E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji anglez, edhe për Policinë e Shtetit

Shteti shqiptar i kthen sytë nga legjislacioni i Britanisë së Madhe. Pas "kopjimit" të modelit anglez "antimafie", Policia e Shtetit po adapton një ligj për "marrëdhëniet me të tretët". Në të do të përcaktohen shërbimet e veçanta që ofron Policia e Shtetit për subjektet e tjera, si dhe hartimi i një politike të shërbimeve. Burime nga Policia e Shtetit thanë se prej disa muajsh kanë filluar përkthimin e modelit anglez, çka do të rregullonte punën e përditshme të tyre. "Po realizojmë hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, për llojet e shërbimeve dhe tarifave përkatëse, si domosdoshmëri dhe si detyrim ligjor", thanë burimet nga policia.

Ligji
Policia e Shtetit ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë shërbime ndaj të tretëve, bazuar në nenin 48 të ligjit "Për Policinë e Shtetit". Por projektvendimi i Këshillit të Ministrave "Për llojet e shërbimeve të Policisë së Shtetit dhe tarifat e pagesës", të përgatitur nga policia, nuk është miratuar ende. "Projektvendimi, ‘për llojet e shërbimeve të Policisë së Shtetit dhe tarifat e pagesës‘, ka qenë objekt i punës së strukturave qendrore të Policisë Shtetit, projekt i cili i ka kaluar për shqyrtim dhe Ministrisë së Financave, e cila ka kthyer përgjigje, mbi disa mendime e sugjerime, të cilat janë bërë objekt i diskutimeve dhe përfshirjes me draftin përfundimtar", deklarojnë burimet nga policia. Sipas tyre, në bashkëpunim me misionet e huaja që janë akredituar në Shqipëri, po punohet për përshtatjen e disa modeleve të huaja. Pas diskutimeve është menduar se modeli më i përshtatshëm për vendin tonë është ai anglez, pasi është i parashikuar qartë çdo detaj. Por në këtë rast ka një problem, pasi demokracia në Mbretërinë e Bashkuar është e konsoliduar dhe përshtatja e legjislacionit të tyre në vendin tonë duket se nuk është frytdhënëse, pasi lë shumë hapësira për abuzim.

Modeli anglez
Nga bashkëpunimi me misionin PAMECA III, Policia e Shtetit ka arritur të sigurojë praktikat më të mira nga Mbretëria e Bashkuar për llojet e shërbimeve të veçanta që ofron policia e këtij vendi. Në modelin anglez parashikohet kategorizimi, kostimi etj., të cilat kanë shërbyer si një ndihmë e madhe që Policia e Shtetit të përcaktojë shërbimet që duhet të ofrojë, gjithnjë duke ndarë ngjarjet komerciale, nga më pak komerciale apo dhe ngjarjet ligjore. "Në zbatim të detyrimeve ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 9749, datë 04.06.2009, ‘Për Policinë e Shtetit‘ kreu IV, i cili rregullon marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me personat dhe organizmat e tjerë, ku në nenin 48 të këtij ligji, përcaktohet se: Mbi bazën e kërkesës së personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë, si dhe në vartësi të mundësive që ka, policia ofron shërbime policore shtesë kundrejt pagesës. Dhe llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave" deklarojnë burimet nga Policia e Shtetit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit funksionon grupi i punës, me ekspertë nga të gjitha fushat e aktivitetet e shërbimet që ofron policia, i cili ka përgatitur dhe është drejt përfundimit të draft-projektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›