E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Jones: Reformat sollën ftesën e Shqipërisë për në NATO

 

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones, zhvilloi takime intensive me politikën shqiptare. "Reformat sollën ftesën e Shqipërisë për në NATO", u shpreh mes të tjerave të mërkurën pasdite zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Stuart Jones, në një fjalim para diplomatëve shqiptarë, në ditën e tretë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, bënë të ditur burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Jones, i cili mbulon Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, u ftua të paraqiste vizionin amerikan mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Stuart Jones zhvilloi dje takime me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Kryeministri theksoi se ratifikimi në Senat dhe firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përbëjnë ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që nga njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA. Gjatë takimit me kreun socialist Edi Rama, Jones vlerësoi rolin e Partisë Socialiste të Shqipërisë në drejtim të nxitjes dhe realizimit të reformave thelbësore që afrojnë Shqipërinë me NATO-n. Lidhur me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin zgjedhje të suksesshme, të lira dhe demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›