E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjetër Arbnori, gallata e deputetëve me grevën e urisë

Debatet mes deputetëve për ngujimin e ish-Kryetarit të Kuvendit në selinë e Kryesisë për tri javë

Greva e urisë së deputetëve të LSI-së dhe PDK-së nuk është e para në ambientet e sallave parlamentare. Mëse 11 vite më parë ish-Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, ndenji rreth tri javë në një grevë urie të mbajtur në njërën sallë të katit të parë në selinë e kryesisë së Kuvendit Popullor, duke protestuar për qëndrimin e njëanshëm të RTVSH-së, pas fitores së PS-së më 29 qershor 1997. Edhe atëherë, si edhe sot, shumica e deputetëve nuk pajtoheshin me grevën e urisë, duke e quajtur një veprim joinstitucional. Por ndërsa sot gjuha është më e përmbajtur, në gusht 1997 ajo nxirrte “flakë”, duke treguar se konflikti politik ishte në kulm dhe siç do të shihet nga debabet, më të hidhurit janë ata që sot janë në krah të Doktorit.

Seanca plenare, paraditen e të mërkurës, më 20 gusht 1997

Genc Pollo- Zoti Pjetër Arbnori, deputet i Partisë Demokratike, ish-Kryetar i Parlamentit, personalitet i njohur në të gjithë botën, si një ndër viktimat më të persekutuara nga dikatura komuniste, nga Sigurimi i Shtetit, i dënuar me vdekje dhe pastaj i ridënuar për të kryer 29 vjet burg për idetë e tij demokratike, ka hyrë sot në një grevë urie pa afat për të protestuar kundër qëndrimeve të egra denigruese, censuruese të drejtuesve të Parlamentit, të cilët mbyllën portat e masmedias shtetërore për mendimin e opozitës. PD-ja dhe grupi i saj parlamentar i japin z. Arbnori mbështetje të plotë dhe kërkojnë që deputetëve t’u jepen të gjitha garancitë se të drejtat e tyre dhe liritë themelore të njeriut nuk do të shkelen më tej dhe se organet e masmedias nuk do të përdoren më nga maxhoranca e majtë si një perde e hekurt ndaj çdo mendimi konstruktiv të opozitës.

PD-ja, gjithashtu, thekson se politika e maxhorancës në pushtet është një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë në Shqipëri, prandaj vetësakrifikimin e zotit Pjetër Arbnori e konsideron si një thirrje fisnike për t’i thënë ndal restaurimit të rregjimit neokomunist në Shqipëri.

Skënder Gjinushi- Zoti Pollo unë e them edhe njëherë se ne jemi kryesia e Kuvendit Popullor. Televizionin nuk e kemi nën komandë dhe nuk e konceptojmë që e urdhërojmë ne, televizioni jo se varet apo kontrollohet nga Kuvendi, por varet për të qenë i pavarur, sepse mendohet që Kuvendi është pluralist dhe është i vetmi organ që mund të vendosë një ekuilibër politik, pra pavarësinë e medias dhe ne më shumë sesa angazhimit, që në çdo seancë serioze, përveç atyre që do të jepen direkt dhe që do të vendosen me konsensus apo nga Kryesia, çdo seancë tjetër, në çdo rast, grupet parlamentare të shprehen vetë me gojën e tyre se çfarë u bë dhe se çfarë qëndrimi u mbajt…

Seanca e së hënës paradite, 25 gusht 1997

Ferdinand Xhaferri- …ne do të donim të kuptohemi që opozita apo Partia Demokratike nuk është që kryesia e Kuvendit të urdhërojë Radiotelevizionin, por edhe kolegu parafolës insistoi në këtë pikë, nisur nga arsyeja se një kolegu ynë deputet, që ka qenë për 5 vjet edhe kryetar i selisë së Kuvendit Popullor ndodhet në një grevë urie, si pasojë e mospasqyrimit të aktivitetit të jetës parlamentare për grupin e Partisë Demokratike. Në këtë linjë, duke qenë se ai është në ditën e gjashtë të grevës së urisë, ne, nën frymën e mirëkuptimit propozuam një alternativë, kemi paraqitur një projektligj, kemi futur një përvojë të një vendi, pra nën frymën dhe përvojën franceze, se edhe ligjin për zgjedhjet e kemi nën atë eksperiencë, dhe kërkojmë, nisur nga ky shkak që një kolegu ynë është në grevë urie, që të paktën brenda ditës së mërkurë, kur është pasqyruar edhe programi, të futet ky projektligj dhe natyrisht që ai nuk kontribuon vetëm për opozitën, por kontribuon edhe për pozitën, sepse në atë projektligj, në qoftë se do të miratohet janë përcaktuar qartë hapësirat që i kushtohen televizionit në median publike, si pozitës ashtu edhe opozitës.

