PE: Zgjidhni problemet e brendshme
ADI SHKEMBI
Qeveria është gati të plotësojë kushtet e opozitës, por pa cënuar vendimet e gjyqësorit. Kështu u shpreh dje zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në ditën e parë të vizitës në Bruksel, gjatë një takimi me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikolaos Chountis. Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe atij të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE, si dhe u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. “E informova me angazhimin e qeverisë për të realizuar të gjitha kërkesat të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kam shprehur vullnetin e qeverisë dhe qëndrimin e saj shumë konstruktiv për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime, të arsyeshme dhe konstruktive, që vijnë nga opozita por pa marrë përsipër për të ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cënuar pavarësinë e gjyqësorit që është një nga shtyllat e shtetit të së drejtës dhe që na kërkon ta ndërtojmë BE”, u shpreh Meta, në një dalje të përbashkët për mediat me raportin e PE-së Chountis. Nga ana e tij, eurodeputeti grek theksoi se partitë politike në vend duhet të zgjidhin shpejt problemet mes tyre. “Shpresojmë shumë që problemet e brendshme në Shqipëri do të zgjidhen shpejt në mënyrë të përgjegjshme nga qytetarët dhe partitë politike shqiptare, me qëllim që të arrihen më mirë objektivat e tyre”, u shpreh Chountis. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, kreu i diplomacisë shqiptare, pasi e informoi eurodeputetin Chountis mbi përgatitjet e Qeverisë për t’iu përgjigjur pyetësorit dhe angazhimin e saj për zbatimin e reformave të ndërmarra, e siguroi atë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian. “Chountis vlerësoi objektivitetin dhe realizmin e përqasjes ndaj çështjeve të ndryshme prej z. Meta dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp. Vizita e kreut të diplomacisë shqiptare në Bruksel vjen në pak javë para se në vendin tonë të mbërrijë një mision vëzhgimi i Komisionit Evropian, për të parë plotësimin e kushteve që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve dhe një mision i dytë do të vijë në janar, për të parë progresin e arritur në drejtim të menaxhimit të kufijve, rendit publik dhe sigurisë. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, ministri i Jashtëm tha se qeveria shqiptare është e vendosur për thellimin e mëtejshëm të reformave dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të proceseve integruese rajonale. “Integrimi në BE është një proces reciprokisht sfidues. Sfida jonë është të tejkalojmë vetveten në të gjitha kuptimet, si me reformat e brendshme ashtu edhe në marrëdhëniet rajonale”, u shpreh Meta.