E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë e gjatë për të jetuar!

Jeta në gjatësinë 2 metra e 48 centimetra nuk ka qenë e lehtë për Sandy Allen e cila mbajti rekordin e gruas më të gjatë në botë, por që nuk arriti të jetojë më shumë se 53 vjeçe.

Gjigantja, Sandy Allen pati një sërë problemesh me zemrën, diabetin, etj. për shkak të gjatësisë së saj dhe gjigandizmit.

“Unë nuk fajësoj zotin që më bëri kaq të gjatë” – tha Allen gjatë një interviste. “Jam shumë krenare që jam e gjatë”.

Ndërkohë që doktorët mësojnë më shumë rreth faktorëve që çuan në zmadhimin e Allen në një njeri gjigant ata po shikojnë edhe një  sërë problemesh që i janë shkaktuar asaj prej gjatësisë.

Zakonisht gjigantizmi shfaqet pas zhvillimit të një tumori në tru. Tumori ndalon që gjëndrat të mbledhin informacion për nivelin e rritjes së hormoneve në trup. Kjo bën që hormonet të rriten gjithmonë pasi nuk janë nën kontroll.

Kur njeriu është fëmijë, hormonet rriten pasi qendrat e rritjes janë të hapura.

Në adoleshencë, receptorët e rritjes mbyllen, kështu që njeriu nuk mund të rritet më. Por vazhdojnë të ndodhin simptoma të tjera, si trashja e kockave, ashpërsimi i fytyrës dhe rritja e këmbëve dhe duarve.

“Nëse sëmundja kapet në moshë madhore, është shumë e vështirë të ndalohet, pasi është e fshehtë” – tha Dr. Vivien Bonert, shef i një klinike mjekësore.

Nëse njeriu rritet jashtë kontrollit, edhe shanset e tij për të vdekur herët janë më të mëdha. Nëse nuk merren ilaçe, mundësia e vdekjes së parakohshme rritet nga dy deri në pesë herë.

Rreth 60% e pacientëve kanë zmadhim të zemrës. Kjo bën që të mos funksionojë mirë barkushja e majtë e saj.

Gjithashtu 60% e tyre vuajnë nga diabeti.

Mjekët rendisin edhe shumë komplikacione të tjera të tilla si; dobësimi i muskujve, prishja e kyçeve, mungesa e gjumit etj.

Studimet kanë treguar se njerëzit gjigantë kanë edhe më shumë shanse për të krijuar tumore.

Bonert thotë se nëse sëmundja e gjigantizmit zbulohet herët, të gjitha problemet mund të parandalohen dhe jeta e njeriut do të jetë mëse normale.

Nëse shohim zgjatjen e një fëmije mund ta kuptojmë menjëherë nëse ai tenton të bëhet gjigant ose jo.

Në pacientët me moshë madhore, kapja e sëmundjes është shumë e vështirë pasi shenjat janë shumë të fshehura.

Një jetë e shkurtër por e mbushur

Vitet e fundit të jetës Allen i kaloi në një azile pleqsh. Rritja e peshës prej gjatësisë së madhe bëri që ajo të kishte vështirësi në të ecur.

Megjithëse jeta për të nuk ishte shumë e lehtë, ajo është përpjekur ta jetojë atë në mënyrat më të mira të mundshme.

“Më pëlqen jeta ashtu siç  vjen” – kishte thënë Allen në një intervistë në 2007-ën. “Duke marrë çmimin Gunness mu dha mundësia të shëtisja gjithë botën, dhe të shikoja vende që i kisha parë vetëm në ëndërr”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›