Vapa, shtyhen operacionet në Elbasan
Elbasan- Shtyhen operacionet e planifikuara në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Shkak është bërë stina e nxehtë e verës dhe tërheqja e vetë pacientëve për kryerjen e operacionit.
Shefi i pavijonit kirurgjik Agron Braho bën të ditur se nga analizat e kryera në bllokun e sallave të operacionit, të cilat janë dy, një për operacionet e emergjencës dhe një sallë për operacionet e planifikuara, situata bakteriologjike ka rezultuar sterile.
Pacientët në të shumtën e rasteve e kanë shtyrë vetë ndërhyrjen kirurgjikale për në muajt shtator- tetor. Por gjithsesi sipas Brahos bëhet fjalë për ata pacientë, të cilët nuk përbëjnë rrezik për jetën.
Ndërsa në rastet kur pacienti vjen në gjendje të rëndë atëherë i nënshtrohet menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale.
Në spitalin kirurgjik të Elbasanit, në vit kryhen rreth 2400 ndërhyrje kirurgjikale. Problemi më shqetësues sipas shefit të pavijonit është mungesa e aparaturave për sallat e operacionit dhe një spital me të gjitha parametrat, pasi dihet që godina aktuale është e përshtatur si spital kirurgjik në pritje të ndërtimit të një të riu.