E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Kodi i ri zgjedhor të hënën në parlament

Intervista/ Erion Braçe shprehet se njëri prej udhëheqësve politikë të LSI-së ka kërcënuar se do ta djegë PS me benzinë

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, flet për grevën e urisë së dhjetë deputetëve dhe rrugën që do të ndiqet për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ai gjykon se greva bëhet për interesa të ngushta të disa individëve që kërkojnë me patjetër pushtet.

Z.Braçe komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka përfunduar draft-kodin e ri zgjedhor. Si do të veprohet më tej, do të kalojë direkt për miratim në Kuvend apo do të tentohet të gjendet një kompromis edhe për pikat që kanë patur kontestime?

Ajo që mbetet është diskutimi, debati i hapur, serioz dhe transparent në Kuvend. Natyrisht miratimi i tij me votën e cilësuar që kërkon Kushtetuta. Theksoj transparent dhe serioz sepse gjatë gjithë këtyre ditëve është gënjyer në mënyrëkriminale por dhe banale në raport me nenet e Kodit. Veçanërisht me nenet e procesit të administrimit të votës, prame numërimin e saj. Është thënë vazhdimisht gjatë këtyre ditëve dhe janë gënjyer pafundësisht shqiptarët nga gjysmakë që ende vazhdojnë të mbijetojnë në politikë, që PS ka marrë dy anëtarë ndër katër anëtarët e grupit të numërimit të votës, pra një më tepër se në zgjedhjet e vitit 2005. Do t’ju kërkoja që ta botoni nenin që bën fjalë për grupin e numërimit të votave. Sipas tij, PS vazhdon të ketë një anëtar, ashtu siç edhe PD do të ketë një anëtar. Pra PS do kete 1 ne 4 numërues. Gjysmën e numëruesve do ta kenë partitë e vogla të cilat nuk janë specifikuar me emra, por numëruesit e tyre do të zgjidhen me short midis të gjitha partive, të ndara në të majta e në të djathta, pa përjashtuar kurrkënd. Së dyti, në këtë nen është vendosur qartësisht se i gjithë procesi i numërimit të votave do të kryehet me kamera në tavolinë, do të regjistrohet nga kamerat në tavolinë dhe rezultati i çdo flete votimi do të shfaqet në një ekran të madh për çdo tavolinë të numërimit të votave. Kjo do të thotë që procesi do të jetë tërësisht transparent, nën regjistrimin e kamerave, në sytë e vezhguesve dhe kujdo tjetër që është i interesuar. Pra vota do të numërohet ashtu siç hidhet dhe jo ashtu siç e duan politikanët. Përmenda pak më lart që Kodi duhet të votohet në sallën e Kuvendit dhe ne jemi të vendosur që këtë ta bëjmë që në seancën e së hënës. Ne nuk mund të pranojmë që ligje të tjera të rëndësishme për shqiptarët, madje parësor për shqiptarët siç është buxheti i shtetit i vitit 2009 që lidhet drejtpërdrejtë me krizën më të thellë ekonomike dhe financiare që parashikohet të kalojë vendi e që mund të masakrojë edhe me buxhetet familjare të shqiptareve, të diskutohet në kushte anormale në sallën e Kuvendit. Kështu që detyrimi i parë dhe themelor ështëvotimi i Koditqë në seancën e parë të javes së re. Topalli duhet të dijë që ne, të hënën nuk do të jemi pjesë e cirkut të saj. Kuvendi i saj ka nevojë për "paptest", jo për lodra shifrash. Ne do të jemi atje vetëm për kodin.

Ky projekt-kod është bërë shkak për ngujimin e dhjetë deputetëve në grevë urie pikërisht në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Si do ta vlerësoni këtë veprim dhe si do të veprohet për zgjidhjen e kësaj çështje?