Skënder Gjinushi- …Të martën nuk është bërë asnjë shkelje, sepse vetë zoti Pjetër ka patur kujdesin të thotë që jepen seancat vetëm kur ka konsensus midis grupeve parlamentare, Kryetarit të Komisionit të Medias dhe kryesisë. Mjafton që njëri të jetë kundër dhe séanca nuk regjistrohet, nuk jepet. Pjetri këtë nuk e ka quajtur censurë, kështu që të duronte edhe ca sa të vijë rregullore e re, sepse rregullorja e tij mesa duket qenka një censurë.

Hamdi Jupe- Ne si anëtarë të Komisionit të Medias jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për çdo lloj projektligji që ndihmon lirinë e shtypit. Nga ana tjetër, unë dëshiroj të theksoj se ky parlament nuk mund të vihet në trysni, duke u imponuar me grevën e urisë, qoftë edhe të një deputeti, për të miratuar projektligjin me nxitim dhe në kundërshtim me rrgulloren.

Arben Imami- …Këtu ka patur pesë vjet mundësi për të bërë grevë urie dhe është zgjedhur mbase një moment i papërshtatshëm, por është në dëshirën e personit për ta zgjedhur këtë rrugë. Nuk mund të bëhen ligjet me greva urie, nuk mund të bëhen ligje me demonstratë, sepse këto janë rrugë antiinstitucionale, është e paperceptueshme sesi ish-kryeministra, ish-kryetarë Kuvendi, ish-njerëz, të cilët kanë qenë në krye të shtetit shqiptar për vite me radhë, kërkojnë rrugët antiinstitucionale dhe nuk kërkojnë rrugët institucionale për përmirësimin e atij legjislacioni që vërtetë është për t’u përmirësuar. E pra, ky parlament, duhet ta ketë parasysh se, në qoftë se duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, sot ndodhemi nën presionin e grevës së urisë së një personi, pasnesër do të dalin 100 të Hasit që do të bëjnë grevë urie, që të bëhet një ligj për ta, pastaj 1000 të Kombinatit ish-Stalinpër këtë punë, pastaj do të futen ata të Beratit, pastaj të Korçës, pastaj prapë e gjithë Shqipëria në grevë urie.

Sokol Hazizi- Më duket se po denigrohet seanca plenare e sotme. Ndërsa kemi thirrur në seancë urgjente pyetjesh ministrin e Rendit, nga PD-ja po kërkohet dalja sa më tepër në televizion, njëkohësisht po këkrohet nëse është e drejtë, apo nuk është e drejtë vendosja e zotit Pjetër Arbnori në grevë urie. Në grevë urie ka qenë gjithë populli shqiptar për 3-4 muaj. Nuk e di se cila do të ishte më shqetësuese qenia në grevë urie e të gjithë popullit shqiptar të Beratit, apo e zotit Pjetër Arbnori?

Seanca e paradites së 28 gushtit 1997

Diskutohet për përbërjen e re të KLD-së dhe rasti i Arbnorit të futur në grevë urie, as që përmendet…

Luan Hajdaraga- E kisha për procedurë, meqenëse në këtë seancë po diskutojmë një ligj të rëndësishëm, kisha mendimin që të transmetohet në televizion, me qëllim që edhe opinioni publik të njihej me këto diskutime, aq më tepër që jemi në një sallë ku ky ligj do të kalojë me diskutime dhe i bazuar pastaj në një marrëveshje politike të Romës. Prandaj shikojeni këtë mundësi dhe të sigurohet që kjo seancë të transmetohet në publik. Kemi pastaj që, objeksione mostransmetimi apo mohimi i kësaj të drejte, mund të çojë në një veprim emocional.

Skënder Gjiunushi- Dhe po hyre ti në grevë urie, zgjat një muaj.

