Braçe: Korrupsioni me pronat mban firmën e Kryeministrit
Numri dy i deputetëve të Partisë Socialiste konstatoi dje se vlerësimet e fundit për Lirinë Ekonomike në vend konfirmojnë edhe një herë binomin shkatërrues për këtë vend: korrupsionin dhe pronat, të cilat vlerësohen dukshëm më poshtë në indekset e publikuara. Sipas Erion Braçes, pronat janë përdorur për korrupsion dhe korrupsioni me pronat, tokat, më së shumti është dominant, duke punësuar pushtetarë të çdo lloji qendror apo lokal. "E gjitha ka ndodhur apo ndodh me dijeni të plotë dhe nën udhëheqjen e Sali Berishës, njeriu që ka përqendruar në dorën e tij dhe administrimin e tokës apo të gjithë procesin dhe kompensimin e kthimit fizik të pronës", tha Braçe. Synimi i tij, nënvizoi drejtuesi socialist, është të punësojë njerëzit e tij, kjo ka sjellë që të pasurohen, të kthehen në latifondistë, sa hapë e mbyll sytë pushtetarë, familjarë, klientë të tyre, në një proces korruptiv që nuk po ndalet. Selia rozë mendon se skena ka qenë dhe është e qartë dhe publike: nga toka me vendime administrative me njerëzit e t‘u certifikojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pronave Private dhe në fund bliji fizikisht. "Po t‘u hedhësh një sy deklarimeve të pasurive të pushtetarëve tanë, të gjitha të blera me çmime qesharake, prona në sipërfaqe të konsiderueshme duke nisur nga familja e Kryeministrit dhe më poshtë", insistoi Braçe. Së fundmi, shtoi ai, në ikje e sipër, zhvatja e tokave publike, ka formësuar një fushatë masive në të gjithë territorin e vendit. "Totalisht jashtë kontrollit, për shkak të funksionimit politik të prefektëve, pushtetarëve të Partisë Demokratike në Vlorë, Elbasan, Lushnjë, janë ata që po shpërndajnë masivisht toka publike, në pronësi të familjarëve, përfaqësuesve politikë, të afërt me ta, klientë të tyre, e gjitha kjo në sasira të konsiderueshme", vijoi Braçe. Partia Socialiste sqaron se në vetëm 2 muaj, në Komunën Novoselë-Vlorë, janë ndarë 100 hektarë dhënë me qira, ku përfitues janë: Këshilltari i PD 1 ha, Kryetari i PD së zonës-këshilltar 10 ha, shoferi i kryetarit të komunës 10 ha, një tjetër këshilltar i PD 4.6 ha, djali i sekretarit të komunës 0.2 ha, vëllai i sekretarit të komunës 1 ha, djali i kryetarit të komunës 10 ha, dy pushtetarët vendorë e drejtor drejtorish në Vlorë 18.3 ha, 2 biznese të dështuara, klientë politikë 19.5 ha. "Të gjitha këto toka publike që po grabiten me shpejtësi, që po pasurojnë në kundërshtim me ligjin pushtetarë, familjarë e klientë politikë, të gjitha bashkë, do të duhet të përbënin fondin publik të tokave që do të kompensojë fizikisht ish-pronarët, duke ulur koston e kompensimit financiar që nuk po ndodhë", nënvizoi Braçe.