Braçe: “Arka e shtetit është zbrazur për interesa korruptive”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka zbrazur arkën e shtetit për interesa korruptive. Sipas Braçes, në arkën e shtetit mungojnë më shumë se 500 milionë dollarë. “Përtej optimizmit, që nis në Kinë, të guvernatorit me dy shami, - njërën për vete e tjetrën për kryeministrat, - pra guvernatorit Fullani, shifrat e 9-mujorit fiskal tregojnë pikërisht këtë. Arka është bosh për shkak se paratë publike nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por rrjedhin në arkat ku materializohen interesat e familjes. Në 9 muaj në arkë mungojnë 227,4 milionë dollarë të ardhura, mungojnë 199,1 milionë USD të ardhura tatimore, mungojnë 77 milionë dollarë të ardhura nga akciza, për shkak të tyre mungojnë 48 milionë dollarë të ardhura nga TVSH-ja. Pra 40-45% të parave që mungojnë vijnë nga mosmbledhja e parave nga akciza”, - tha Braçe.
Deputeti i PS-së komentoi gjithashtu edhe situatën e krijuar në kompaninë “ARMO”. Sipas tij, në këtë situatë po fshihet një plan skandaloz për privatizimin e ri të kësaj kompanie. “Përplasja e policive të shtetit në shërbim të interesave të familjes, në dyert e ARMO-s, u pa me gëzim si lëvizje e vonuar një vit e shtetit për të mbledhur paratë e tij dhe për t’i dhënë fund kontrabandës dhe shkatërrimit të tregut të karburanteve për interesat e familjes! Por nuk është kështu! I gjithi është një teatër që po përgatit një operacion të ri kriminal, ku në bazë është gjithnjë privatizimi skandaloz i ARMO-s! Dje, ministri i Ekonomisë deklaroi se kompania paska trashëguar borxhe të mëdha dhe kjo sepse kompania është shitur gabim - gabim i materializuar në kontratë - me gjithë borxhe! Ai tha se ekspertët e Ministrisë po analizonin kontratën duke lënë të kuptuar një revizionim të saj në këtë drejtim! Pra familja e shtuar dhe me këta të rinjtë po përpiqet t’ia falë detyrimet kompanisë së interesave të saj!
Është evidente, ARMO ka borxhe të mëdha në Tatime, në Dogana dhe ndaj kompanive të treta që e kanë furnizuar me naftë. PSSH i bën thirrje Prokurorisë të merret me të tani! Në kohë! Në detaje dhe deri në fund, për të ndëshkuar një herë të vetme korrupsionin e familjes në këtë vend”, - përfundoi deputeti i PS-së, Erion Braçe.
30 Tetor 2009