G99-a, tryezë për regjistrimin e popullsisë sipas fesë dhe etnisë
Çështja e regjistrimit të ri të popullsisë mbi bazë feje dhe përkatësie etnike qëndron në bazë të diskutimit të tryezës që u zhvillua dje në hotel “Tirana International”, e organizuar nga G99-a. E kthyer tashmë në një debat ndër më kryesorët të jetës politike në vend, pas publikimit të idesë mbi projektin nga kryeministri Sali Berisha, ajo tashmë po shoqërohet me reagime pro dhe kundër, nga të gjitha kahet e politikës, si dhe përfaqësues të fushave të ndryshme studimore. Kështu, Rexhep Meidani, ish-President i Republikës, gjatë tryezës së lartpërmendur bëhet me dije se mbajti referimin me titull “Perspektiva politike e regjistrimit të popullsisë dhe përfshirjes së elementeve fe/etnicitet”, temë kjo e njëjtë e trajtuar edhe nga Pëllumb Xhufi, si historian dhe politikan. Nga ana tjetër, Milva Ekonomi, ish-drejtore e INSTAT-it dhe përfaqësuese e institutit “Axhenda”, ka referuar lidhur me çështjen e regjistrimit të ri të popullsisë mbi bazë feje dhe përkatësie etnike, duke analizuar konkretisht perspektivat teknike të regjistrimit të ri që propozon qeveria.
3 Shkurt 2010