij nga vendi i të ftohtit vetë (Korca), - thotë ai, duke buzëqeshur. – E vetmja gjë që është me të vërtetë e bezdisshme, është se dielli këtu del një herë në dy muaj gjatë dimrit." Një tjetër aspekt është gjuha të cilën Migeni thotë se e ka mësuar, por jo aq sa të jetë në gjendje të flasë. "Për të folur, flas anglisht, por, për të kuptuar, i marr vesh të gjitha në norvegjisht."
Të qenit larg Shqipërisë e ka bërë Memellin të mbështetet te teknologjia e Internetit, për t'u informuar për futbollin shqiptar. "E ndjek futbollin shqiptar cdo ditë dhe cdo javë, nëpërmjet internetit dhe faqeve sportive shqiptare, sic është faqja juaj, Albania-Sport.com, ose nëpërmjet emisionit të (Ahmet) Shqarrit në Radion +2 në Internet, - pohon sulmuesi shtatlartë. - Natyrisht që, në futbollin shqiptar, bëj tifozllëk për Skënderbeun, të cilin shpresoj ta shoh sa më shpejt në Kategorinë Superiore, aty ku edhe meriton të jetë."
Pavarsisht nga kjo, Memelli thekson se ai e ndjen veten në kulmin e karrierës së tij dhe dëshiron që, në vitet në vazhdim të luajë jashtë Shqipërisë. "Në sport, kurrë nuk mund të thuash "kurrë", sepse nuk i dihet, por unë kam dëshirë të luaj për një periudhë të gjatë jashtë shtetit, të paktën për pesë apo gjashtë vjet të tjera. Tani, do të më falni, sepse jam shumë i lodhur dhe, sinqerisht, më duhet të shkoj në shtrat që të jem sa më i freskët për nesër". Dhe, Memelli e mbyll këtu bisedën me Albania-Sport.com, e cila i uron suksese në karrierën e tij, me shpresën se do ta ketë prapë mik në faqe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›