Braçe: Dëshmia tronditëse e vëllait të Hekuran Dedës tregon se shteti është kthyer në organizatë kriminale
Deputeti socialist, Erion Braçe, pas publikimit të dëshmisë së vëllait të Hekuran Dedës, të vrarë më 21 janar, ka kërkuar reagimin e institucioneve më të larta të shtetit, për të hetuar.
Në dëshminë e tij, vëllai i Hekuran Dedës përmendte se Fatos Skeja, shoferi i Shkëlzen Berishës, i kishte vajtur në shtëpi për ti dorëzuar vrasësin dhe për ti ofruar para që të priste Berishën në shtëpi.
Por, pavarësisht kësaj dëshmie tronditëse të dhënë për gazetarin Artan Hoxha në emisionin Xhungël, nuk ka reaguar askush, madje as opozita.
Për këtë arsye, Braçe shprehet i revoltuar, duke thënë se kjo dëshmi tregon se shteti është kthyer në një organizatë kriminale.
Në një shtet serioz, ligjor e të së drejtës, pas dëshmisë së vëllait të të vrarit në 21 janar, Hekuran Dedës, mbi dijeninë e një oficeri të Gardës së Republikës për vrasësin, madje dijeninë e kryeministrit Berisha mbi vrasësin dhe, përpjekjen e tij për ta futur çështjen në një spirale gjaku:
Presidenti i Republikës duhet të kishte thirrur kryeprokuroren, për ti kërkuar përfshirjen në hetim të këtij fakti të rëndë;
Kryeministri duhet të kishte kryeprokuroren për ti kërkuar hetimin dhe sqarimin deri në detaje të përfshirjes së tij në këtë çështje të rëndë;
Opozita, mbi të gjitha opozita e vrarë, duhej ti kishte kërkuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Prokurorit të Republikës, hetimin urgjent të kësaj dëshmie shumë të rëndë!
Ky fakt rrëzon shtetin!
Ky fakt ndryshon natyrën e shtetit.
Ky fakt e shndërron shtetitn në një organizatë kriminale!
Por, askush nuk reagoi! Madje, nuk mbajti as qëndrim!, thotë deputeti socialist.