E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbjet e dritave, në gjashtë muaj 106 milionë euro

Gjatë gjashtëmujorit të parë, vjedhjet e energjisë elektrike u ulën me vetëm 1940 kilovat/orë. Dyfishohen faturat e papaguara

Nëse kompanitë e energjisë elektrike në Shqipëri do të arkëtonin realisht paratë për energjinë që shpërndajnë, vendi ynë do ta kishte të lehtë të financonte ndërtimin e një termocentrali të ri me përmasat e Termocentralit të Vlorës, çdo gjashtë muaj.

Sistemi elektroenergjetik shqiptar ka humbur 106.6 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti si pasojë e humbjeve teknike e joteknike dhe si pasojë e mospagesave të faturave të energjisë, - bëhet e ditur nga statistikat e publikuara së fundmi nga INSTAT. Statistikat tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në sistemin e shpërndarjes “humbën”, ose më saktë u vodhën mbi 1 miliardë kilovat/orë, që kanë një vlerë tregtare prej 69.3 milionë euro, ndërkohë që në arkat e kompanive mungojnë edhe 36.3 milionë euro të tjera si pasojë e mosarkëtimit të energjisë që është faturuar sakaq.

Krahasimi me vjet

Në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike ka ulur vjedhjet me vetëm 1940 kilovat/orë, ndërkohë që vlera e energjisë së humbur është rritur me 13.2% si pasojë e çmimit më të lartë këtë vit. Ndërkohë, energjia e humbur nga mosarkëtimet është rritur me 78%, duke arritur në 36.3 milionë euro. Teorikisht, këto para konsiderohen si borxhe për t’u arkëtuar në bilancin e kompanisë së shpërndarjes, por praktikisht janë para të humbura. Deri në fund të vitit 2007, KESH shkroi në bilancin e tij 49.6 miliardë lekë (400 milionë euro) detyrime të pashlyera dhe të trashëguara nga vitet e kaluara. Gjatë vitit 2007 janë arkëtuar detyrime të prapambetura prej 38.5 milionë eurosh, por ndërkohë, është krijuar një borxh i ri prej 64.7 milionë eurosh.

Qeveria pranoi javën e kaluar në një letër që i dërgoi FMN-së se arkëtimet e energjisë së faturuar kanë rënë në 73.7%, shifër kjo më e ulëta e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000. Vetëm 47% e energjisë së hedhur në rrjet është paguar, një rekord tjetër negativ.

Sa kosto e një termocentrali

Humbjet në rrjet dhe energjia e faturuar, por jo e paguar, këtë gjashtëmujor arritën në 106.6 milionë euro. Termocentrali i Vlorës, që është vepra e parë gjeneruese që ndërtohet në vend që nga viti 1985, pritet të kushtojë më pak se 100 milionë euro. Për më tepër, në rast se hajdutët e energjisë do të kapeshin, kostoja e energjisë elektrike në Shqipëri mund të jetë shumë më e lirë sesa kostoja aktuale. Për më tepër, vjedhjet e energjisë elektrike nuk hyjnë në analizën e kostos së energjisë. Për pasojë, kompanitë kërkojnë vazhdimisht rritjen e çmimit pasi llogarisin si kosto edhe humbjet nga vjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›