Koçi: Edi Rama, ti e ke vendin tek G99
Aristir Lumezi
Kryetari i "PS '91", Petro Koçi, cilëson Edi Ramën njëlloj si Sali Berisha në lidhje me pranimin e mendimit ndryshe. Përmes një letre të hapur, Koçi shpreh shqetësim për metodat, sipas tij, të demonstrimit të pushtetit dhe abuzimit e tij ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai, duke sjellë në vëmendje rastin e sekretarit të kësaj partie, Ilir Kokona. "Edi, kam ndjekur me shqetësim aktin tënd policor kundër socialistit Ilir Kokona dhe nuk jam çuditur. E kam ditur prej kohësh se teknologjia jote është ekzakt e njëjta me atë të zotit Berisha. Ti, njëlloj si ai, e urren mendimin ndryshe nga i yti. Je gati ta varrosësh nën gërmadhat që i prodhon vetë. Shumica nuk ka kurrë të drejtë të përdorë ruspën ndaj alternativës ndryshe. Kjo ndodhte kur në pushtet qe ai ndaj të cilit ti je nip, jo vetëm biologjik, por tashmë edhe politik! Mbete antisocialist i përbetuar! Megjithëse mundohesh ta fshehësh. Sepse të duhen votat e socialistëve. Kurrë nuk u ke qenë mirënjohës atyre", shprehet Koçi në letrën e tij.
"Je kthyer në një subjekt të rrezikshëm politik. Je gati ta lesh pa shtëpi mendimin ndryshe. Je gati ta lesh pa punë, d.m.th pa bukë. Mos e përdor më të ardhmen si alibi për të mbuluar teknologjinë tënde të stërvjetër! Korrupsioni me të ardhmen është krim me pasoja të rënda!", shprehet Koçi. Sipas tij, Edi Rama nuk pati asnjëherë moral të shprehë një vlerësim politik për ish-kryetarin e tij dhe ish-kryeministrat socialistë që, sipas Koçit, e ngopën me buxhete për bashkinë që ai drejton. Me një gjuhë të ashpër, Koçi shprehet se i vetmi subjekt politik ku Rama mund të përfaqësohet është G99. "Prandaj duhet të shkosh te partia jote, G99. E meritoni njëri-tjetrin. Ata e bënë detyrën! Luftuan Nanon dhe PS-në që të të bënin ty kryetar të madh. Që ti, t'i fusje në listë pastaj", shprehet Koçi. Drejtuesi i "PS '91" vë shenjën e barazimit mes Ramës dhe Berishës për filozofinë dhe teknologjinë e funksionimit në politikë. "Ç'i duhet Shqipërisë së sotme teknologjia Berisha e përfaqësuar prej teje? Ti dhe Berisha mbeteni armiqtë më të egër ndaj mendimit dhe alternativave ndryshe. Që të dy jeni njerëzit më të pakontrollueshëm të këtij vendi. Prandaj jeni shumë të rrezikshëm. Megjithëse të dy po bëni garë të pafund projektesh komunale. Ju të dy mendoni se bërja e detyrës qenka dhuratë për popullin. Që të dy mendoni se kundërshtarët tuaj, sidomos nga brenda duhen eliminuar, se ju pengojnë të kryeni me sukses punën e prodhimit të dhuratave për popullin", shprehet Koçi. Drejtuesi i "PS '91" akuzon kreun e PS-së Edi Rama për korrupsion në tenderat e bashkisë. "Edi, demokracia nuk është fasadë, por konstruksion demokratik, njerëzor. Për ty mjafton të jetë fasadë. Me fasada ka filluar në fakt edhe karriera jote e tenderave. Por, fasada me të cilën ti ke mbështjellë "demokracinë" tënde nuk të lë të shohësh konstruksionin tënd. Sepse nuk është transparente! I ke vënë një bojë shumë të trashë. Njerëzit tani nuk flasin më për konstruksionin e demokracisë. Mund të debatojnë vetëm për fasadën. Sepse transparenca ka mbetur në arkivat e politikës së vjetër", shprehet Koçi në letrën e tij. Sipas tij, thelbi i demokracisë është transparenca, e cila në PS-në e drejtuar nga Rama mungon tërësisht. Sipas tij, transparenca dhe mendimi ndryshe duhet për t'i nxjerrë bojën fasadës së politikës së vjetër.
LSI: Rama, rrezik për demokracinë
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i bashkisë së kryeqytetit, se abuzon me pushtetin, duke dhunuar pronën dhe ligjet. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, tha dje për mediat se, "ky kryetar bashkie dhe kryetar i PS-së është për sot dhe nesër një rrezik evident dhe i madh për demokracinë, sepse me mentalitetin e tij dhunues të drejtimit dhe sjelljes politike kërcënon, shkatërron pronën e individin dhe identifikon pushtetin e zgjedhësve me vetveten". Sipas tij, "Edi Rama ka vënë në funksion të hakmarrjes së tij politike pushtetin bashkiak, duke dhunuar e abuzuar me pronën, ligjet dhe jetën e njerëzve vetëm e vetëm se kryetari i njësisë 3 si dhe mijëra socialistë të tjerë nuk mendojnë si ai".
Qendro: Kokona me pallat pa leje, zbatoj ligjin
Kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik në Bashkinë e Tiranës, Afrim Qendro, ka sqaruar pozicionin e institucionit të tij në lidhje me banesën e kryetarit të njësisë bashkiake nr. 3, Ilir Kokona. Sipas Qendros, në zbatimin e detyrës së tij nuk ka prapavijë politike. "Unë nuk merrem me politikë dhe kam vetëm një detyrë sot: Të verifikoj ligjshmërinë e veprimtarisë ndërtimore në Tiranë dhe të garantoj zbatimin e ligjit! Këtë kam bërë edhe në këtë rast. Nuk kam çuar asnjë lloj vendimi prishjeje. Kam firmosur thjesht një procesverbal konstatimi të bazuar në ligj, ku i kërkoj pronarëve të atij pallati t'i vënë në dispozicion Inspektoratit të Ndërtimit dokumentacionin që disponojnë. Ç'punë ka politika në këtë mes, që paragjykon punën time?", shprehet Qendro në një sqarim për mediat. Sipas tij, Kokona është duke ndërtuar një pallat pa leje. Ilir Kokona e di mirë që unë nuk bëj politikë, por punë dhe as marr urdhra e as trembem nga askush që do të bëjë politikë me punën time. E kam trajtuar me shumë korrektesë çështjen. Ia kam sqaruar Ilir Kokonës dhe babait të tij se nuk po u prish shtëpinë, por po u kërkoj në bazë të ligjit sqarimet dhe dokumentet përkatëse, lidhur me pallatin pa leje që po ndërtojnë. Por, Ilir Kokona s'paska turp dhe këtë unë e mora vesh", u shpreh Qendro.