Aksidentet në Tiranë, 3 të vdekur 6 të plagosur
TIRANË- Përgjaken rrugët e kryeqytetit, brenda 48 orëve janë regjistruar gjashtë aksidente me tre të vdekur. Megjithëse policia ka deklaruar për një sërë masash që kanë marrë rrugorët me qëllim uljen e numrit të aksidenteve, rrugët e kryeqytetit kanë shkaktuar viktima. Dy ditë më parë, specialistët e hetimit të aksidenteve janë njoftuar për tre ngjarje rrugore të ndodhura në kryeqytet ku fatmirësisht nuk janë shënuar viktima. Pavarësisht se në kryqëzimet e kryeqytetit konstatohen forca të shumta të policisë rrugore e asaj të rendit, të cilët stimulojnë uljen e shpejtësisë së makinave, si dhe masat e tjera që policia ka marrë sërish, numri i aksidenteve është rritur frikshëm, ku pothuajse çdo ditë shënohen viktima.
Aksidentet
Vetëm dy ditë më parë, policia ka çuar në qeli tre persona si përgjegjës të aksidenteve të ndodhura në Tiranë. Kështu një emigrant 19-vjeçar i identifikuar si Sokol Baci u arrestua sepse në kryqëzimin e rrugëve “Avdyl Frashëri” me rrugën “4 Shkurti”, duke drejtuar makinën e tij është përplasur me motorin e drejtuar nga Ilirjan Lika, 45 vjeç. Për pasojë, ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme. Në pranga ka rënë edhe Rexhep Doka, 27-vjeç, sepse në rrugën e “Dibrës”, duke drejtuar motorin ka aksidentuar këmbësorin Enver Zeneli, 65-vjeç, i cili ndodhet në SQU, në gjendje të rëndë shëndetësore. Po në të njëjtën ditë u arrestua Ervin Anastasi pasi ka përplasur 16- vjeçarin Kastriot Hoxhallari, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa tri ditë më parë, në rrugën “Myslym Keta” Eduart Duka, 40-vjeç, ka përplasur me automjetinnjë motor, që drejtohej nga Bart Pavli, 25-vjeç dhe për pasojë ky i fundit gjeti vdekjen. Gjithashtu u arrestua Klajdi Dervishi, 26-vjeç, pasi aksidentoi 52-vjeçaren Vjollca Disha, si dhe djalin e saj Klaudio Disha, 18 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që një aksident ende paautor të identifikuar ndodhi në afërsi të kthesës së Kamzës ku gjeti vdekjen këmbësori Përparim Laci, 50-vjeç.
-------------------------------------Policia: Emigrantët, shkaktarë të aksidenteve
Shpejtësia tej normave të lejuara, dhe papërgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve është shkaku i aksidenteve që kanë ndodhur në Tiranë tri ditët e fundit. Të paktën këtë version ka deklaruar policia rrugore e cila thekson se janë shtuar masat për të evituar ngjarjet rrugore gjatë këtij sezoni ku në Tiranë kanë mbërritur edhe emigrantë. Këta të fundit janë bërë shpeshherë protagonistë të aksidenteve. Përballja me të tjera rregulla rrugore, si dhe të bindur se drejtuesit vendas respektojnë rregullat e qarkullimit por që për ta rezulton e kundërta, janë shkaqet kryesore që bëjnë protagonistë aksidentesh emigrantët. “Emigrantët janë mësuar me rregulla strikte jashtë vendit, dhe në momentin që do të parakalojë një automjet ata janë të bindur se ai nuk do devijojë për t’i zënë rrugën por në fakt ndodh e kundërta, duke çuar dhe në përplasjen e mjeteve. Por ndodh që emigrantët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit pasi janë të sigurt se në vendin e tyre nuk mund të ndëshkohen” thanë për “Shekullin” burime nga policia.
a