E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Janë 35 poste zv.ministrash më shumë se në çdo qeveri tjetër”

Kriza ekonomike, Berisha i shpërblen zv.ministrat në kurriz të taksapaguesve shqiptarë
Eneida Jaçaj

Partia Socialiste ka denoncuar qeverinë e kryeministrit Sali Berisha për shpërdorim të taksave të qytetarëve shqiptarë. Deputeti Erion Braçe deklaroi dje se qeveria ka 35 poste zëvendësministrash më shumë se çdo herë tjetër, që prej vitit 1912. Ai deklaroi se qeveria, për shkak të zgjedhjes së saj, po shpenzon pa moral gjithnjë e më shumë të ardhura për të shpërblyer me poste shtesë zv.ministrat në një periudhë krize ekonomike.
Numri i posteve
Duke iu referuar numrit të posteve të zëvendësministrave, deputeti Braçe ka dalë në përfundim se janë të tepërta, duke bërë që të bien në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Ai shprehet se në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë 2 zv.ministra, në Ministrinë e Integrimit janë po ashtu 2 të tillë. Braçe vijon se në Ministrinë e Bujqësisë janë 2 zv.ministra edhe në Ministrinë e Mbrojtjes janë 3 poste të tilla. Në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Financave janë 2 poste zv.ministrash. Në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Transporteve janë 3 poste zv.ministrash. Në Ministrinë e Punës dhe në Ministrinë e Arsimit janë 2 poste zv.ministrash. Në Ministrinë e Kulturës janë 3 poste zv.ministrash, ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë janë 2 të tilla. Në Ministrinë e Mjedisit janë 3 poste zv.ministrash. Deputeti Braçe theksoi se shpenzimet e mëdha për postet e qeverisë do të ishin një ndihme e madhe për të papunët dhe pensionistët. “Për të gjithë shqiptarët që paguajnë vetëm për 35 zv.ministra, llogaria në muaj është kjo: 4 666 666 lekë në ditë, 194 444 lekë në orë,
3240 në minutë. Pra, shqiptarët paguajnë sot 2.3 euro çdo minutë vetëm për 35 zv.ministrat, plus të tjera euro që paguajnë për 16 ministrat që kanë e që nuk shërbejnë”, - deklaroi deputeti Braçe.
Shpërblimet
Në kohën kur qeveria shpërblen dhe shton poste zv.ministrash, Partia Socialiste shqetësohet për krizën ekonomike që ka mbërthyer familjet shqiptare.
Deputeti Braçe tha se çmimet e produkteve ushqimore, bujqësore e të përpunuara, po rriten; çmimet e shërbimeve jetike, drita, ujë, ngrohje, shëndetësi, arsim, strehim. Ndërkaq, Braçe u shpreh se gjithashtu taksat për qytetarët dhe për biznesin po rriten, monedha në përdorim të përditshëm po zhvlerësohet dhe zëvendësohet me një tjetër edhe më të shtrenjtë. Sipas tij, të ardhurat për familjet, bizneset, qeverinë, funksionet bazë të shtetit, po bien duke thelluar çdo orë gropën e krizës dhe pamundësinë e shtetit për të shërbyer. Ndërsa borxhet për familjet, bizneset, qeverinë, tha Braçe, po shtohen me një rritëm të frikshëm. “Pra, për shkak të krizës bizneset po paguajnë e do të paguajnë çdo orë më shumë se më parë. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha, për shkak të zgjedhjes së saj, po shpenzon pa moral, gjithnjë e më shumë”, - u shpreh Braçe.

Dade: “Deputetët e LMN-së komandohen nga kryeministri Berisha”

Konflikti mes drejtuesve të Partisë Socialiste dhe 5 deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe që kërkojnë futjen e PS-së në Parlament po thellohet më shumë. Sekretarja Ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, deklaroi dje në një emisionin televiziv se LMN-ja tashmë komandohet nga kryeministri Berisha, duke iu referuar edhe takimeve më të fundit të tyre me europarlamentarë të ndryshëm për çështjen e bojkotit. “Ata kanë zgjedhur këtë rrugë. Flasin me gjuhën e Sali Berishës. Flasin me praktikat dhe hipotezat e Jozefina Topallit. Derisa pranon të jetë në delegacionin që emëron zonja Topalli, do të thotë që ka miratuar këtë akt që zonja Topalli ka bërë. Pavarësisht se nuk ka bërë betimin, emri ishte në delegacionin e Këshillit të Europës. Zoti Islami vërtet s’ka vajtur, por praktikisht nuk është shprehur për këtë fyerje që zonja Topalli i ka bërë personalisht zotit Islami duke e përfshirë në delegacion”, - tha Dade.
Dade u ndalur edhe te emrat e përveçëm si Andis Harasani dhe Kastriot Islami, duke hedhur hije dyshimi mbi karrierat e tyre politike. “Është për të ardhur keq që janë gjithmonë të njëjtët emra që vazhdimisht kanë krijuar këto probleme. Kjo nuk do të thotë se ata janë më demokratë sesa ne që respektojmë vendimet politike. Unë personalisht nuk i përkas asnjë grupimi dhe nuk kam qenë asnjëherë shumë pranë liderëve. Kanë qenë të tjerët ata që janë inkurajuar në politikë vetëm pse i kanë shërbyer liderëve”, - u shpreh Dade. Socialistja Dade nuk i kurseu akuzat edhe për europarlamentaren Doris Pak, ndërsa e cilësoi si të turpshme takimin e deputetëve të LMN-së me të. “Me këtë që kanë bërë, deri edhe në mënyrë joinstitucionale, kanë shkuar dhe kanë takuar znj. Doris Pak që për shqiptarët s’do të thotë asgjë. Nuk e shpall si armike të popullit, por ka qenë e njëanshme. Është 1/700 pjesë e Parlamentit Europian. Është dukshëm e djathtë dhe qorrazi mbështet Sali Berishën. Në një kohë kur Sali Berisha e ka çuar vendin drejt greminës, sigurisht ka pasur edhe momente që nuk e ka mbështetur për hir të së vërtetës, sepse është detyruar të ketë një farë realizmi”, - tha Dade.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›