E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e Fierit, KQZ ndryshon procedurën

Nëntë kutitë e Qarkut të Fierit do t‘i nënshtrohen një tjetër procedure, ndryshe nga ajo që ndoqi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Fushëkuqen. Pas shumë debatesh, anëtari i komisionit, Arben Ristani, pranoi që tabela përfundimtare e rezultateve të këtij qarku të futet në rendin e ditës. Vendimi ndryshon procedurën, pasi pritet që KQZ të miratojë një herë tabelën dhe më tej t‘i hapë rrugë ankimimit nga Partia Socialiste si e vetmja mënyrë për të hapur kutitë dhe numëruar fletët e votimit. Më parë jashtë rendit të ditës, duke vënë re mungesën e vendimmarrjes së Komisionit Qendror për nëntë kutitë e Fierit, përfaqësuesi juridik i selisë rozë në këtë institucion, Genci Gjonçaj, kërkoi që të merret sa më parë një vendim për hapjen e tyre, ashtu siç u hapën gjashtë kutitë e Qarkut të Lezhës. Kërkesa u kundërshtua nga kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani, i cili u shpreh se bëhet fjalë për një procedurë të ndryshme me këto nëntë kuti. Por sipas vendimit të djeshëm, nëntë kutitë e Fierit do të vijojnë të mbeten të pahapura deri në një ankimim të PS, shqyrtimit të tij në KQZ dhe pranimit të kësaj kërkese ankimore. Kërkesës për hapjen e kutive të Fierit iu bashkua edhe nënkryetarja e KQZ, Subashi, e cila në mungesë të nismës nga KQZ e mori vetë iniciativën. Dëshira Subashi e PS, kërkoi që për katër KZAZ-të e Fierit të kryhej e njëjta procedurë numërimi si për rastin e Fushëkuqes. Sipas Subashit, në këto KZAZ nuk u krye i plotë procesi i numërimit, pasi u ndërpre me vendim të KQZ-së. "Me një vendimmarrje 4 me 3, ku nuk kam qenë dakord në Fier, u ndërpre procesi i numërimit të votave. Derisa është ndërprerë me një urdhër tonin edhe tabelat përmbledhëse të rezultatit nuk mund të dalin pa numëruar kutitë për të katër KZAZ", u shpreh Subashi. Ajo shtoi se vendimmarrja e KQZ ishte komprometuese për procesin e Fierit. Ndërsa Arben Ristani tha se nuk mund të kryhet e njëjta procedurë si me kutitë e Fushëkuqes, pasi nuk kanë ngjashmëri. Sipas Ristanit, KQZ do të marrë vendim për të hapur apo jo kutitë, vetëm pasi ka ankimime nga subjektet politike.
"KZAZ e Qarkut të Fierit kanë miratuar tabelën me vendim dhe duke qenë kështu, e vetmja procedurë për të hapur kutitë është duke zbatuar nenin 123 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se hartohet tabela e qarkut dhe ankimohen vendimet e KZAZ-ve së bashku me tabelën përfundimtare të qarkut, pastaj KQZ vendos të hapë kutitë", tha ai. Kutitë e Fierit po qëndrojnë prej disa ditësh brenda ambientit të KQZ në pritje të vendimmarrjes së këtij institucioni për fatin e tyre. Ndërsa pritej që të ishte vetë Komisioni Qendror që do t‘i numëronte ato, ndryshe nga Fushëkuqe është ndjekur një tjetër procedurë. Fillimisht do të miratohet tabela përfundimtare e rezultateve bazuar në nenin 123 të Kodit Zgjedhor dhe në përfundim të shpalljes së rezultatit, Partia Socialiste do të ketë të drejtë të bëjë ankimim në KQZ për të kërkuar hapjen e tyre, por kjo nuk e garanton hapjen dhe numërimin deri në vendimmarrjen konkrete të këtij institucioni.

Sakaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje tabelat përfundimtare të rezultateve për disa qarqe të tjera si Durrësi dhe Berati. Administrata paraqiti të gjithë materialin e KZAZ përfshi këtu dhe tabelat e rezultateve të cilat u miratuan me disa ndryshime të vogla që nuk cenojnë deklarimin e mëparshëm të KZAZ. Ndërsa për Beratin, nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, iu referua një kutie të parregullt, duke kërkuar numërimin e saj, por propozimi u hodh poshtë. Pritet që shumë shpejt PS të bëjë ankimimet e duhura për tre KZAZ e këtij qarku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›