E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruka: “Në tavolinën e dialogut të ulen përballë vetëm Rama dhe Berisha”

PS: Presidenti Topi të përshpejtojë mbledhjen e tryezës së dialogut
Eneida Jaçaj

Partia Socialiste ka deklaruar vullnetin e saj për t’u ulur në tryezën e dialogut, duke respektuar edhe kërkesën e Rezolutës së Këshillit të Europës për t’i dhënë zgjidhje krizës. Deputeti socialist, Et’hem Ruka, ka kërkuar dje në një komunikim për mediat se në tavolinën e dialogut duhet të ulen kryetari i PS-së Edi Rama dhe kryetari i PD-së, njëkohësisht edhe kryeministër i vendit, Sali Berisha. Deputeti Ruka sugjeroi se një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme për vendin, por as edhe për faktorin ndërkombëtar. Madje kjo, sipas tij, nuk do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe nga ndërkombëtarët. Deputeti Ruka theksoi se PS-ja inkurajon Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për organizimin e kësaj tavoline, duke shpresuar se Topi do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë sa më parë.
Deklarata
Deputeti Ruka, në emër të PS-së, shpreh shqetësimin se kryeministri Berisha po anashkalon tryezën e dialogut, duke hedhur poshtë rekomandimet e Këshillit të Europës. “Për fat të keq konstatojmë se Partia Demokratike po dëshmon vullnet negativ për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar kështu të thellojë edhe më shumë krizën që ka pllakosur gjithë jetën e vendit”, - u shpreh Ruka. Deputeti socialist theksoi se hetimi i zgjedhjeve nuk do të ndryshojë rezultatin e tyre në tavolinë. “Dëshiroj që në emër të Partisë Socialiste të rikonfirmoj qartazi dhe pa asnjë ekuivok se PS-ja, me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e Parlamentit aktual. Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”, - deklaroi deputeti Ruka.
Protestat
Nëse kryeministri i vendit Sali Berisha nuk do të marrë parasysh kërkesën e opozitës, por edhe të Këshillit të Europës, atëherë PS-ja pa diskutim do të vijojë protestat popullore në javët që vijnë. “Partia Socialiste, në përgjigje të vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që votuan për të, në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting do të ketë vetëm një kërkesë: Hap kutitë, ose largohu!” - deklaroi deputeti Ruka. Kreu i PS-së, Edi Rama, e ka paralajmëruar duke deklaruar çdo ditë se mosrealizimi i tryezës së dialogut për hapjen e kutive do të bëjë që opozita të vijojë protestat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas shefit të opozitës, kryeministri Berisha është përgjegjësi, por dhe i vetmi njeri që ka në dorë fundin e bojkotit. Duke theksuar se nuk do të ketë asnjë hap pa pasur më parë një marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve, shefi i socialistëve deklaroi se në situatën e krijuar dy janë mundësitë: protestat, ose hapja e kutive. Kreu i PS-së e ka konsideruar hapjen e kutive një të drejtë të patjetërsueshme të Parlamentit përmes hetimit parlamentar, duke theksuar se hapja e kutive është një e drejtë e secilit prej nesh, e çdo qytetari të këtij vendit për t’u informuar lidhur me dokumentet që gjenden në kutinë e votimit dhe për fatin e votës së tij. Rama ka nënvizuar se ato dokumente nuk janë as sekret shtetëror dhe as dokumente në hetim, dhe vetëm në këto raste ka pengesë për hapjen e dokumentit shtetëror.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›