Braçe: Fazlliç shiti dy kompani
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se ka favorizuar Damir Fazlliç në pastrim parash me shitjen e dy kompanive që zotëroheshin prej tij dhe që nuk kishin asnjë aktivitet konkret. "Sali Berisha dhe qeveria që ai drejton në favor të pasurimit të shpejtë të këtij miku familjar, ka kompromentuar akoma më rëndë deri në paralizë dhe mosveprim favorizues ndaj shtetasit Damir Fazliç të një sërë agjencish ligjzbatuese të shtetit, në fund të të cilave qëndrojnë dhe gjykatat e këtij vendi", tha Braçe. Ai i kërkoi vajzës së kryeministrit të japë sqarime për këto shitje. "Nisur nga pohimi i bërë para disa ditësh nga avokatja Argita Malltezi, se ka ofruar vetëm shërbime ligjore në cilësinë e klientin ndaj Fazlliç, si dhe duke shfrytëzuar gatishmërinë e saj për transparencë dhe për të dëshmuar lidhur me këtë çështje, gjë e vlerësuar prej nesh, do doja të merrnim shpjegimet e saj nëse ka ofruar shërbimin e saj ligjor në këto dy shitje të reja të dy kompanive të shtetasit serbo-boshnjak Fazlliç", tha Braçe.