E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, javën e ardhshme në Kushtetuese

Gjykata pritet që ditën e martë të hapë seancën për të marrë në shqyrtim tre kërkesat, për ta shpallur ligjin antikushtetues

Të hënën, anëtari i sapozgjedhur i Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanza, do të betohet para Presidentit


Pavarësisht akuzave për konflikt interesi, Gjykata Kushtetuese pritet që javën e ardhshme të marrë në shqyrtim ligjin e shumëkritikuar, "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", i njohur ndryshe nga opinioni i gjerë si ligji i dosjeve. Burime pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur dje për "Shekulli"-n, se gjyqtarët e kësaj gjykate janë kthyer të premten nga jashtë shtetit, ku dhe morën pjesë në një seminar disa ditor, dhe me nisjen e javës do të rifillojnë aktivitetin e tyre normal ligjor, atë të shqyrtimit të animimeve nga subjektet e ndryshme për çdo çështje të depozituar pranë saj. Megjithatë, e hëna do të jetë një ditë, e cila do t'i kushtohet ceremonisë që do të zhvillohet në Presidencë, me rastin e betimit të anëtarit më të ri të kësaj gjykate, Admir Thanza, i cili do të plotësojë vendin e mbetur vakant pas largimit të Gjergj Saulit. Me plotësimin e të gjithë trupës prej nëntë anëtarësh, gjykata do të nisë dhe trajtimin e çështjeve gjyqësore. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se seanca e parë gjyqësore, që ka shumë mundësi të mbahet ditën e martë, do t'i kushtohet pikërisht kërkesës së një grupi deputetësh, Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit të Helsinkit për pezullimin dhe shpalljen si antikushtetues të ligjit për pastërtinë e figurës. Pavarësisht se tre kërkesat e mësipërme kanë vetëm një javë që janë depozituar, gjykata ka vendosur që t'i trajtojë ato me përparësi për vetë efektet e prekshme që do të ketë ligji në rast se do të nisë të zbatohet. Për këtë arsye, gjykata do të marrë fillimisht në shqyrtim kërkesën e parë, që ka të bëjë me pezullimin e zbatimit të ligjit. Megjithatë, vendimmarrja për një kërkesë të tillë, më shumë se për çdo çështje më parë, mbetet e paparashikuar, kjo jo vetëm për shkak të interesit shumë të madh që kanë palët në debat, por edhe për vetë faktin e vendosjes së balancave të reja në këtë institucion, me zgjedhjen e Thanzës si anëtar i nëntë. Për ligjin e dosjeve, deri më tani, në gjykatë kanë mbërritur tre ankimime, të cilat pavarësisht neneve që atakojnë, në thelb janë të njëjta, pasi që të tria kërkojnë nga kolegji gjykues shpalljen e këtij ligji si në kundërshtim me Kushtetutën. Të parët që e goditën ligjin në gjykatë, ishin socialistët, të cilët në kërkesën e tyre pretendojnë se ligji i pastërtisë së figurave bie ndesh me 28 nene të Kushtetutës. Socialistët, në padinë e tyre pretendojnë se ligji cenon 6 të drejta kushtetuese, siç janë e drejta e ndarjes së pushteteve, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor, të drejtën për t'u prezumuar i pafajshëm, të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim dhe të drejtën për t'u zgjedhur. Pas socialistëve, ndaj ligjit bënë ankimim Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Kërkesa e prokurorëve atakon gjashtë nene të ligjit të dosjeve, ose më konkretisht nenin 3, germa 'd', neni 4, germa "f", neni 6, neni 14/2/3, neni21, neni 23/3, të ligjit nr. 10034, dt.22.12.2008. Zërit të opozitës, institucioneve të pavarura dhe organizmave ndërkombëtare iu bashkua së fundi edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, si pjesë e shoqërisë civile në Shqipëri. Komiteti i kërkon gjykatës fillimisht të pezullojë zbatimin e ligjit dhe më pas të bëj trajtimin e kërkesës, duke e parë ligjin në themel.


Pretendimet e socialistëve

Dispozita të caktuara në ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", bien ndesh me urdhërimet superiore kushtetuese dhe ligjore.

Ato tejkalojnë rregullimet e parashikuara nga një seri nenesh të Kushtetutës së Republikës dhe me ligje të përforcuara, pasi prezantojnë një shkak të ri për shkarkimin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta.


Rregullimet e prezantuara nga ligji që goditet, cenojnë në radhë të parë pavarësinë e institucioneve të pavarura.


Ndryshimet që mund t'u bëhen këtyre ligjeve të ndryshme ose dispozitave të veçanta të tyre, nuk mund të arrihen nëpërmjet një ligji të thjeshtë, siç është rasti i ligjit të dosjeve.


Në parashikimet e ligjit, konkretisht të neneve të sipërcituara, parashikohet ndërprerje e mandateve të deputetëve të Kuvendit, Presidentit, gjyqtarëve, të zgjedhurve vendorë, edhe në një mënyrë tjetër sa parashikon Kushtetuta dhe ligjet përkatëse.


Neni 5 i ligjit bie ndesh me nenin 124 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet shprehimisht dhe taksativisht se: "Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës".


Ligji bie ndesh, gjithashtu, edhe me urdhërimin e nenit 49, pika e parë e Kushtetutës, ku parashikohet shprehimisht se: "Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë"


Ligji në shqyrtim shkel rëndë parimin e njohur të së drejtës, se nuk ka dënim kolektiv.


Ky rregullim është, gjithashtu, një cenim i të drejtave kushtetuese, praktikisht neni 35, që ka të bëjë me jetën private dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, pasi parashikon të publikojë emrat që do të dalin me dosje.


Cenon rëndë edhe parimin kushtetues të parashikuar me nenin 7 të Kushtetutës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.


Parashikimet e këtij janë një ndërhyrje e pastër në kompetencat gjyqësore.


Ligji, me rregullimet, e tij cenon edhe parimin e prezumimit të pafajësisë


Dispozitat e ligjit bien ndesh dhe me një parim të njohur të së drejtës ndërkombëtare, me parimin e ndalimit të dënimit më shumë se një herë për të njëjtin veprim

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›