Ndryshimi i Tiranës, Rama mbledh në Tiranë konferencën e Bashkive
Konferenca e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, këtë vit u ndal në kryeqytet. Në kuadër të zhvillimeve intensive urbane, sociale dhe ekonomike, Tirana është përballur me sfida të forta zhvillimi, që e kanë bazën në kontrastet e mëdha urbane të kryeqytetit, me potencial të madh zhvillimi, por në një shtet të vogël. Tirana u zgjodh vendi mikpritës për edicionin e 12-të të kësaj konference të rëndësishme, sa i përket zhvillimit të qyteteve metropol, duke i konsideruar jo më kryeqytete në transformim, por në formim. Tema kryesore rreth së cilës mbështetet zhvillimi i kësaj konference është: "Politika dhe Programe për zhvillimin e qyteteve-metropol". "Sot kemi nderin që të organizojmë këtu Konferencën e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe t'ju kemi të gjithë të pranishëm, jo më në një kryeqytet në transformim, por në një metropol në formim", tha Rama. Ai shtoi se për kryeqytetasit është një privilegj dhe njëkohësisht, një shans për të përfituar nga kjo ditë e ngjeshur shkëmbimi eksperiencash dhe idesh. Unioni i kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore është një organizatë ndërkombëtare, ku kryeqytete si Athina, Beogradi, Bratislava, Bukureshti, Budapesti, Kievi, Lubjana, Nikozia, Podgorica, Sarajeva, Shkupi, Sofja, Tirana, Vjena dhe Zagrebi janë anëtarë. Në vitin 1995, me iniciativë të qytetit të Athinës, u krijua Konferenca e përhershme e kryebashkiakëve të Kryeqyteteve të Evropës Juglindore, një instrument rajonal, me qendër në Athinë që përfshinte të gjitha kryeqytetet e Evropës Juglindore nga Vjena në Nikozi. Qëllimi i unionit është të mbajë lidhje permanente mes bashkive të vendeve anëtare dhe të inkurajojë shkëmbimin mes qytetarëve të tyre në çdo fushë, në mënyrë që të zhvillojë ndjenjën e përkatësisë evropiane, bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë. Në përputhje me këtë objektiv, unioni merr përsipër studime, organizon takime dhe ndërmerr të gjitha iniciativat që përçojnë mbështetjen ekonomike, sociale dhe kulturore të qyteteve, anëtare të rrjetit.