E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më 20 nëntor do shembim murin e votës

 

Korçë/Jorgjeta Gjançi

Kreu socialist Edi Rama ftoi dje korçarët në Tiranë më 20 nëntor, në protestën e madhe të opozitës. Duke folur mbrëmë në sheshin para kinema “Milenium” në qytetin e Korçës, në protestën e radhës së opozitës, kreu socialist u parashtroi pjesëmarrësve arsyet pse ata duhet të ishin në Tiranë më 20 nëntor. Ndërsa ripërsëriti bindjen e socialistëve për të mos u futur në Parlament, Rama ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së madhe për hapjen e kutive, më 20 nëntor në kryeqytet, për të kërkuar të drejtën e nëpërkëmbur e për të rrëzuar, sipas Ramës, murin e politikës së vjetër që pengon votën e lirë. “Dje Evropa festoi 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Më 20 nëntor ne do të protestojmë për të shembur murin, që prej dy dekadash i pengon shqiptarët të votojnë lirisht, të numërojnë ndershmërisht votën e tyre dhe të mirëqeverisen, në lirinë e pacenueshme të konkurrencës së tyre. Më 20 nëntor në Tiranë, të gjithë bashkë për të shembur murin e politikës së vjetër 20-vjeçare të premtimeve të pambajtura dhe të zullumeve të papërmbajtura. Më 20 nëntor, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të shembur murin që na pengon të shohim lirisht votën tonë, duke hapur kutitë e votimit, për të hapur bashkë me to rrugën e zhvillimit të vendit, rrugën e daljes nga kriza ekonomike dhe varfëria e patolerueshme, rrugën e fitores së betejës me papunësinë e madhe dhe me korrupsionin”, theksoi kryesocialisti. Në mitingun e djeshëm të protestës në Korçë, Rama shoqërohej nga deputetët e këtij qarku, por dhe nga kryetarë të partive aleate të djathta dhe të majta, si Paskal Milo, Spartak Ngjela e Erion Veliaj. Në fjalën e tij, kryetari i PLiDr, Spartak Ngjela, e cilësoi protestën e opozitës jo një kërkesë lutëse ndaj qeverisë për të hapur kutitë e votimit, por një revoltë popullore që duhet të kulmojë më 20 nëntor. “Ne jemi mbledhur dhe do vazhdojmë të mblidhemi, do t’i krijojmë të drejtën shqiptarëve që të jenë dinjitozë. Si mund të qëndrojë një qeveri që ka vrarë 26 njerëz të pafajshëm në një fabrikë. Duhet të mblidhemi ta shporrim të keqen. Ne nuk na duhet një moment lutjeje. Ne nuk jemi në një moment faljeje, por jemi në një moment historik. Ai kërkon që me vota të vjedhura të konsolidojë një pushtet dhe ta kthejë në dinasti. Ky 20 nëntor do t’i tregojë botës se jemi dinjitozë. Kjo është një revoltë, sepse revolta është gjuha për atë që nuk di të dëgjojë. Unë kam shpresën tek revolta popullore dhe të mos presim që ata që vodhën votën të hapin kutitë”, u shpreh Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›