Ligji për Prokurorinë, tërhiqet maxhoranca
- Kreu i qeverisë është shprehur dje se ligji i ri për prokurorinë nuk do të kalojë pa konsensusin e opozitës
Qeveria është tërhequr nga nisma e saj për të vënë nën “hyqëm” organin e akuzës. Një lajm i tillë është bërë i ditur dje nga vetë kryeministri Sali Berisha, i cili ka konfirmuar se ligji i shumëpërfolur ditët e fundit “për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” do të miratohet vetëm me pëlqimin e opozitës. Nga Vlora, ku ka inspektuar nga afër punimet për ndërtimin e depozitave të naftës dhe gazit në Pyllin e Sodës, në rrethin e Vlorës nga kompania italiane Petrolifera, kreu i ekzekutivit është përpjekur që të qetësojë jo vetëm opinionin publik dhe politik shqiptar, por edhe partnerët ndërkombëtarë, se me anë të këtij drafti nuk synohet që të vihet nën kontroll prokuroria, por thjesht përshtatja e këtij organi me zhvillimet dhe kërkesat e kohës. “Për atë draft ka 6 muaj që po punohet me përfaqësues të shoqërisë civile, EURALIUS dhe të tjerë që po bashkëpunojnë. Qeveria do të punojë që këto ligje të jenë të përbashkëta me opozitën. Pavarësisht se 84 vota në parlament mund të realizohen, unë arsyetoj që duhet të ecim me konsensus me opozitën”, - tha Berisha. Draft i propozuar ndërmjet të tjerave përmban dhe një nen që kufizon imunitetin e kryeprokurores si dhe një nen tjetër që shton një përfaqësues të qeverisë në Këshillin e prokurorisë. Ndërkohë, nga ana tjetër ai ka mohuar që shqetësimi i shprehur disa ditë më parë nga një diplomat amerikan gjatë një takimi informal me gazetarët, të jetë real. Projektligji i ri për Prokurorinë e përgjithshme është vënë në qendër të kritikave të medias pasi ai është vlerësuar se ka prirje për të vendosur nën kontroll organin qendror të akuzës. Këto prirje të mazhorancës janë venë re së fundmi pasi Prokuroria e Përgjithshme ka intensifikuar punën për hetimin e tragjedisë së Gërdecit. Përveç medias dhe opozitës, ndaj këtij drafti ka reaguar dhe komuniteti i prokurorëve të cilët e kanë konsideruar atë si një përpjekje për të dobësuar kompetencat e kreut të organit të akuzës. Ndërkohë po dje shefi i qeverisë ka mohuar që të ekzistojë një vlerësim i tillë kritik nga ambasada e SHBA-së për gjendjen në Shqipëri, për të cilin kanë shkruar dhe folur mediat gjatë ditëve të fundit. “Nuk ka asnjë shqetësim të tillë nga diplomacia e huaj në Tiranë”, - është shprehur Berisha, duke mos pranuar të marrë në konsideratë vlerësimet negative të shprehura nga përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë gjatë kësaj bisede jozyrtare.
Berisha: Nuk kam kërkuar largimin e OSBE-së
Kreu i qeverisë nuk i është shmangur dot interesimit të gazetarëve lidhur me të vërtetën për kërkesën e qeverisë për të larguar apo tkurrur veprimtarinë e misionit të OSBE-së në Tiranë. Kështu, duket se presioni i ndërkombëtarëve, por edhe reagimi i opozitës dhe opinionit publik, ka detyruar atë që të heqë dorë edhe nga kjo kërkesë. Madje ai ka shkuar edhe më tej duke garantuar opozitën dhe partnerët që asistojnë Shqipërinë në rrugën e saj të forcimit të demokracisë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i kërkojë OSBE-së që të dyfishojë vëzhguesit e saj. “As nuk kam kërkuar, as nuk kam ndër mend të kërkoj largimin e OSBE-së. Garantoj çdo qytetar shqiptar se fushatën e ardhshme elektorale qeveria do t`i kërkojë OSBE-së të dyfishojë monitorimin, do të ftojë Këshillin e Europës, Parlamentin Europian organizatat dhe Institutin Demokratik dhe Republikan Amerikan, do të ftojë të gjitha NGO-të dhe organizmat e institucionet që monitorojnë zgjedhjet”, - tha Berisha. Nga ana tjetër, në funksion të realizimit të zgjedhjeve të ardhshme sipas standardeve, ai ka siguruar se në fillim të sesionit të ri parlamentar do miratojë bashkë me opozitën ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pavarësisht angazhimeve të tij, duket se arritja e këtyre standardeve vihet përsëri në dyshim për shkak të pamundësisë për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti të sigurta.