Seanca e paradites, e hënë 1 shtator 1997

Jemin Gjana- (nuk është incizuar nga fillimi)…brenda në seancë, komisioni të vazhdojë mbledhjen dhe të merret me këtë saktësim që nuk është ndonjë ndryshim në parim, ose në themel i projektit të paraqitur. Ne e kërkojmë këtë, sepse vetë nisma ka të bëjë me një problem që tashmë është krijuar, të gjithë e dimë që zoti Arbnori ka 13 ditë që është në grevë urie dhe projekti lidhet me këtë çështje. Unë mendoj që pavarësisht nga principet politike, pavarësisht qëndrimeve, këtë 13 ditësh të Arbnorit ma ha mendja që e ndjejmë si njerëz, e ndjejmë si politikanë, e ndjejmë si kolegë deputetë dhe unë mendoj që kemi detyrim sikur të rrimë edhe deri në 12.00 të natës sonte dhe ta shqyrtojmë , ta diskutojmë…

Azem Hajdari- …Unë jam i bindur që ju jeni i informuar si Kryetar i Kuvendit, por edhe shumë deputetë sot kanë zhvilluar disa takime me deputetin Arbnori, duke qenë edhe deputeti Godo në takim, po ashtu edhe deputeti Zeneli. Do t’ju thosha që gjendja e tij është tepër kritike. Dikur një deputet në këtë Parlament ka thënë që vetëm delet nuk e mbështesin njëra-tjetrën kur shkojnë në thertore, se nuk e dinë se çfarë do t’u ndodhë. Ne jemi deputetë dhe pavarësisht nga qëndrimet politike që kemi, ne duhet të diskutojmë se cili deputet duhet të shprehet për këtë problem, por ama shtyrja në kohë është e pajustifikueshme, kur dihet që rrezikohet shëndeti i një deputeti…

Pandeli Majko-…Përkrah, pjesërisht, ato çfarë deklaroi zoti Azem Hajdari lidhur me gjendjen e keqe në të cilën ndodhet zoti Arbnori, por gjithsesi dëshiroj që në emër të grupit parlamentar të PS-së të deklaroj se ne nuk i bindemi as edhe një presioni që i bëhet kësaj salle dhe këtij parlamenti…Përpara se zotërinjtë e PD-së të kërkojnë ndryshime për ato që kanë miratuar vetë në këtë sallë parlamenti, duhet të kërkojnë ndjesë për ato që i kanë bërë opozitës në këto 5 vjet dhe pastaj të fillojnë e të thonë se po shkelen, se po terrorizohen, se po revanshohen etj…

Sabri Godo- Zoti Arbnori nuk na kërkon neve 1 milionë dollarë, nuk ka kërcënuar këtë parlament që të themi tani ne nuk i përulemi kësaj kërkese dhe çdo lloj proteste a greve që do të bëhet në të ardhmen për të përulur parlamentin…Të mbyllet kjo çështje dhe unë do të thosha se asnjë përulje nuk do të ndjente ky parlament, përkundrazi do të bënte një gjë humanitare, po të dërgoheshin tre vetë te zoti Pjetër dhe t’i thoshin kështu është vendosur. Pastaj ai ka mendjen e tij dhe ndoshta nuk del nga greva kurrë….

Pandeli Majko-…Dua ta besoj, sepse një pjesë e deputetëve janë të rinj dhe nuk kanë qenë asnjëherë kur fjala njeri nuk ekzistoi, në rastin e grevës së urisë së të përndjekurve politikë, të cilët janë nxjerrë me shkelma me shkopinjtë e gomës, dhe janë akuzuar bashkëpunëtorë të Sigurimit etj, kur zoti Pjetër ishte Kryetar i Kuvendit dhe i shikonte këto gjëra nga zyra e Enver Hoxhës.

Sali Berisha- …Ju siguroj se Pjetër Arbnori, ky qëndrestar i madh i kombit shqiptar, po qëndron njëlloj jo vetëm për PD-në dhe anëtarët e militantët e saj, po për çdo shqiptar, për çdo qytetar…së fundi më lejoni të bëj një qartësim. Arbnori u fut në grevë jo se dëshiroi, por se ju, kryetar, nuk zbatuat as standardin e Adil Çarçanit …se ju dhe drejtues të tjerë të këtij Kuvendi, vutë terrin informativ në këtë sallë për grupin tonë parlamentar. Këto janë arsyet. Mos kini frikë nga fjala.

Skënder Gjinushi- …Meqenëse bëni krahasimin me Adil Çarçanin , me të cilin keni më përvojë ju (ndërhyn zoti Berisha). Nuk ka rëndësi çfarë ke qenë, ka rëndësi si ke bashkëpunuar zoti Berisha dhe ju keni qenë shumë më afër edhe me Alinë, edhe me Çarçanin…ka dokumente që edhe për ligjin e shtypit, zoti Arbnori nuk ka denjuar as ta fusë në program një propozim për të hequr dënimin me një vit heqje lirie për gazetarët. Megjithatë këtu nuk është puna për hakmarrje…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›