Kumbaro: Kufijtë administrativë nuk duhet të pengojnë zhvillimin e territoreve

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, deklaroi sot se riorganizimi administrativ duhet parë përtej argumenteve emocionale dhe identitare dhe se zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi mes territoreve janë mënyra më e mirë për të ruajtur identitetin e komuniteteve.
Gjatë seancës plenare në Kuvend ku pritet votimi i ndarjes së re territoriale, duke folur për Libohovën Kumbaro tha se identiteti i qytetit ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me historinë, kulturën dhe njerëzit e tij.
Kumbaro tha se statusi administrativ si bashki nuk ka qenë i mjaftueshëm për të garantuar zhvillimin e Libohovës.
“Për ta nxjerrë Libohovën time nga hija e mosdijes kolektive, por sidomos për ta nxjerrë nga izolimi total ekonomik, zhvillimor e institucional, statusi administrativ bashki nuk na kishte ndihmuar asnjëherë”, u shpreh ajo.
Kumbaro tha se ndryshimet në Libohovë kanë ardhur përmes investimeve në infrastrukturë, hapësira publike, trashëgimi kulturore, ujësjellës, kanale vaditëse, shkolla dhe qendra shëndetësore.
Ajo theksoi se këto investime nuk duhet të lidhen vetëm me statusin administrativ të një territori, por me nevojat e njerëzve dhe potencialin për zhvillim ekonomik.
“Libohova është në të vërtetë një bashki e vogël, ndoshta edhe më e vogla në qark. Por ajo që ka rëndësi është se njerëzit e saj jetojnë, punojnë dhe bashkëveprojnë pa kufij administrativë”, tha Kumbaro.
Ministrja solli si shembull bashkëpunimin ekonomik mes Libohovës, Dropullit, Gjirokastrës dhe zonave përreth, duke përmendur bujqësinë, turizmin, agroturizmin dhe lëvizjen e fuqisë punëtore.
“Ekonomia e zonës tashmë funksionon përtej kufijve administrativë, ndërsa banorët e Libohovës punojnë në Dropull, Gjirokastër dhe territore të tjera, ashtu si edhe specialistët që shërbejnë në administratën lokale vijnë nga qytete të ndryshme për shkak të nevojave për profesionistë të specializuar”, tha Kumbaro.
Kumbaro përmendi edhe një grant prej 261 milionë lekësh për rehabilitimin e sistemit të vaditjes dhe kanalit kryesor vaditës të fushave të luginës së Libohovës, Drinos dhe Nepravishtës, duke e cilësuar këtë një shembull të nevojës për të parë zhvillimin përtej kufijve administrativë.
Ajo u ndal gjithashtu te zhvillimi i turizmit, duke përmendur bizneset dhe strukturat e akomodimit që kanë nisur të zhvillohen në zonë, si dhe investimet e sipërmarrësve vendas dhe të emigrantëve të kthyer.
“Libohova sot nuk është vendi i mungesave, është vendi i mundësive. Dhe, të jemi realistë, është zhvillimi ekonomik ai që na e ruan më mirë identitetin”, tha Kumbaro.
Në lidhje me reformën e propozuar administrative, ministrja tha se ndryshimi nuk duhet parë si humbje e identitetit të qytetit, por si një mundësi për të bashkuar kapacitetet, burimet njerëzore dhe potencialet ekonomike të territorit.
“Libohova është pjesë e një territori që duhet të zhvillohet si një tërë, duke bashkuar forcat, duke pasur një plan zhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe duke administruar më mirë kapacitetet dhe burimet njerëzore”, u shpreh Kumbaro.
Ajo siguroi se identiteti i Libohovës do të ruhet dhe se ndryshimi i organizimit administrativ nuk nënkupton zhdukjen e qytetit apo të përfaqësimit të tij.
“Libohova mbetet qytet falë zhvillimit që mbron identitetin. Nuk ndryshojnë shërbimet, përkundrazi zgjerohen ato, me përfaqësimin e vet dinjitoz në këshillin bashkiak dhe me kryetarin e qytetit të Libohovës”, tha Kumbaro.
/k.s/j.p/