E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Gjiri i Lalëzit, bastion i korrupsionit qeveritar

Nënkryetari i grupit të PS-së, ka denoncuar nga Durrësi abuzimet me paratë e rrugës së Gjirit të Lalëzit


Investim për efekte elektorale dhe për interesa të familjarëve të zyrtarëve të lartë. Kështu e ka përkufizuar nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, investimin me fondet publike të bërë për asfaltimin e rrugës së Gjirit të Lalëzit në rrethin e Durrësit, duke denoncuar njëkohësisht abuzimet që janë bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë për realizimin e këtij projekti të lënë përgjysmë. Ndryshe nga herët e tjera, Braçe ka lënë foltoren e zyrës së grupit dhe është zhvendosur në Durrës, dhe pikërisht në rrugën e që lidh këtë qytet me zonën e Gjirit të Lalëzit, ku dhe ka denoncuar abuzimet që janë bërë me fondet në asfaltimin e këtij segmenti. Brace ka akuzuar familjen e kryeministrit Berisha se kanë blerë toka në zonën e Gjirit të Lalzit dhe se rruga e asfaltuar, që duhet të përfundonte në fshat, në interes të banorëve të kësaj zone, përfundon pikërisht në vendin ku ndodhen pronat e zyrtarëve të lartë. "Fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë. Nuk e kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë. E kam fjalën për fshatin e luksit ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit , disa ministra, disa zv.ministra, si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Të gjitha janë të materializuara në deklarimet e tyre të pasurisë. Të gjitha dëshmojnë thelbin e sistemi ekonomiko-kriminal të Sali Berishës: Paratë e bëra përmes abuzimeve në tenderë apo gjatë zbatimit të investimeve, investohen në pasuri të paluajtshme në fshatin turistik të qeverisë", - deklaroi Braçe. Por, duket se nuk është kjo arsyeja e vetme që rruga e asfaltuar ka mbërritur deri në gjysmë, pasi sipas numrit dy të grupit socialist, brenda kësaj distance shtrihen edhe tokat që janë vënë në shitje nga një agjenci imobilare, e cila si konsulente ka deklaruar vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi. Duke iu referuar pikërisht reklamimit që kjo agjenci imobilare ka bërë në faqen e saj të internetit, për shitjen e disa hektarëve tokë në këtë zonë, Braçe nuk ka nguruar të deklarojë se vendimi i qeverisë për të asfaltuar këtë rrugë, ka qenë në funksion të interesave të pista të vetë vajzës së kryeministrit, për të rritur çmimin e këtyre tokave që, agjencia që ajo përfaqëson, kishte blerë në këtë zonë. "Një vit më parë, në Parlament kam treguar njoftimin e një kompanie imobiliare që shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 mln metër katror tokë në Gjirin e Lalëzit, të disponuara me certifikatë qeveritare -thuhet në njoftim. Rruga dhe ky njoftim është shembulli më i mirë që sjell në evidencë të njëjtën skemë, siç ajo e Damir Fazlliçit në Porto Romano, sipas së cilës përdoren vendimet politike të qeverisë, si dhe paratë publike të shqiptarëve për të rritur vlerën e pronave të paligjshme të pushtetarëve", - tha më tej Braçe. Gjithashtu, ai ka denoncuar edhe vjedhjen e parave që janë bërë me tenderin e rrugës, e cila ndryshe nga sa parashikon projekti i shpallur, ka mbetur në gjysmë, ndërkohë që duhet të përfundonte në janar të vitit 2009.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›