E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Kryeministri favorizoi jo vetëm boshnjakun, por edhe ortakun e BG&R

Çështja "Fazliç" ka qenë sërish dje objekt debati në seancën parlamentare. Ashtu si në seancën e shkuar, opozita nuk i ka kursyer akuzat ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, duke theksuar se ka favorizuar korrupsionin. Ndërkohë që, mazhoranca, nëpërmjet deputetëve të saj, dhe vetë Kryeministri i ka hedhur poshtë këto akuza me argumentin si të pa vërteta. Por, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka kaluar në fakte konkrete, duke theksuar se Kryeministri Berisha ka favorizuar ekonomikisht njerëzit që e kanë mbështetur gjatë fushatës elektorale dhe këtë nuk e ka bërë vetëm me Fazliç, lidhjet e të cilit me Kryeministrin dhe familjen e tij tashmë janë zbuluar, tha Braçe, por edhe me një nga ortakët e BG&R, pikërisht Roxhersin. Duke komentuar deklaratën e bërë paradite nga Kryeministri Berisha, i cili kërkoi hetim ndërkombëtar për biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazliç, për të cilin aktualisht Prokuroria shqiptare ka nisur një hetim, Braçe tha se Berisha i ka shpallur marrëdhënie lufte me prokurorët, por shtoi se i gjithë problemi i këtij vendi është Kryeministri Berisha dhe jo prokurorët. Në këtë moment, Braçe ka rikujtuar edhe një herë reagimin e ambasadës amerikane në Shqipëri, e cila shprehu shqetësimin për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë për ndërhyrjen e tyre në punën e Prokurorisë. Por, ministri Alibeaj i ka kundërshtuar pretendimet e Braçes, duke theksuar se nuk ka përplasje mes institucionit që ai drejton dhe Prokurorisë. Sipas Alibeajt, Ministria e Drejtësisë ka ushtruar vetëm kompetencat ligjore, gjë të cilën, sipas tij, duhet ta zbatojë edhe Prokuroria. Gjithashtu, ministri ka theksuar se në prokurori nuk po ushtrohet asnjë presion, por ka shtuar se ndalime me telefonata nuk do të ndodhin dhe sekuestro pronash me fleta bakalli nuk do të lejohen. Ndërkohë që deputeti Arben Malaj ka deklaruar se është e çuditshme miqësia që Kryeministri Berisha ka me biznesmenin serb-boshnjak, Damir Fazliç. "Mazhoranca arrin tek argumenti i turpshëm se Fazliç ka ndihmuar në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse ftesa e NATO-s është meritë e Shqipërisë dhe jo e Fazlliç", është shprehur Malaj. Më tej, ai ka kritikuar ashpër qeverinë "Berisha" për përplasjen me prokurorinë, i cili është një organ i pavarur. Sipas Malajt, Kryeministri i vendit po fut në krizë vendin, sepse po pengon disa hetime të rëndësishme kundër korrupsionit. "Kjo nuk është kriza Fazliç, por kriza Berisha", deklaroi deputeti i PS, Arben Malaj. Mjaft i ashpër ka qenë edhe deputeti Spartak Ngjela, i cili nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë, e cila po cenon pavarësinë e Prokurorisë dhe se ka frikë prej saj. Sipas Ngjelës, qeveria ka frikë nga Prokuroria shqiptare së është e implikuar vetë në krime dhe korrupsion. Për Ngjelën është e patolerueshme dhe të pajustifikueshme fakti që qeveria mbrohet me argumentin se Damir Fazliç ka sjellë këshilltarin amerikan të Kryeministrit Berisha, Tom Ridge. "Nuk trembni askënd me Tom Ridge. Damir Fazliç të vijë me kë të dojë në Shqipëri, edhe me Presidentin. Në SHBA kanë futur ministra në burg. Në Shqipëri nuk ka demokraci, vendi vuan nga një qeveri uzurpatore", ka deklaruar Ngjela. Ai u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të mbrojnë institucionet e pavarura, pasi kjo është demokraci e vërtetë. Ngjela është shprehur se është pro një hetimi të Damir Fazliç nga Prokuroria shqiptare, duke kritikuar kështu deklaratën e Berishës, i cili kërkoi të miratohet një dekret për të kërkuar hetim nga prokurorët ndërkombëtarë për çështjen "Fazliç" dhe jo vetëm nga prokurorët shqiptarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›