E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha si gjeli në majë të plehut

Partia Socialiste denoncon si mashtrime deklaratat që kryeministri Sali Berisha bëri dy ditë më parë gjatë inaugurimit të rrugës Gjirokastër-Tepelenë. Duke iu referuar pikërisht këtij aksi rrugor, nënkryetari i grupit socialist parlamentar, Erion Braçe, ka theksuar se ndërtimi i tij është nisur që gjatë qeverisjes socialiste. “Sali Berisha, kryeministri ynë me shenjën e korrupsionit, si hajdut punësh, mori dje gërshërët edhe u mburr se mbaroi një vepër që socialistët nuk e kishin më parë. Së pari, ne e kemi nisur punën të parët në atë vepër, e kemi mbikëqyrur, kemi kërkuar hesap për ritmet skandaloze në 2006, kemi thirrur ministrat që qeshin në interpelancë, për të aplikuar penalitete kur kontrata u shkel”, - tha Braçe. Ndërkohë, sipas tij kryeministri gënjeu edhe kur deklaroi se kanë mbaruar një sërë rrugës dhe autostradash që shtrihen në një sërë aksesh të rëndësishme si në jug, ashtu edhe në veri të vendit. “Sali Berisha gënjen kur thotë se po ndërton 800 km autostrada. Së dyti, Sali Berisha duhet të kishte mbaruar autostradat Lushnje-Fier, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Fier-Vlorë, Shkodër-Han i Hotit dhe Bypass të Fierit. Asnjë prej tyre nuk ka mbaruar kur afatet kontraktuale kanë mbaruar“, - tha Braçe. Gjithashtu ai nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, e cila sipas tij është kthyer në një objekt ku kryeministri dhe pushtetarët po pasurohen çdo ditë. “Do të doja të thosha se Sali Berisha, me këngën e tij të plehut nuk mund të sfumojë akuzat tona konkrete dhe raportet e ndërkombëtare, për paaftësi, shpërdorim dhe korrupsion, veçanërisht për punët publike. Berisha po i përdor rrugët për të vendosur monopolin e tij skllav në jug të vendit”, - tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›