E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Fitorja e qershorit do të na ndajë nga e shkuara

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka vijuar turin e tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve, në qytetin e Patozit

Fier - Ndarja me të shkuarën dhe fitorja e zgjedhjeve, për kreun e socialistëve, Edi Rama, mund të vijnë vetëm nga bashkimi i shqiptarëve përtej flamujve dhe kufijve të vjetër të partive. Këtë ka deklaruar dje në Patos dhe Fier, ku është ndaluar në takimin e radhës, një ditë pas çeljes së turit parazgjedhor me rrjetin e vullnetarëve, në qytetin e Vlorës. "Bindja se Shqipëria nuk mund të humbasë edhe 4 vjet të tjera, duke mbetur në të njëjtat duar të paafta, të papërgjegjshme e të korruptuara, do t'i japin shumicës së papushtetshme forcën për t'i dhënë pushtet ëndrrës së saj të parealizuar",- tha Rama, duke falënderuar gjeneratën e re për mbështetjen që jep, për të hapur kapitullin e ri të politikës së qytetarëve.
Duke u përqendruar tek politikat arsimore që PS-ja do t'i ketë prioritet në programin e saj, kryesocialisti premtoi mundësi të barabartë për shkollimin e fëmijëve, pavarësisht vendit ku banojnë. Sipas tij, asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra, asnjë prind që nuk blen dot librat e fëmijës për shkak të varfërisë, nuk do të mbetet pa ndihmë dhe asnjë zonë rurale nuk do të mbetet pa mësues. Kthim të gjimnazeve dhe universiteteve në qendra të dijes, të konkurrencës dhe meritës, ka premtuar më tej ai, përkundër situatës aktuale ku ato janë shndërruar në qendra të lëshimit të diplomave pa vlerë. "Ne do ta çlirojmë konkurrencën, duke nxitur sipërmarrjen, jo me format primitive të çrregullimit total që kryeministri ynë i quan heqje barrierash, po me barazi shansesh e trajtim të barabartë",- ka garantuar Rama në fjalën e tij, duke shtuar se nuk do lejohet ndërtimi i një tjetër oborri qeveritar për kapitalizmin familjar. Për këtë, sipas tij, është i nevojshëm bashkimi, për të garantuar një fitore që të ndërrojë epokën e politikës së politikanëve me atë që qytetarëve dhe jo thjesht për të ndërruar qeverinë e disave me disa të tjerë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›