Muriqi kërkon të hyjë në histori

Elvir Muriqi ka shfaqur edhe një herë krenarinë e tij të të qenit shqiptar dhe e ka bërë këtë në një konferencë për mediat amerikane të zhvilluar nga "Star Boxing" në kuadër të promovimit të përballjes së 9 qershorit kur do të boksojë kundër amerikanit Antonio Tarver për titullin e kampionit të botës në versionin IBO për peshën gjysmë të rëndë. "Kosova Kid" e ka konsideruar ndeshjen kundër njërit prej superyjeve të ringut amerikan një nder jo vetëm për të por edhe për popullin e tij.
"Unë jetoj në Shtetet e Bashkuara por jam shqiptar. Jam rritur në Kosovë dhe kam ardhur këtu kur kam pasur 17 vjet. Kjo ndeshje do të më vendos në hartë dhe do të fusë në histori jo vetëm mua por të gjithë shqiptarët në botë. Është një nder që të jem në një pozitë të këtillë kur do të luftoj kundër më të merit të kësaj kategorie", ka thënë Muriqi.
Shqiptari 28-vjecar ka treguar edhe një herë falenderim për të gjithë ata që kanë mundësuar zhvillimin e kësaj përballje pa harruar që tregojë qartë edhe një herë synimin e tij, e që është të futet në mesin e superyjeve të këtij sporti.
"Kam pritur gjithë jetën një mundësi dhe një moment të tillë dhe një luftë të tillë pasi e di se kur boksoj apo edhe stërvitem me boksierë të mirë unë paraqitem. mirë. Kjo është një mundësi e madhe, pasi nuk është një luftë kundër një ish-kampioni por një njëriu që ka arritur gjithcka. Sot ka shumë kampionë në botë, por janë vetëm disa superyje dhe ai është një ndër ta. Më 9 qershor njerëzit do të fillojnë të më shikojnë edhe mua si një superyll. Për ata që më kanë dhënë këtë mundësi do të doja të falenderoj Joe DeGuardia dhe Antonio Tarver. Pas 9 qershorit do të shihni një Elvir Muriqi komplet dhe të mencur", ka shtuar "Kosova Kid".
Përballja e 9 qershorit që do të zhvillohet në "Connecticut Convention Center" të qytetit Hartford të Shteteve të Bashkuara padyshim mund të knsiderohet një nga ndeshjet më të rëndësishme të boksit profesionist shqiptar, ndërsa tifozët shqiptarë do të mund të jenë plotësisht krenar pasi Muriqi do të paraqitet në ring me flamurin dhe himnin kombëtar.