E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në ekonomi rigjallërohen

Huamarrja e kompanive për blerje teknologjie në Shqipëri u rrit me ritme të kënaqshme gjatë muajve prill dhe maj, pas një periudhe gjashtëmujore atrofizimi nga kriza botërore. Kredidhënia për makineri e pajisje për pesë muajt e parë të këtij viti ishte rreth 90 milionë euro, vetëm 1 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2008, bëhet e ditur nga statistikat e Shoqatës së Bankave. Gjatë periudhës janar-mars, ishte 40 për qind më e ulët sesa në tremujorin e parë 2008, por situata duket se u përmbys në dy muajt pasardhës. Kreditimi i biznesit për makineri e pajisje është një tregues i rëndësishëm për prirjet e ekonomisë, pasi përcakton se si mund të jetë ecuria e prodhimit në muajt në vazhdim.

Shkaqet e rritjes së investimeve në teknologji lidhen nga njëra anë me dëshirën e kompanive për t‘u përshtatur me kushtet e krizës përmes përditësimit të pajisjeve e rritjes së eficencës dhe nga ana tjetër me faktin se interesi për kreditë e kësaj natyre ka rënë ndjeshëm. Për më tepër, bankat janë përpjekur gjatë kësaj periudhe të diversifikojnë portofolin e kredive të dhëna, duke u larguar sa më shumë nga sektori i ndërtimit. Shumica dërrmuese e kompanive të industrisë në Shqipëri kanë teknologji të vjetër dhe me rentabilitet të ulët.

Interesat

Interesi i kredive në euro për makineri e pajisje është ulur nga 9.28 për qind që ishte në maj të vitit 2008, në vetëm 6.18 për qind në maj të këtij viti. Në përpjekje për t‘u mbrojtur nga interesat në rritje të lekut, kompanitë kanë rritur kërkesën për kredi në euro. Interesat për këtë lloj kredie të dhënë në lekë u rritën në 13.6 për qind këtë vit nga 11.9 për qind që ishte një vit më parë. Bankat duket se kanë gjetur kredimarrës të besueshëm mes kompanive eksportuese të manifakturës, të ardhurat e të cilave janë në euro, gjë që minimizon rrezikun e kursit të këmbimit. Disa nga këto kompani kanë filluar sakaq të mendojnë për të ngritur kapacitete dizajnuese në mënyrë që të shesin në tregun e brendshëm produkte të gatshme.

Sektori i industrisë në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, por ecuria e tij ka qenë shumë e luhatshme. Shumica dërrmuese e fabrikave punojnë pothuajse tërësisht për eksport për shkak se tregu i brendshëm është shumë i vogël për të mbajtur në punë fabrika me përmasa të konsiderueshme. Kriza botërore duket se e ka goditur industrinë në të gjitha drejtimet, si për shkak të rënies së porosive nga Italia e Greqia, ashtu edhe për shkak të rënies së çmimeve të mallrave.

Por biznesi i vogël vijon të vuajë

Ndërsa kreditimi i kompanive për makineri e pajisje është gjallëruar, kredimarrja e individëve për aktivitete të vogla prodhuese e tregtare ka vijuar të jetë shumë e ulët. Për periudhën janar-maj, biznesi i vogël mori vetëm 20 milionë euro kredi, 35 për qind më pak se një vit më parë. Interesat e kredive për biznes për individët janë absolutisht më të lartat mes kredive që jepen në Shqipëri. Gjatë këtij viti, kreditë e kësaj natyre në lekë kanë pasur interesin e paimagjinueshëm prej 18 përqindësh në vit, ndërsa për ato në euro, interesi ka qenë 10-11 për qind, me ndryshim të lehtë në rënie në krahasim me një vit më parë.

Biznesi i vogël duket se po vuan rënien e konsiderueshme të fuqisë blerëse të popullatës, të shkaktuar nga rënia e parave të sjella nga emigrantët. Një pjesë e konsiderueshme e konsumit të shërbimeve që prodhohen nga biznesi i vogël në Shqipëri, furnizohen nga të ardhurat nga emigrantët dhe këto të fundit duket se po kalojnë periudhë të vështirë si pasojë e rritjes së papunësisë në vendet fqinje. Shumë dyqane duket se po mbyllen apo po ndryshojnë aktivitet në rrugët e qyteteve shqiptare, ndërkohë që rënia e konsumit ka sjellë edhe rënie të konsiderueshme të qirave të ambienteve tregtare. Agjencitë e ndërmjetësimit te pronat e paluajtshme raportojnë për presion të rritur nga ana e tregtarëve për uljen e kostos së qirave, fenomen që ka prekur edhe qendrat e mëdha tregtare të vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT, një pjesë e madhe e të huajve nuk shpenzojnë veçse pak orë te ne

Turistët e huaj, vetëm dy net në Shqipëri

Numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të kaluar u rrit me 26 për qind në 1.4 milionë vetë, por kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në Shqipëri ka qenë sërish e numëruar me gishta, bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Statistikave.

"Gjatë vitit 2008, numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur 26 për qind krahasuar me vitin 2007, kjo kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe numri i klientëve të akomoduar në hotele është rritur 23.9 për qind në vitin 2008 në krahasim me vitin e kaluar. Mesatarja e netqëndrimeve në hotele për 2008 ishte 2.3", bën të ditur INSTAT.