Po e rithem: nga pikëpamja humane askush nuk e kërkon një veprim të tillë ekstrempër cilindo, pavarsisht se është aleat apo kundërshtar i yni. Dhe pavarsisht se mes tyre ka miq të mi apo dhe ndonjë sharlatan që nuk e meriton fare këtë fjali humane. E kam fjalën për atë sharlatanin që ka mbërritur në politikën shqiptare të pas 90-tës nga zgëqet më të ndyra të regjimit komunist, nga ato zyra-biruca që kanë persekutuar njerëz dhe që ka vijuar të mbijetojnënë politikë për 18 vjet të tjera, nga zgëqet më të ndyra të kriminalitetit. Nga pikëpamja politike do të thosha që greva është triumf i berishizmit. Berishizmitashmë njihet në politikë si produkti më i dukshëm i Sali Berishës e që ka në tërësinë e tij dhe mjetet e të bërit politikë. Sali Berisha solli dhe përdori në politikën shqiptare genjeshtrën, demagogjinë, imponimin, shantazhin, dhunën, konfliktin, refuzimin e votës si element themelor i demokracisë e formësimit të institucioneve dhe funksionimit të tyre, përplasjen edhe fizike, mungesën e respektit, poshtërimin dhe pushtimin e institucioneve me të gjitha format, nga sulmi me çdo lloj mjeti, shishe benzine, arkivol, kallashnikov, me antitank apo edhe me tank. Deri tek pushtimi i institucioneve që ne shohim sot. Të gjithë ata që akuzojnë PS për marrëveshje me Sali Berishën nisen nga kjo frymë që identifikohet si Berishizëm. Këta politikanë e kanë Sali Berishën brenda qenies së tyre, si model, si veprim, si aksion politik, si biznes por edhe si mbijetesë në këtë copëz botë politikë që shqiptarët e thjeshtë kanë nisur ta urrejnë e braktisin gjithnjë e më shumë. Berishizmi pavarësisht see përfaqëson Sali Berisha apo ndonjë tjetër nuk ka të bëjë me interesat e Shqipërisë apo të shqiptarëve dhe ka si produkt një situatë anormale permanente në Shqipëri që ka demtuar rëndë imazhin e vendit. Por mbi të gjitha i ka bërë dëm shqiptarëve dhe favor për të vjedhur, pasuruar e mbijetuar tamam si në një biznes kriminal Sali Berishës, familjes së tij dhe cilësdo familje tjetër politike sado e vogël qoftë ajo. Nisur nga kjo, gjykimi im i trishtë mbetet: ajo që po ndodh në sallën e Kuvendit, humanisht apo politikisht është triumf i Berishizmit si frymë, si aksion, si mjet, si produkt politik që u mohon shqiptarëve të jetuarin normal në nje vend europian. Kënaqësia më e madhe për Berishën sot është jetësimii filozofisë së tij si mënyrë sunduese veprimi e mbijetimi në politikë. Fati ynë është që shqiptarët këtë nuk e duan më. Ne po u garantojmë atyre votën për të ndëshkuar këtë politikë që nuk u jep të ardhme por konflikt e varfëri për të ngjizur një shpresë të re në këtë vend për cilindo. Kjo natyrisht i ka shërbyer atij për të vazhduar vjedhjet, grabitjet, larg vëmendjes së shqiptarëve që duhet të rrinë dhe të dëgjojnë lajme banale për njerëz që nuk duan të hanë.

Sa po i shërben kjo situatë kundërshtarëve tuaj real politikë?

