E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Hetimet e Gërdecit të penguara nga qeveria

Partia Socialiste ka kritikuar sërish qeverinë se po bën maksimumin për të ndaluar hetimet për ngjarjen tragjike të Gërdecit ndodhur në 15 mars.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp, tha se “Kryeministri nuk ka marrë asnjë veprim administrativ, jo më ndonjë reformë institucionale e ligjore pas kësaj ngjarjeje”.      Një ditë më parë, kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar fjalët se qeveria po pengon hetimin e Gërdecit. Pyetjes së një gazetareje gjatë një konference për shtyp mbajtur me rastin e analizës së punës 7-mujore të qeverisë, se çfarë ndihme po jep qeveria lidhur me hetimin e Gërdecit, pas deklaratës së një diplomati të huaj i cili është shprehur se “qeveria po pengon hetimin e Gërdecit”, Berisha i është përgjigjur: “Nuk ekziston asnjë deklaratë e asnjë diplomati që qeveria po pengon këtë hetim. Lexojeni mirë deklaratën.

 Qeveria ka dhënë ndihmën që i takon ta japë. Ka marrë masat administrative ndaj të gjithë personave potencialisht të lidhur me këtë ngjarje. Së dyti ka vendosur në dispozicion çdo lloj kërkese të bërë dhe së treti qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuar në zbardhjen e të vërtetës së këtij hetimi. Hetim nuk bën dot qeveria. Ata trillojnë. Në qoftë se ka institucion të interesuar për zbardhjen është qeveria shqiptare”- tha Berisha.

Ndërsa pyetjes lidhur me dëmshpërblimet dhe faktet për abuzime me fondet Berisha i është përgjigjur: “Duke mos përjashtuar raste të caktuara sepse në çdo vlerësim kushdo mund mund të bëjë një marzh gabimi, unë them se dëmshpërblimet kanë qenë më të ndershme të bëra ndonjëherë. Kolegë tuaj harxhuan javë të tëra për ti nxjerrë në protestë Gërdecarët por s’ja arritën dot, pasi ne e kemi bërë dëmshpërblimin” – tha Berisha.

Në 15 mars në fshatin Gërdec të bashkisë së Vorës shpërtheu një fabrikë e demontimit të muncioneve me pasojë 26 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›