E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo kthehet në kryesinë e PD

 

ADI SHKEMBI

Fiks nëntë vjet pasi Genc Pollo, u largua nga Partia Demokratike pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm, nënshkruan me kreun e saj, Sali Berisha, për t'u rikthyer sërish në "bazë". Ajo që kishte kohë që ishte përfolur dhe që shikohej si zgjedhja më e pranueshme, e përkrahur edhe nga Partitë Popullore Evropiane, ndodhi pikërisht dje, kur nisi procesi i shkrirjes së PDR-së në PD. Kreu i demokratëve, Berisha dhe ai i demokratëve të rinj, Genc Pollo, dolën para mediave për të bërë të ditur nisjen e këtij procesi, i cili do të përfundojë brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, kur pritet të mblidhet edhe kuvendi kombëtar i demokratëve, para zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas Pollos, ky proces shkrirje vjen, pasi divergjencat e nëntë viteve më parë nuk qëndrojnë më. "Këtë e bëjmë sepse periudha e divergjencave 1999-2001 është një periudhë e lënë pas, është një kapitull i mbyllur, bashkëpunimi i filluar mbas 2001-it dhe sidomos pas fazave të bashkëpunimit elektoral të aleancës parazgjedhore në 2005-ën dhe në mënyrë të veçantë koalicioni politik qeveritar, në tre vitet e tij ka treguar një qëndrueshmëri shumë të fortë, gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona", u shpreh Pollo. Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se ky ishte pikërisht lajmi që priste anëtarësia e demokratëve. "Mendoj se ky ishte lajm që pret anëtarësia, simpatizantët, populli mbarë shqiptar. Bashkimi i këtyre dy forcave politike, ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët, mision i cili në Shqipëri faktohet si një vizion i madh suksesi, faktohet me hapa të mëdha në drejtim të integrimit të vendit në NATO dhe BE", theksoi kreu i partisë më të madhe të koalicionit të djathtë. Por duke iu përgjigjur interesimit të mediave, lidhur me akuzat që i ka bërë Pollos gjatë kohës, që ky i fundit ishte kryetar i PDR-së në vitin 2001, Berisha tha "ne flasim për bashkim, ti flet për divorc, të ka ngelur ora në ato momente dhe duhet ta spostosh". Sipas marrëveshjes, krerët më të lartë të PDR-së do të jenë pjesë e kryesisë së PD-së, e cila do të dalë pas kuvendit parazgjedhor, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. PDR pritet të ketë 3-4 vende në kryesinë e demokratëve, ku do të jenë kryetari Genc Pollo, nënkryetarët Tritan Shehu, Eno Bozdo si dhe Antoneta Luli, kryetare e forumit të grave të demokratëve të rinj. PDR-ja do të kenë deri në 7 vende në këtë forum të demokratëve, ndërkohë që në secilën prej degëve në rrethe do të ketë 3 deri në 4 vende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›