E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet bodrumi ku nxirrej ujë i pijshëm për t’u shitur

04/11/2011  Sekuestrohet punishtja, uji pa asnjë standard dhe kusht prodhimi, me fatura false

TIRANË- Policia e Tiranës bllokoi një pikë ku mbushej uji në bidonë 20 litërsh, pa asnjë standard dhe kusht për tregtim. Burimet zyrtare të policisë thanë se nga Sektori kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në policinë e kryeqytetit u bë e mundur sekuestrimi i një punishteje, e cila merrej me prodhimin, ambalazhimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm në bidonë 20 litrosh, pa plotësuar kushtet për prodhim dhe shitje. Ky aktivitet i paligjshëm ushtrohej në ambientet e një minipunishteje e ndodhur në rrugën “Myslym Keta” në bodrumin e një banese, e cila nuk plotësonte asnjë standard dhe kushte për prodhimin, ambalazhim dhe tregtimin e ujit të pijshëm. Më konkretisht do të ndiqet penalisht shtetasi Mirel Muzhika, 26 vjeç, administrator i këtij subjekti që tregtonte ujë të pijshëm, i cili përdorte fatura tatimore të falsifikuara. Ndërkaq, këto fatura ai ua jepte subjekteve në momentin e shitjes së ujit. Njëkohësisht, aktiviteti i tij figuron i paregjistruar dhe i padeklaruar në organet tatimore. Nga hetimet e kryera rezulton se ky aktivitet i paligjshëm, përfitohej shuma e parave prej 30.000 lekësh të rinj, në një ditë, aktivitet i cili shtrihej dhe tregohej në një sërë subjektesh apo banesa në kryeqytet. Në këtë kuadër policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e ujit të pijshëm dhe konsumim e tij pa dëmtuar shëndetin dhe jo në blerjen e ujit të palicencuar. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit të sipërcituar i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprave penale të “prodhimit dhe shitjes së ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, si dhe “fshehje e të ardhurave”, vepra penale të parashikuara nga nenet 288 dhe 180 të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›