E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incesti i Gramshit, vrasësi rrëfehet në gjykatë

Ilirian Koçi kishte veshur të njëjtën bluzë që kishte ditën e krimit dhe me kokën poshtë ka pranuar gjithçka

ELBASAN- Me të njëjtën bluzë të kuqe, me sy të përhumbur dhe me kokën poshtë, 27- vjeçari Ilirian Koçi është shfaqur para trupit gjykues ku ka treguar vrasjen e kushërirës me të cilën kishte dy vjet që kishte një lidhje dashurie. Më shumë se i bindur, ai ka pranuar krimin duke i thënë gjyqtarit gjatë pyetjeve se kishte vendosur ta kërcënonte fillimisht por më pas kur kishte parë reagimin e saj kishte vendosur ta qëllonte. Prokurori Ilir Gjevori ka kërkuar arrest me burg për veprën penale vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ka zgjatur vetëm disa minuta dhe i riu që ka pranuar krimin e vrasjes më shumë se i penduar është shfaqur i dorëzuar duke pranuar t’i përgjigjet të gjitha kërkesave të gjyqtarit dhe prokurorit. Ai ka deklaruar se ka vrarë vajzën e dajës, Greta Xhaferrin pasi ajo kishte vendosur të ndahej nga ai pas një lidhje prej dy vjetësh. Ai ka thënë në gjykatë se nuk kishte si qëllim ta vriste por situata i kishte shkarë nga duart. Në seancën e djeshme Ilirian Koçi është “braktisur” edhe nga familjarët, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në seancë. Dhe veç sallës bosh autori që ka pranuar krimin nuk ka parë gjë tjetër veç hekurave të vendit për të pandehurit. Ai është transportuar menjëherë pas masës së sigurisë në drejtim të Burgut të Peqinit.

Vrasja e Greta Xhaferrit në lagjen “18 gushti” ka tronditur të gjithë banorët e qytetit të vogël të Gramshit. Më shumë se krimi ajo që ka tronditur më tepër ka qenë historia e incestit mes dy kushërinjve të parë që solli edhe tragjedinë. Ndërsa qyteti heshtte për këtë histori të pabesueshme, krimi i vrasjes do të zbulonte gjithçka. Vetë autori i krimit pasi është kapur jo shumë larg apartamentit ku jetonte Greta Xhaferri ka pranuar gjithçka dhe madje me detaje ka dashur të tregojë atë që ndodhi. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në sallën e gjyqit por në sytë e tij nuk janë shfaqur shenja të pendimit për krimin e kryer. Gjatë ditëve në vazhdim, 27- vjeçari do t’i nënshtrohet edhe ekzaminimit neuropsikiatrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›