Çdo gjë shkon atje ku deshiron Berisha. Sherbim më të madh për Sali Berishën sesa kjo nuk ka. E thashë në parlament dhe pak ditë më parë se e drejta për të refuzuar çdo lloj akti legjislativ i takon kujdo. Edhe forma me të cilën, cilido, kërkon të kundërshtojë është zgjedhje e gjithësecilit. Pra edhe greva e urisë. Por e gjitha kjo bie ndesh me atë që po kalon Shqipëria, me atë që po kalojnë kategori të tëra sociale në këtë vend. E shpërfill, e shpërdor atë. Banalizimi i një mjeti demokratik siç është greva urisë nga politikanët, natyrisht që i heq të drejtën gjithë të tjerëve ta përdorin si mjet. Pra të gjithë nevojtarëve, të mjerëve të Sali Berishës që e kanë të domosdoshme për ta përdorur atë, si mjet për të fituar të drejtën e tyre përtë jetuar, siç minatorët që ndahen nga kjo botë e ndyrë çdo tre ditë, ish-ushtarakët, pensionistët, të papunët, të sëmurët që kërkojnë ilaçe në spitale, talasemiket që duan gjak, peshkatarët, bujqit, të rinj e të reja- të porsamartuar që mbysin të ardhmen me bar miu apo në kanalin e premtuar që i çon në vendin fqinj e shumë të tjerë. Të gjithë këta janë në grevë, përdite, paçka se nga kuvendi nuk duken, në grevë urie madje, jo se refuzojnë të hanë por se s’kanë ç’të hanë. Kjo është diferenca midis "politikës për politikanët" dhe nevojave ulëritëse që kanë sot qytetarët dhe që refuzohen në mënyrë skandaloze nga Sali Berisha. Kjo natyrisht që është në shërbim të qeverisjes së "qetë" që këto tre vite është simbolizuar më se shumti nga korupsioni, nga vjedhja, nga skandalet,nga vendimarrja- jo për shqiptarët- për familjet në pushtet e në politike qe ka pasuruar politikanë e ka vrarë shqiptarë, që ushtrohet në qeveri por ushtrohet dhe në parlament. Do të ishte krejt normale që secili nga deputetët të protestonte në çdo lloj mënyrë, edhe ekstreme kundër vendime që u morën në parlament për të vrarë 26 veta në Gërdec. Por askush nga këta që sot janë në grevë nuk e beri. Kundër vendimeve në parlament që garantojnë tregtimin e barnave por jo furnizmin me barna nëpër spitale, kundër vendimeve që risin rrogat e deputetëve, ministrave dhe kryeministrit, por që pakësojnë gjithnjë e më tepër rrogat e atyre që shërbejnë në shtet apo punojnë kudo me djersën e ballit. Pra ky akt po i shërben Berishës edhe në këtë pikapmje, të largimit të vëmendjes nga problematikat themelore të qytetarëve dhe arratisje diku tjetër, në mbijetesën personale mbi karrige politike që shitet për betejë ndaj Berishës. Beteja ndaj Berishës nuk fitohet me komisionerë, asnjëherë, por fitohet vetëm me vota dhe mbi të gjitha me vota plebishitare. Pra me popull jo me numërues. Një komisioner është përfaqësues i ligjit, jo një luftetar politik pjesë e betejës së partisë së tij, shpesh e përqendruar tek abuzimi me votën. Për të mundur Sali Berishën, ne na duhet shpresa e njerëzve, alternativa që i kthen ata në pjesë të politikës për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Kjo situatë ka bërë edhe me të thellë hendekun mes PS-së dhe LSI-së. Si mendoni se do të mund të rikuperoni këtë dizavantazh për të garantuar të paktën një qeverisje të përbashkët pas zgjedhjeve, pasi siç dihet tashmë bashkëpunimi parazgjedhor është bërë pothuajse i pamundur?