Gënjeshtra 2 milionëshe

Shumë zyrtarë të qeverisë u mburrën gjatë të gjithë vitit të kaluar me "bumin e sektorit të turizmit". Sipas Ministrisë së Turizmit, "në periudhën janar-gusht 2008, Shqipëria u vizitua nga 2 milionë turistë të huaj". Por kjo shifër del krejtësisht e gënjeshtërt. Të dhënat e INSTAT i referohen statistikave të kalimit të kufirit që grumbullohen nga Ministria e Brendshme. Vizitat e të huajve në Shqipëri kanë njohur që prej një dekade ritme rritjeje mbresëlënëse prej rreth 20 përqindësh në vit, por problemi është se shumica dërrmuese e tyre futet në kategorinë e vizitorëve ditorë, të cilët nuk kalojnë as edhe një natë në vendin tonë. Mesatarja e qëndrimit të tyre në hotele është vetëm 2.3 net për vizitor, ku kosovarët udhëheqin me qëndrime më të gjata.

Shqipëria ka zyrtarisht rreth 220 hotele me kapacitet të përbashkët prej 10 mijë shtretërish. Këtu futen hotelet që kanë më shumë se pesë dhoma. Kapaciteti hotelier i vendit nuk është në gjendje të përballojë as fluksin e turistëve vendës.

Turistët biznesmenë

Ndonëse klasifikohen si turistë të huaj, një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve që kalojnë kufirin shqiptar janë njerëz që vijnë për punë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, shërbimet për të huajt prodhojnë një biznes prej gjysmë miliardi eurosh në vit për Shqipërinë, para që humbiten zakonisht nga udhëtimet që shqiptarët kryejnë jashtë vendit.

Ekspertët në të gjithë botën paralajmërojnë rrezikun që vjen nga ari i zi

Rritja e naftës rrezikon rigjallërimin

Luhatshmëria ekstreme e çmimit të naftës gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit nuk ka dhënë shenja stabilizimi, ndërkohë që çmimi është dyfishuar që nga fillimi i këtij viti, pavarësisht ekonomisë jashtëzakonisht të dobët. Destabiliteti i çmimeve të naftës dhe gazit po vënë në vështirësi zyrtarët e qeverive dhe analistët, të cilët kanë frikë se një luhatshmëri e tillë mund të vendosë nën rrezik rigjallërimin ekonomik botëror. Ato po pengojnë gjithashtu kompanitë dhe konsumatorët, të cilët po përballen me efektet e koncesionit, ndërsa përpiqen të parashikojnë se sa mund të jetë çmimi pas një apo dy vjetësh.

Vrapimi i çmendur i naftës ndodhi gjatë 12 muajve të fundit. Verën e kaluar, çmimet fluturuan në 145 dollarë për fuçi, ndërsa ranë në dhjetor në 33 dollarë për shkak të krizës. Por që nga janari, çmimi i saj është dyfishuar sërish në 70 dollarë.

"Ta quash këtë situatë luhatshmëri ekstreme,= mund të jetë jo tërësisht e saktë", - komentoi një kompani ajrore. Kompania po përpiqet të mbrojë veten nga luhatshmëria, por duket se nuk po ia del dot, gjë që e ka shtyrë të mbajë çmime tepër të larta për klientët, të cilët për pasojë udhëtojnë më pak.

"Është shumë e vështirë të përdorësh logjikën në një situatë të tillë", sipas ekspertëve.

Në total, asnjë konsumator apo biznes nuk është në gjendje të bëjë plane afatgjata për shkak se ecuria e çmimit i lëndës djegëse e bën shumë të pasigurt jetesën. Për pasojë pasiguria në ekonomi rritet dhe njerëzit tentojnë të mbrojnë veten, duke ulur konsumin. E gjithë ekonomia botërore mund të vuajë pasojat e kësaj situate, pasi fundi i krizës mund të vonojë dhe shenjat e rigjallërimit mund të jenë jetëshkurtra.

Analistët janë të shqetësuar edhe për faktin se çmimet po bëhen të paparashikueshme. "Çmimi i naftës duket se nuk përcaktohet më nga kërkesë/oferta dhe nuk ndikohet nga kërkesa e dobët", - njoftoi në një raport të vetin Deutsche Bank.

"Njerëzit nuk e pëlqejnë një luhatshmëri të tillë, ata dëshirojnë të dinë se sa do të jenë kostot e tyre", - u shpreh një analist. Kompanitë ajrore duket se do të jenë më të goditurat nga kjo situatë. Çmimet e tyre të përcaktuara në fillim të vitit, bazoheshin në një kosto karburanti shumë më të ulët nga sa doli. Për pasojë, ato pritet të humbasin 9 miliardë dollarë vetëm këtë vit.

Kredia për makineri e pajisje për biznesin
Janar Shkurt Mars Prill Maj Totali
2009 5,704 14,514 14,064 30,431 25,533 90,246
2008 13,606 21,402 21,811 19,223 15,034 91,076
Diferenca -58.08 -32.18 -35.52 58.31 69.84 -0.91

Kredia për aktivitet biznesi për individë
Janar Shkurt Mars Prill Maj Totali
2009 2,582 3,527 3,939 5,325 4,678 20,051
2008 6,141 5,007 6,234 6,900 6,664 30,947
Diferenca -57.96 -29.56 -36.81 -22.83 -29.81 -35.21
Të dhënat në mijë euro



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›