Olldashi: Kufiri me Greqinë, PS i shkoi mbrapa një budallai
Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka pengesë për transportuesit në asnjë centimetër të hapësirës ujore. Kështu deklaroi Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese në lidhje me progresraportin e BE-së për vitin 2009. “Ju thoni se a ka pasur pengesa për shkak të historisë së çuditshme të hartës detare? Zoti Gjana, më lejoni t’ju them se e gjithë ajo histori është se hodhi një budalla një gurë në lumë dhe vajti e gjithë PS-ja i shkoi prapa. Por dua t’ju siguroj se nuk ka pengesë për transportuesit në asnjë centimetër të hapësirës ujore”, deklaroi Olldashi. Kreu i komisionit, Jemin Gjana, kërkoi të dinte në lidhje me debatet për marrëveshjen për ujërat detare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, nëse sjell probleme të mëdha me zhvendosjen e korridoreve të transporteve detare dhe nëse sjell kosto. Ministri i Transportit, duke folur në lidhje me krijimin e portit të peshkimit në qytetin e Durrësit, akuzoi kryebashkiakun e Durrësit për mos dhënien e lejes së ndërtimit. “Është një projekt prej 15 milionë eurosh dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është dakord sepse kërkon të ndërtojë dy pallate atje dhe nxjerr argumentin se ndotet mjedisi. Projekti është në kalatën veriore të Portit, por Durrësi nuk ka kryetar bashkie pasi nuk funksionon si i tillë, por si kryetar betoni”, tha Olldashi. Një tjetër çështje që ministri u ndal ka qenë edhe Aeroporti i Kukësit. Sipas tij, ka një problem pasi koncensionari i lidhur me Aeroportin e Rinasit, ku parashikohet lënia e lirë si ekskluzive e fluturimeve. “Në nëntor, sipas kushteve të kontratës na krijohen kushtet të rinegociojmë, kemi gjetur një hapësirë mjaft pozitive me koncesionarin e Aeroportit të “Nënë Terezës”, për të rinegociuar për termat e ekskluzivitetit, për të diskutuar dhe për të çelur rrugë fluturimeve qoftë të brendshme, jo vetëm Aeroportit të Kukësit dhe në një prespektivë jo shumë të largët dhe me Aeroportin e Sarandës”, tha Olldashi. Për çështjen e Rrugës së Arbit, ministri bëri të ditur se “gjerësia e rrugës do të jetë 10.5 metra dhe jo aq sa është deklaruar në media”. Porti i Shëngjinit për ministrin do të jetë i plotë, multifunksional, që do të shërbejë edhe për pjesën e Kosovës.