Qeveria thyen rekordin e shpenzimeve në 2009-n, 41 milionë dollarë më shumë
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka thyer të gjitha rekordet dhe parashikimet për sa i përket shpërdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë gjatë vitit 2009. Duke e justifikuar veprimin me “vitin elektoral”, qeveria dhe institucionet në varësi të saj kanë shpenzuar vetëm si shpenzime operative e mirëmbajtjeje plot 270 milionë dollarë. Kjo shumë e konsiderueshme ka kapur një rritje prej 18 për qind ose mbi 41 milionë dollarë kundrejt vitit 2008. Kjo gjë bëhet e ditur nga një raport i Ministrisë së Financave për ecurinë ekonomike, i cili sqaron në mënyrë të detajuar skemën e shpërdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë. Shpenzimet operative konsistojnë në pagesën e shërbimeve të makinave, naftës e kancelarive të ndryshme për zyrat, të cilat gjatë vitit të kaluar u konsumuan me bollëk veçanërisht për shkak të fushatës elektorale që zgjati shumë muaj dhe angazhoi pa kufizim të gjithë administratën publike. “Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë 11-mujorit 2009 arritën në rreth 26.2 miliardë lekë, duke qenë rreth 3.7 miliardë lekë nën nivelet e parashikuara, ose rreth 12.4 për qind nën parashikimin e periudhës. Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime deri në fund të muajit nëntor kanë arritur në nivelin 75.6 për qind të planifikimit vjetor. Në të njëjtën kohë, ato rezultojnë rreth 4.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë ose rreth 18.3 për qind më të larta”,- thuhet në raportin e Ministrisë së Financave. Shpenzimet operative janë rritur edhe më shumë se sa shpenzimet e përgjithshme të buxhetit.
Shpërdorimi i fondeve
Përpëlitjet e qeverisë për të siguruar fondet e duhura për të paguar pagat e administratës, duket se nuk do të kenë rezultat këtë vit. Vetëm ankandet e obligacioneve dhe bonove të thesarit të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë, ose marrja e një kredie tregtare mund të shpëtojë qeverinë nga kolapsi momental. Situata e krijuar në fund të vitit 2009, ka përgjegjës të vetëm qeverinë, e cila shpërdoroi të gjitha fondet e atij viti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në atë kohë një pjesë e mirë e administratës shtetërore e angazhuar në fushatën elektorale për shefat e tyre në maxhorancë, përfituan nga dy paga shpërblim, në një kohë që shpenzimet e tjera për fushatën në çdo dikaster shkuan lum. Po kështu, as fondet që u tepruan dikastereve dhe që duhet të rialokoheshin për në fund të vitit, nuk u administruan si duhej nga Ministria e Financave por u bënë “rrush e kumbulla” nga institucionet që blenë makina e pajisje zyrash, apo ndanë shpërblime për titullarët.
Mosmarrja e pagës
Pjesa më e hidhur për të gjithë punonjësit e administratës ishte fjalia e fundit e urdhrit të dalë nga Ministri i Financave. Aty sqarohej në mënyrë eksplicite se mosmarrja e pagës së 13-të ose shpërblimit të fundvitit janë e keqja më e vogël, pasi punonjësit nuk do të marrin as rrogën. "Me porosi të drejtorit të Thesarit, Ju sqaroj edhe një herë se pagat e muajit dhjetor 2009 (mujore ose 15-ditëshit të parë ose të dytë) do të ekzekutohen vetëm në Janar 2010", - thuhej në fjalinë e fundit të urdhrit të ministrit të Financave, Ritvan Bode. Pra, jo shpërblimi i fundvitit, por as paga e muajit, ajo që merret në fund të 15-ditëshit të parë, nuk do t'u jepet këtë vit punonjësve të administratës, sepse qeveria nuk ka para. Zbatimi i këtij urdhri i dha efektet e para dy ditë më parë teksa ato pak institucione që marrin pagën më datë 15, kanë parë që gjendja e llogarisë së tyre nuk është rritur. Ata kanë pyetur në zyrat e financave dhe kanë mësuar lajmin e keq për bllokimin e pagave dhe shpërblimeve të fundvitit. Në disa prej institucioneve është hedhur në bankë fondi i shpërblimit të fundvitit, por brenda ditës është tërhequr sërish. Të gjithë punonjësve u është premtuar që paga dhe fondi special do t'u jepej më 15 janar 2010. Vendimi i qeverisë, nuk lejohen shpërblimet më shumë se një pagë.
3 Shkurt 2010