Negociatat për krizën, fije që lidhen vetëm nga ambasadorët
Në kohën kur kanë kaluar 13 ditë nga greva e urisë së 22 deputetëve dhe rreth 180 simpatizantët e PS-së, i vetmi opsion i shtruar në tavolinë është shqyrtimi i materialeve zgjedhore. Kërkesa e kryetarit të PS-së për hapjen e pjesshme të kutive të votimit nuk është pranuar nga maxhoranca. Në momentin kur tensionet kanë arritur pikun dhe protestat e opozitës janë përshkallëzuar në të gjithë vendin, të vetmet kanale komunikimi mes palëve janë ambasadorët e huaj. Jo më larg se dy ditë më parë, në ceremoninë për Ditën e Europës, kryetari i PS-së dhe presidenti Topi qëndruan me ambasadorin amerikan, veçmas njëri-tjetrit, për të paktën 25 minuta.
Kushte pa debat
Partia Socialiste bëri të qarta gjashtë kushtet e saj përmes daljes më të fundit të grupit organizator të grevës. Pika thelbësore është transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, me parakushtin e thënë prej kohësh: njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Maxhoranca iu rikthye paketës së saj të mëparshme për hetimin e zgjedhjeve, duke shtuar tek-tuk ndonjë detaj. Demokratët flasin për një draft të përgatitur prej tyre, i cili përmban 4 pika, për zgjidhjen e krizës politike. Ndërkohë që tri pikat e para janë të njohura, pasi bëjnë fjalë për ngritjen e komisionit hetimor, krijimin e një grupi prej 100 prokurorësh dhe hetimin e çdo dyshimi për manipulim, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit nga ky grup prokurorësh; pika e katërt e propozuar nga PD-ja parashikon që për çdo mosmarrëveshje palët t’i drejtohen gjykatës. Kjo pikë nuk është propozuar më parë nga PD-ja dhe, sipas burimeve, bëhet fjalë edhe për një mosmarrëveshje të vogël gjatë hetimit të zgjedhjeve, ku mund të përfshihet votimi me karta identiteti false, për mospërputhje të rezultatit të vërtetë me atë që përmban procesverbali dhe me rinumërimin e votave të një qendre votimi. Kjo pikë, sipas burimeve, nuk synon gjë tjetër veçse transferimin e krizës politike në dyert e gjykatave dhe sfumimin e gjithë aksionit politik të ndërmarrë prej disa muajsh nga Partia Socialiste. Burimet bëjnë të ditur se në zyrën e Presidentit po shtjellohet ideja për hapjen vetëm të materialeve zgjedhore, propozim ky që nuk e ka kënaqur Partinë Socialiste. PS-ja ka shkuar më tej duke kërkuar një hapje të pjesshme të kutive të votimit, deri në momentin kur nuk preket tërësia e rezultateve të zgjedhjeve.
Negociata që s’duken
Që prej nisjes së grevës së urisë dhe deri ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë nismë konkrete për uljen në tavolinë të maxhorancës dhe opozitës. Megjithëse janë përfolur për kushte dhe propozime, ende nuk ka shenja për shkrirjen e akujve. Edhe lajmi për rifutjen në rolin e negociatorit të presidentit Topi nuk ka të dhëna konkrete pas deklaratës së vetë kreut të shtetit, i cili bëri të qartë se është gati për të thirrur një tryezë me propozime dhe me rezultate konkrete. Të vetmet fije që tashmë gjallojnë janë ambasadorët. Takimet zyrtare kokë më kokë të kryediplomatëve të Uashingtonit dhe Brukselit në Tiranë me presidentin Topi, kryetarin e PS-së Rama dhe kryeministrin Berisha, flasin qartë se kushtet dhe idetë qarkullojnë fillimisht nëpër selitë diplomatike dhe më pas në selitë e dy partive kryesore.
Tashmë, koha për arritjen e një zgjidhjeje është e limituar për shkak të pamundësisë së zgjatjes së grevës së urisë. Presioni ndaj dy udhëheqësve kryesorë, Berisha dhe Rama, është më i madh në kërkim të një kompromisi, për aq kohë sa radikalizmi i mëtejshëm i mosbindjes civile nuk do të jetë fundi krizës politike në vend.
14 Maj 2010