E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodiana Shala, "lamtumirë" Lojërave Olimpike

 

Atletja ka konkurruar në 400 metra dhe me kohën 54"84 nuk ka shkuar më tej sesa turi eliminator

Klodiana Shala u ka dhënë dje "lamtumirën" e fundit Lojërave Olimpike të paktën si sportiste. Me konkurrimin e fundit të saj në një olimpiadë në disiplinën e 400 metrave, atletja nuk ka mundur të realizojë ëndrrën e saj në përfaqësimin olimpik, kalimin e turit të parë eliminator. Është përpjekur ta realizojë dje në pistën e stadiumit olimpik "Foleja e zogut" në Pekin, në garën e 400 metrave ku ajo mori pjesë mes 50 konkurrenteve nga e gjithë bota. Konkurrimi i saj në disiplinën e 400 metrave ka nisur në orën 12.45, me orën e Pekinit (ora 6.45 me orën tonë). Ajo ka konkurruar në baterinë e 6 të dhe në 200 metrat e para dukej se do të arrinte një rezultat pozitiv, ose më të mirin e dy viteve të fundit. Por në fund ajo e ka prekur finishin në vendin e 7-të, mes 8 konkurrenteve në bateri, duke lënë pas përfaqësuesen e Mongolisë në baterinë e saj. Ajo dha në garë rezultatin 54"84. Me këtë rezultat Klodiana Shala u rendit e 7 ta në baterinë e saj mes 8 konkurrenteve dhe e 46 ta në klasifikimin e përgjithshëm, mes 50 konkurrenteve që kanë marrë pjesë në garën e 400 metrave. Theksojmë që rezultati i saj më i mirë në 400 metra është shënuar në Kampionatin Europian 2006, që u zhvillua në Goteborg të Suedisë.Me kohën 52"86 Klodiana Shala arriti të shkonte deri në gjysmëfinalet e atij kampionati, një sukses që nuk është arritur nga asnjë atlet shqiptar. Këtë rezultat Klodiana ka pretenduar dhe në konkurrimin e saj në Lojërat Olimpike, rezultat që pa dyshim do ta kishte çuar deri në çerekfinalet e 400 metrave për femra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›