E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Presidencë kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Momir D. Gjuroviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Gudar Beqiraj dhe ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç. Pasi i uroi akademikut të shquar malazez mikpritjen në Shqipëri, presidenti Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve të dijes dhe shkencës në fusha të ndryshme si kërkimi shkencor, projekte të përbashkëta integrale për ekosistemin e njëjtë që ndajmë në veri me liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe gjithë pellgun ujëmbledhës etj. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve miq dhe fqinj dhe nivelin e lartë të dialogut politik, duke vënë në pah faktin se popujt tanë janë orientuar tërësisht drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe europiane. Presidenti Topi shprehu mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për organizmin e konferencave të përbashkëta dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi të frytshëm akademik e shkencor. Nga ana e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Momir D. Gjuroviç, pasi e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për pritjen e ngrohtë, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës mes dy akademive me anë të marrëveshje dypalëshe, studimesh integrale ujore, shfrytëzimin e ekosistemit, ruajtjen e ambientit në të mirën reciproke të dy vendeve tona si dhe për organizimin e konferencave të përbashkëta me akademikë nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›