E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgoni në humnerë, 1 i vdekur 7 të plagosur

Makina ishte nisur nga Peshkopia dhe udhëtonte në drejtim të Tiranës. Shkaku i aksidentit, çarja e njërës gomë

PESHKOPI- Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në të dalë të qytetit të Peshkopisë kur një furgon me targa “TR 4478 F” i mbushur me pasagjerë e që udhëtonte në drejtim të Tiranës ka devijuar duke rënë në humnerë prej afro 20 metra e duke shkaktuar kësisoj vdekjen e një pasagjeri dhe plagosjenrëndë të shtatë të tjerëve. Sipas policisë rrugore të Peshkopisë, furgoni që ishte nisur rreth orës 05.00 të mëngjesit nga Peshkopia në drejtim të Tiranës përfundoi në humnerë afër urës së Herbelit. Furgoni drejtohej nga shtetasi Kadri Halili dhe ishte mbushur me pasagjerë në vendqëndrimin e furgonëve në të dalë të Peshkopisë, ndërsa vetëm pas pak minutash ai është përmbysur në greminë. Nga rënia në një lartësi të konsiderueshme dhe përplasja nëpër shkëmbinj ka bërë që bilanci të jetë tragjik pasi ka humbur jetën 26- vjeçari Erblin Kaba ndërsa janë plagosur shtatë persona të tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Kanë qenë vetë të aksidentuarit që kanë njoftuar policinë dhe spitalin, ndaj të plagosurit janë transportuar në spitalin e qytetit për të marrë ndihmën mjekësore. Automjeti transportues është shkatërruar thuajse i tëri nga rënia në greminë prej lartësisë 20 metra. Sipas këqyrjeve të para nga ana e ekspertëve të qarkullimit rrugor, shmangia nga rruga e furgonit ka ardhur pasi është çarë një prej gomave në anën e greminës ndërsa drejtuesi me gjithë përpjekjet e bëra nuk ka mundur ta mbajë në rrugë makinën me pasagjerët e shumtë brenda, por ka përfunduar në greminë ku ka gjetur vdekjen një prej pasagjerëve dhe janë plagosur shtatë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›