E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha po kërkon të deformojë rezultatin

Partia Socialiste deklaroi dje se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka shkelur Kushtetutën, jo vetëm për afatet e procesit zgjedhor, por edhe për shkak të bindjes së tij për të deformuar rezultatin. "Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe shtatë ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëjë të pranueshëm", tha Braçe. Më tej ai citoi Kushtetutën e Shqipërisë, respektivisht nenin 45 të saj, ku thuhet se çdo shtetas që ka mbushur 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. "Çdo votë e panumëruar, çdo votë e vjedhur, cenon këtë parim kushtetues duke e bërë tërësisht të papranueshëm procesin zgjedhor", u shpreh Braçe. Referuar Qarkut të Beratit, Braçe vuri në dukje se qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste mandatin e pestë, që, sipas tij, po vidhet nga Sali Berisha. Duke e vlerësuar si të tillë, Braçe vuri në dukje se është kërkuar rivlerësimi i votave të pavlefshme në KZAZ 1, 2 dhe 3 të Qarkut të Beratit. Referuar qeverisë Berisha-Meta, Braçe u shpreh se krijesa virtuale e 48 orëve të fundit është instrumenti i paligjshëm dhe i dhunshëm, që kërkon të dekurajojë numërimin dhe transparencën e çdo vote. "Sali Berisha dhe Ilir Meta, siç e ka vërejtur çdo shqiptar në këto 48 orë, kanë shumë të përbashkëta, por këtë herë i bashkoi interesi jetik për t‘i mohuar çdo shqiptari votues në Tiranë, Berat, Fier, Shkodër, leximin e transparencës të çdo vote të lirë që e ka bërë Partinë Socialiste forcë të parë politike në vend", tha ai. Më tej, Braçe vlerësoi se pa numërimin e çdo vote, nuk ka standarde dhe pa standarde nuk ka mandate. Braçe iu referua sërish Kushtetutës, duke deklaruar se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës zgjedhor. Ndaj ai vlerësoi se pa mandatet në Fier, Tiranë dhe Berat, nuk ka qeveri as virtuale, as të trafikuar, as hibride e as legjitime. "Këtu nuk kam parasysh vetëm dy mandatet e dy deputetëve, që si fat fundor kanë mbetjen në burg", tha ai. Braçe shtoi se "ne jemi këtu për të siguruar çdo shqiptar votues, se me çdo çmim, do të lexojmë dhe do të bëjmë transparente çdo votë, pavarësisht se kush do të jetë përballë, Sali Berisha, Ilir Meta, apo mbi 400 kriminelët e liruar nga burgu për zgjedhjet, si bashkëpunëtorët e tyre jetikë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›