E Diel, 1 Nëntor 2026

Bozi: Për masakrën, Kuliqi më kërkoi emrat e politikanëve

04/11/2011  Të pandehurit e Cërrikut japin deklaratat e fundit, akuzojnë njëri-tjetrin

“Prokuroria më kërkoi të fusë në burg Xhepexhiun, për grabitje kamere”

TIRANE-Mbyllet faza e prezantimit të provave për procesin gjyqësor të Bandës së Cërrikut. Para togave të zeza kanë prezantuar deklaratën e tyre të pandehurit Meti Bozi, Roland Xhepexhiu dhe Arjan Toska. Ndërsa pritet që në seancën e ardhshme gjyqësore të prezantohen konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës. I pandehuri Bozi ka pohuar se ka qenë bashkëpunëtor i organit të akuzës për të futur në burg të pandehurin Arjan Toska, ndërsa ka qenë edhe në cilësinë e dëshmitarit në gjyqin kundër tij. “Prokuroria më ka pyetur për vëllezërit Buzani dhe i kam pohuar se kam qenë tek banesa e tyre dy herë. Një herë kur kam shkuar për të marrë disa tuba, dhe herën e dytë kur shkova me një shokun tim për të tërhequr makinën që ma kishin djegur. Gjithashtu dua të them se jam pyetur edhe për marrëdhëniet me Roland Xhepexhiun, me të cilin nuk kam pasur asnjëherë raport. Njoh vetëm vëllain e tij Ajet Xhepexhiun, me të cilin kam punuar. Pasi Land Xhepexhiu ka dalë nga burgu, më është kërkuar nga ana e Prokurorisë që ta fus prapë në qeli për grabitjen e një kamere filmimi”, ka deklaruar Met Bozi. Ndërsa ka akuzuar dy gardistët e marrë peng, se në dëshminë e tyre në sallën e gjyqit kanë gënjyer. I pandehuri ka shtuar se ditën që është thirrur për t’u marrë në pyetje në komisariat, ka biseduar në telefon me Agron Kuliqin. Ky i fundit sipas pretendimeve të të pandehurit e ka pyetur nëse kishte biseduar me politikanë në celular. Ndërkohë që i pandehuri tjetër i këtij procesi Roland Xhepexhiu ka rrëfyer se vëllezërit Buzani kishin marrë në dorëzim postbllokun që shkon në zonën e Belshit, duke ndalur çdo person që kalonte nga Cërriku në Belsh. Madje ata kanë qenë edhe autorët e grabitjes së lekëve të kunatës së tij. Seanca gjyqësore është caktuar më datë 15 nëntor, duke i lënë kohë organit të akuzës që të përgatitë pretencën. Dhjetë vjet më parë, pikërisht mëngjesin e 23 majit të vitit 1997, 15 punonjës të Gardës së Republikës janë nisur për në qytetin e Cërrikut ku një grup personash kishin organizuar një kryengritje të armatosur. Nga masakra e Cërrikut mbetën të vrarë 6 gardistë, si dhe u plagosën 9 punonjës policie. E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›