Ne gjatë gjithë veprimit tonë politik në popull kemi vënë në qendër të vëmendjes një tjetër bashkim dhe një tjetër bashkëpunim: bashkimin me çdo shqiptar që kërkon një jetë tjetër më të mirë në atdheun e vet. Kemi patur një synim të qartë që t’i japim shqiptarëve atë që kërkojnë, atë që meritojnë dhe që është një ardhme këtu dhe jo jashtë kufijve të Shqipërisë. Bashkimet e partive apo të politikanëve kanë dëshmuar për 18 vjet rresht në Shqipëri se janë shumë pak para bashkimit me shqiptarët. Bashkimi numerik i disa partive u ka shërbyer politikanëve të tyre, mirëqënies, pasurimit, karierës s’ tyre, por nga ana tjetër dhe harrimit, lëngimit, mashtrimit, poshtërimit, varfërimit të shqiptarëve. Nga kjo pikëpamje ajo që ne synojmë është bashkimi me shqiptarët dhe jo një bashkim numerik partish, që në fund ka si produkt atë që ka prodhuar qeverisja e Sali Berishës ndarjen e plaçkës së zgjedhjeve, ndarjen e ministrive, e drejtorive- plaçkë, më tej të parave e të mirave publike në duart e disa ministrave që përfaqsojnë disa parti dhe që punosojnë disa militantë të tyre, pavarsisht se çfarë janë, tëvogla apo të mëdha. Gjatë gjithë këtyre ditëve kam dëgjuar artikulime nga më të çuditëshmet që mund t’i dedikohen cilësdo mendje të çmendur por jo mendjeve të hapura të cilat e kanë të huaj teorinë e dhunës, apo mendjeve që duan të bashkëpunojnë. Kam dëgjuar se njëri prej udhëheqësve politikë në këtë vend në një forum të lartë të partisë së tij ka thënë se "do ta djeg PS me benzinë, do t’i vë zjarrin PS-së me benzinë". Natyrisht nuk ka për të ndodhur dhe pse goja pi benzinë e vjell zjarr. Por kjo është shprehje e faktit që edhe kur artikulohet bashkëpunim mes partive politike ajo është thjesht dhe vetëm për fasadë. Sot, me modesti, do të doja të kujtoja që ca njerëz dhe ca familje politike janë në borxh shumë të madh me popullin socialist, borxh që buron nga viti 2005, borxh i cili për shkak të qeverisë represive të Sali Berishës, është kthyer në faj, për të cilin ende nuk kanë kërkuar falje. Apo, ka disa familje të tjera politike që vazhdojnë të mendojnë humbjen, kanë më shumë se një vit që flasim vetëm për humbjen, familje të cilat nuk kanë si synim fitoren e opozitës por humbjen e PS-së. Kështu ishte në 2005, keshtu vazhdon të jetë edhe sot. U justifikua në 2005 që të humbte Fatos Nano, por nuk mund te justifikohet sot apo nesër që të humbë Edi Rama. Gjithnjë në shërbim të ambicies së pandershme për t’u rikthyer në karrigen e kryeministrit. Edhe këtu si Berisha. Ky është një borxh i ri që nuk kanë për ta falur kurrë socialistët. Sot PS përfaqson interesat e një shumice dërrmuese të popullit shqiptar pavarësisht se kujt i përket e ku qëndron, në të majtë, në qendër apo në të djathtë. Që kërkon një shpresë të re e një të ardhme krejt të ndryshme nga e tashmja që i shpërfill, poshtëron apo dhe vret. Ndaj të kesh synim sot humbjen e PS-së, nuk do të të zgjidhë kurrë punë e hall për biznesin tënd politik, do të thotë të synosh të ndash të ardhmen me Sali Berishën, në një tango të vërtetë plot pasion por që kërcehet mbi kurrizin e bërë shollë të’ shqiptarëve.

“Pavarsisht se mes tyre ka miq të mi apo dhe ndonjë sharlatan që nuk e meriton fare këtë fjali humane. E kam fjalën për ate sharlatanin që ka mbëritur në politikën shqiptare të pas 90-tës nga zgëqet më të ndyra të regjimit komunist, nga ato zyra-biruca që kanë persekutuar njerëz dhe që ka vijuar të mbijetojnënë politikë për 18 vjet të tjera, nga zgëqet më të ndyra të kriminalitetit”

“Njeri prej udhëheqësve politikë në këtë vend në një forum të lartë të partisë së tij ka thënë se "do ta djeg PS me benzinë, do t’i vë zjarrin PS-së me benzinë". Natyrisht nuk ka për të ndodhur dhe pse goja pi benzine e vjell zjarr”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›